Turizmi ekologjik në Gjermani
2 Gusht 2011
Tom Geiger është i dashuruar pas zhaurimës së valëve. Në verë ai del çdo ditë në ujërat e kaltra të Liqenit të Konstancës, liqeni më i madh i Gjermanisë. Barka e tij e vogël me dy pjesë gjatoshe dhe një qoshe me ulëse, nxë gjithsej dymbëdhjetë pasagjerë. Me të ai lundron nga bregu gjerman në atë zviceran. 18 minuta zgjat udhëtimi përmes rrëpirave të gjelbra malore. Dhe kapiteni premton se janë 18 minuta të veçanta.
"Ti dëgjon tërë kohës zhurmën e ujit, motori është shumë i ulët".
Tom Geiger, një burrë nga fundi i të 40-ave me lëkurë të bronztë e të rregjur nga dielli, kokën e të cilit nuk e zbukurojnë shumë flokë, por një palë syze të errëta dielli, drejton një anije shumë speciale të Liqenit të Konstancës. - Trageti Solar RA 33 "Insel Reichenau". Tom Geigerit këtu nuk i përzihet shushurima e ujit që përplaset me anijen me ulërimën e motorit Diesel, sepse motori i tij elektrik ecën i heshtur mbi liqen. Ai furnizohet me rrymë elektrike nga dielli që shkëlqen mbi modulet diellorë që shërbejnë si tendë hije mbi kokat e kapitenit dhe pasagjerëve dhe njëkohesisht prodhojnë rrymë. Rryma shpërndahet në 16 bateri të vogla kamioni në trungun e anijes dhe furnizon dy elektromotorët që thuajse nuk ndihen.
"Unë mund të udhëtoj me javë të tëra pa i vënë bateritë në prizë, sigurisht që duhet të jem i kujdesshëm që të mos harxhoj shumë. Kësisoj unë harxhoj maksimumi 20 përqind deri në fund të ditës, dhe ato i rimbush në mbrëmje dhe në mëngjes. Deri të nesërmen më bëhen sërish 100 përqind."
Trageti solar punon me energji diellore, turistët ndjehen mirë
I ngarkuar me energji diellore, në një ditë me re, si sot, trageti e bën segmentin ujor 40 deri në 45 herë, natën 30 herë. Këto janë tre ditë të plota udhëtimi. "Tani po bëj xhiron e 17 dhe megjithëse kishte shumë pak diell më kanë mbetur pa u përdorur edhe 83 për qind të kapacitetit me energji.
Në bordin e tragetit është një grup shkencëtarësh të rinj nga vende të ndryshme të botës. Ata janë kimistë nga India, Kina, Spanja, Gjermania dhe Zvicra dhe e njohin mirë fushën e energjisë diellore. Por ky udhëtim turistik në tragetin solar të Tomit duket se është diçka e veçantë edhe për dy hulumtuesit nga India, Koushek dhe Rajkumar.
Kjo është një ndjenjë e mirë. Ne zakonisht i shohim qelizat solare nëpër ndërtesa, por në një anije, këtë po e shohim për herë të parë. Anija lundron krejt ndryshe, shumë më mirë", thotë Rajkumar.
Ndërsa Kouschek veçon: "Kryesorja është që nuk ndotet mjedisi në liqen, dhe kjo është një përvojë e mirë "
Autori Martin Frey i ka vënë vetes si qëllim që t'i vërë njerëzit si Tom Geiger në fokus të turizmit ekologjik. Në bashkëpunim me një shtëpi botuese të njohur ai ka botuar një udhërrëfyes me titullin, "Gjermania – vendi i energjive të ripërtëritshme". Trageti solar i Tom Geigerit është njëri prej 160 pikave turistike të udhërrëfyesit. Pika të tjera janë impiante manastiresh që nuk kanë emisione dioksidkarboni, parqe gjigante me mullinj ere ose banjo termale me energji tokësore, të shpërndara nga të katër anët e Gjermanisë. Martin Frey beson se Gjermania me anë të energjive të ripërtëritshme mund të rregullojë imazhin e saj si një vend turistik.
Energjia e ripërtëritshme, një potencial me perspektivë në Gjermani
"Turizmi dhe energjitë e ripërtëritshme shkojnë shumë mirë së bashku. Sepse turistët nuk duan vetëm të kalojnë kohën, por edhe të mësojnë diçka të re. Dhe energjitë e ripërtëritshme përbëjnë një temë të rëndësihme të kësaj dekade dhe do të jenë edhe në dekadat dhe brezat e ardhshëm. Ne tani po fillojmë ta njohim këtë potencial. Ka shumë pyetje të hapura, që presin përgjigje."
Nga parqet me erë në bregdet e derii tek kasollet e lëvizshme në Alpet e Bavarisë që furnizohen me energji të përtëritshme – autori Martin Frey ka përmbledhur shtatë xhiro në të cilat turistët mund të pushojnë dhe në të njëjtën kohë të mësojnë më shumë për të ardhmen energjetike. Kësisoj shkrihen arti me fuqinë e erës në zonat rreth Hanoverit, ndërsa në Bavarinë e Epërme arkitektura tradicionale me energjinë diellore.
Turistët e natyrës dhe energjisë sigurisht që udhëtojnë me vetëdije ambientaliste, me vetura elektrike, biçikleta elektrike, ose me tren. Dhe gjëja e vetme që u nevojitet atyre është pak kohë, thotë autori i librit 200faqesh.
Pionieri ekologjik i vetëdijshëm për punën mjaft të bukur të tij
"Interesante janë bisedat me njerëzit, këta pionierë të kthesës energjetike. Për dekada të tëra atyre u janë vënë gurë në rrugë, e tani krejt papritur gëzojnë një reputacion tjetër në shoqëri. Kjo është diçka që nuk mund të lexohet nëpër libra, por të përjetohet. Pra paketo valixhet dhe nisu!"
Kush dëshiron të njohë Tom Geigerin, ai e gjen atë dhe tragetin solar të tij gati çdo ditë në muajt e verës. 2000 udhëtime me traget, bën ai për çdo sezon, mbi 20.000 herë ka kaluar gjatë dhjetë viteve të fundit rrugën në itinerarin e tij në Liqenin e Kontsancës. Ai e ka të vetëdijshme që kur ai punon të tjerët bëjnë pushime. Pioneri Ekolgojik thotë atë që i ka thënë një herë, gjatë një udhëtimi në anijen e tij ish-shefi i Entit të OKB-së për Mjedisin, Klaus Töpfer: "Ju keni punën më të bukur të botës".
Autor: Richard Fuchs/Anila Shuka
Redaktoi: Mimoza Kelmendi