1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Loja me vdekjen në Everest

31 Maj 2012

Këtë pranverë maja e malit Everest është ngjitur më shumë se 500 herë. Dy persona kanë mbetur të vdekur në sezonin aktual, ku midis tyre dy kanë qenë alpinistë gjermanë.

https://p.dw.com/p/155Ld
Ngjitje dramatike
Ngjitje dramatikeFotografi: picture-alliance/dpa

Një grup alpinistësh u ngjitën në majë të malit Everest të Shtunën më 19 maj. Gjermani Richard Stihler ishte mes atyre personave që arriti të ngjitej në lartësinë 8,850 metra dhe morën rrugën e zbritjes. Në shpatin e quajtur Hiilary, një pjesë e malit vetëm 100 metra larg majës, “alpinistët që po zbrisnin dhe ngjiteshin ngecën në një mënyrë të tillë që nuk mund të bënin as para e as mbrapa” , tha Stihler, një arkitekt nga qyteti Lahir në jug të Gjermanisë kur po përshkruante situatën ku u rrezikuan jetë njerëzish.

"Pas afërsisht dy orësh të bllokuar në një të ftohtë të acartë, u hap një kalim në lartësinë 8800 metra, përmes të cilit kaluam më pas,” shpjegon ai. “Për disa alpinistë të tjerë pas nesh, kjo bllokadë përfundoi me ngrirje ose vdekje.” Gjashtë persona humbën jetën jetën atë fundjavë në po atë vend, duke përfishrë edhe dy gjermanë. Rreth 300 alpinistë arritën në majë. Çdo ditë është çmenduri në malin e Everest.

Kamp pushimi
Kamp pushimiFotografi: picture-alliance/dpa

6000 alpinistë kanë arritur majën

Këtë fundjavë gjithashtu koha e mirë bëri që 180 alpinistë të ngjiteshin në majë. Skena kaotike si ato të një fundjave më parë nuk pati, nuk kishte të vdekur. Më shumë se 500 alpinistë ngjitën malin Everest në pranverë. Alpinisti zvicerian Ueli Steck dhe kolegu i tij nepalez Tenji ishin të vetmit që arritën në majë pa patur nevojën e oksigjenit. Numri i alpinistëve që kanë ngjitur majën e malit Everest ka shkuar në 6000 që nga viti 1953 kur neozelandezi Edmund Hillary dhe shoqëruesi i tij Tenzing Norgay pushtuan për herë të parë majën e malit. Midis atyre që kanë arritur këtë sipërmarrje të vështirë këtë vit është edhe 73-vjeçarja Tamae Watanabe, e cila theu rekordin e saj të vitit 2002 si gruaja më e vjetër që ishte ngjitur në malin Everest.

Shumë alpinistë pa eksperiencë

Dhjetë aksidente fatale kanë ndodhur këtë pranverë. Nuk ka patur kaq shumë që prej vitit 2006. 233 persona kanë humbur jetën në tentativë për të ngjitur majën e malit. Duke parë statistikat e viteve të fundit vemë re se nga shkaku “klasik” i vdekjeve, orteqet, viktimat kanë qenë të rralla. Ndërkohë nga sëmundjet për shkak të lartësisë janë bërë më të zakonshme. Kjo nuk është një rastësi. Çdo vit, qindra alpinistë tentojnë të ngjisin malin Everest dhe shumë prej tyre nuk kanë eksperiencën e duhur.

Gjigandi Everest
Gjigandi EverestFotografi: DW/S.Nestler

Të gjitha në një çmim

Operatorët komercialë premtojnë për klientët e tyre se do të arrijnë majën e Everestit për 45 mijë euro. Si në anën Nepaleze ashtu edhe në atë Tibetiane, udhëheqësit kanë varur litarë në të cilët alpinistët mund të kapin ganxhat e tyre. Ata kanë përgatitur edhe kampe në lartësi të mëdha ku alpinistët mund të mbushin bombolat me okisgjen dhe të lehtësojnë pak çantat e tyre.

Apeli për ndihme shkon në vesh të shurdhër

"Ne duhet të ndalojmë turizmin masiv në malin Everest,” thotë alpinisti Reinhold Messner nga Tiroli i Jugut, personi i parë në botë që ka ngjitur 14 majat që janë mbi 8 mijë metra të larta. “Për sa kohë që situata do të vazhdojë kështu, njerëz do të vdesin.” Apeli i tij bie në vesh të shurdhër ashtu si edhe shumë paralajmërime të përsonave të tjerë. Shumë njerëz nxjerrin fitime të konsiderueshme nga mali Everest, si operatorët e ekspeditave, banorët lokalë, por edhe qeveria e Nepalit që shet lejet për t'u ngjitur në malin më të lartë në botë. Përveç problemit të alpinistëve pa eksperiencë që tentojnë të ngjiten në majën e malit, vitet e fundit është vënë re një ngritje e temperaturave që rrisin edhe rrezikun e orteqeve.

Autor: Stefan Nestler/Amarildo Topi

Redaktoi: Lindita Arapi