1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW
TurizëmEuropë

Turizmi masiv: Si veprojnë rajonet e prekura turistike?

30 Korrik 2024

Në shumë destinacione turistike evropiane shtohen protestat kundër ekzagjerimeve të industrisë së pushimeve. Kërkesat për limitimin e saj po bëhen gjithnjë e më të forta.

https://p.dw.com/p/4isl8
Protestues në Barcelonë me pankartën me mbishkrimin "Tirustë kthehuni në shtëpi"
Protesta në BarcelonëFotografi: Paco Freire/ZUMA Press Wire/Imago Images

Kur demonstruesit në Barcelonë i spërkatën me ujë nga pistoletat plastike turistët, që nuk po merrnin vesh se ç`bëhej, protestat kundër turizmit në Spanjë kishin arritur kulmin. Më parë disa mijëra vetë kishin protestuar në Ishujt Kanarie, në Ishujt Baleare dhe në Andaluzi. Me më shumë se 85 milionë vizitorë të huaj në vit Spanja është destinacioni i dytë më i kërkuar i turizmit në botë, pas Francës. Pakënaqësia për pasojat e turizmit masiv po rritet edhe në destinacione të tjera evropiane. Në shumë vende, në Barcelonë, Venecia, Paris dhe Greqi, po mendohet se çfarë mund të bëhet për të kufizuar numrin e turistëve.

Barcelona: Fundi i qiradhënies për pushuesit

Meqenëse shfrytëzimi i hapësirës së banimit, për t`ia dhënë me qira turistëve, ka një ndikim drastik në tregun e zakonshëm të qirave, në kryeqytetin e Katalonjës në veri të Spanjës është planifikuar anulimi i të gjitha ofertave deri në fund të vitit 2028. Administrata e qytetit shpreson që më shumë se 10.000 apartamente, që deri tani u janë dhënë ligjërisht pushuesve, të vihen përsëri në dispozicion të tregut të qirave afatgjata. Gjatë protestave kundër turizimit në Barcelonë, demonstruesit kritikuan ndër të tjera edhe çmimet e qirave, të cilat rriten prej vitesh. Vitin e kaluar rajoni i Katalonjës kryesonte statistikat e turizmit spanjoll me 18 milionë vizitorë.

Mallorca: Kufij për blerësit e imobilieve?

Plazhi Cala Rajada i dyndur nga turistët me çadra dielli në rërë
Dyndje turistësh në MajorkaFotografi: Schoening/imageBROKER/picture alliance

Edhe në ishullin mesdhetar spanjoll të Majorkës ka pasur javët e fundit demonstrata kundër turizmit. Mungesa e hapësirës së banimit është edhe atje një nga problemet kryesore. Ndër të tjera në ishull debatohet edhe për kufizimin e shitjeve të pasurive të paluajtshme personave, të cilët nuk janë banorë të Majorkës. Megjithatë se si do përputhet kjo me ligjin e BE, është e paqartë. Së fundmi janë forcuar edhe kontrollet në sektorin e dhënieve me qira për pushuesit. Në Palma për shembull, në kryeqytetin e ishullit, ka një ofertë të madhe të paligjshme të akomodimit turistik. Vitin e kaluar në ishull erdhën rreth 12,5 milionë turistë, aq shumë sa kurrë më parë. Prej disa kohësh ekziston një limit për kroçierat në portin e qytetit.

Ishujt Kanarie: rekorde pushuesish dhe paga të ulëta

Edhe Ishujt Kanarie shënuan vitin e kaluar një rekord me më shumë se 16 milionë turistë. Megjithatë pakënaqësia në grupin e ishujve në Atlantik po shtohet. Në muajin prill rreth 60.000 vetë morën pjesë në një demonstratë, që shënoi fillimin e protestave kundër turizmit në Spanjë. Pjesëmarrësit kërkuan ndër të tjera shpërndarje më të drejtë të pasurisë së krijuar nga turizmi. Edhe pse biznesi me pushuesit ecën mirë, pagat mesatare në Ishujt Kanarie janë veçanërisht të ulëta. Por ndryshe nga pjesa dërmuese e destinacioneve masive turistike, në Ishujt Kanarie deri sot nuk ka ende taksë turistike.

Protestuesit në Barcelonë me pankartën me mbishkrimin "Barcelona nuk është në shitje"
Protesta në Barcelonë kundër shitjes së imobiljeve koncerneve turistikeFotografi: JOSEP LAGO/AFP/Getty Images

Paris: Turistët duhet të paguajnë shumë më tepër

Ndërsa në kryeqytetin francez një taksë e tillë për bujtësit ekziston prej shumë vitesh. Të ardhurat prej saj përdoren për investime, nga të cilat përfitojnë vendasit. Që nga fillimi i vitit pushuesve në Paris u kërkohet të paguajnë dukshëm më shumë, tarifat janë dyfishuar. Në varësi të kategorisë së hotelit tani duhet të paguhen deri në 14.95 euro në ditë. Edhe në Paris, ku priten dhjetëra mijëra vizitorë më shumë për Lojërat Olimpike, çështja e mungesës së banesave është akute. Prandaj administrata e qytetit ashpërsoi së fundmi rregulloret për qiratë turistike. Që atëherë pushuesve mund t`u jepet me qira vetëm banesa kryesore, pronarët e të cilëve jetojnë aty. Përveç kësaj dhënia me qira për pushuesit lejohet vetëm për më së shumti 120 ditë në vit - pas regjistrimit paraprak.

Amsterdam: Nuk ka më hotele të reja

Amsterdami po luan një rol pioner në limitimin e turizmit masiv. Ndryshe nga destinacionet e tjera turistike kryeqyteti holandez e ka përcaktuar tashmë se ku e ka kufirin e kapacitetit. Administrata e qytetit vendosi që çdo vit të mos ketë më shumë se 20 milionë bujtje në shtëpitë që jepen me qira për turistë. Kjo vjen si rrjedhojë e një nisme qytetare, e cila kërkonte nga këshilli bashkiak që të rregullonte më mirë fluksin e vizitorëve. Përveç kësaj asnjë hotel i ri nuk aprovohet më tani, përveç rasteve kur mbyllen hotele ekzistues. Në të ardhmen numri i kroçierave në port do të jetë po ashtu i kufizuar.

Greqi: Kufizime për kroçierat në Mykonos

Një masë të tillë mund të ketë së shpejti edhe në Greqi. Kohët e fundit qeveria njoftoi, se do të limitojë numrin e kroçierave, që ndalojnë në disa nga ishujt shumë të preferuar si Santorini dhe Mykonos. Sipas Zyrës Gjermane të  Statistikave askund në BE përqindja e pushuesve për banor nuk është aq e lartë sa në Egjeun jugor. Ka më shumë se 100 turistë bujtës për çdo banor vendas. Edhe në Greqi pushuesit tani duhet të gërmojnë shumë më thellë në xhepat e tyre. Që nga ky vit gjatë sezonit do të merret e ashtuquajtura taksë e krizës klimatike, e cila paguhet për secilën natë dhe shkon deri në dhjetë euro, në varësi të kategorisë së hotelit.

Turistë duke fotografuar nga anija sheshin San Marco në Venecia
VeneciaFotografi: Stefano Nicoli/NurPhoto/picture alliance

Venecia: biletë hyrëse për vizitorët ditorë

Ai që nuk qëndron edhe gjatë natës në qendrën e vjetër të Venecias që nga ky vit duhet të paguajë për hyrjen në ditë të caktuara. Deri tani janë paguar pesë euro, por vitin e ardhshëm shuma në disa ditë mund të dyfishohet. Qëllimi i kësaj mase është të frenojë turizmin ditor, pasi ekskursionistët ditorë, që vijnë vetëm për disa orë, shpenzojnë pak para në qytet, por kontribuojnë megjithatë në mbipopullimin e tij. Rreth pesë milionë pushues vizitojnë Venecian çdo vit.