Turizmi grek: Akoma shumë për të bërë
27 Shtator 2012Për dekada me radhë turizmi grek ka lulëzuar. Dielli, deti, plazhet ishin aty, nuk kishte shumë nevojë të sforcoheshe. Por ka disa vite që situata ka ndryshuar. Të gjitha destinacionet turistike në Greqi duhet të luftojnë me konkurencën globale. Prandaj kudo bëhen përpjekje për rritjen e nivelit të cilësisë, të profesionalizmit dhe profilizimin e destinacioneve. Në këtë drejtim mund të japin ndihmesën e tyre edhe ekspertët. Këtë e dëshmoi takimi i politikanëve lokalë gjermanë dhe grekë me ekspertë të fushës së turizmit në ishullin Rhodos, në kuadër të bashkëpunimit gjermano-grek në nivel komunal dhe rajonal.
Vendimtarja - si na shohin të tjerët
Madje edhe bastioni i turizmit grek Rodos vizitohet nga pushuesit e huaj gati vetëm në muajt e verës. Në rast se do të tërheqësh më shumë turistë, duhet të zgjasësh sezonin. Këtu duhet mësuar nga Gjermania, thotë guvernatori i ishujve të Egjeut të Jugut, Jannis Mahairidis:
„Ne kemi turizëm veror, gjermanët kanë turizëm dimëror. Ata kanë arritur ta rrisin turizmin veror, ne nuk kemi mundur ta shtojmë atë në dimër. A jemi në gjendje ta bëjmë një gjë të tillë?“
Po. Në qoftë se arrin të sjellësh oferta, që mund të shfrytëzohen për turizëm edhe në stinët e tjera të vitit si, alipinizëm, ose udhëtim në biçikleta, thotë Anja Wollesen, profesoreshë nga shkolla e lartë Westküste në qytetin gjermanoverior Heide. Por më e rëndësishmja është të vihen në dukje dhe në plan të parë epërsitë, që kanë qendrat e caktuara turistike. Për këtë profesorja e turizmit paraqiti një model, që është përdorur me sukses prej vitesh në një numër vendesh. Fillimisht kryhet një studim i tregut me turistë gjermanë.
"Hapi i parë është, se çfarë përfytyron turisti gjerman, për shembull me Rodosin. Pastaj këtë ne e krahasojmë me ofertat e ishullit. Dhe shikojmë, nëse ka mbivendosje, d.m.th. në ç'pika prezantohet ishulli mirë, çfarë vlerësohet tek ai, si perceptohet ai, dhe ku kjo gjë mungon."
Turistët vijnë për shkak të veçorive
Qëllimi i këtij hulumtimi të tregut është për të gjetur, se çfarë është e veçanta e një destinacioni pushimi për turistët. Për shembull, ndoshta shumë vijnë në Rodos për shkak të pjesës së vjetër të qytetit, që bën pjesë në trashëgimisë botërore të UNESKO-s. Nëse është kështu, atëherë kjo përparësi unike duhet venë edhe më shumë në pah, në krye të ofertave turistike të ishullit. Një veçori e tillë e historisë kulturore nuk mund të kopjohet, aq pak sa edhe peizazhi dhe natyra.
Studimi i tregut me turistët gjermanë do të bëhet në dhjetor. Në fillim të vitit të ardhshëm Anja Wollesen do t'ua paraqesë rezultatet në Rodos politikanëve lokalë dhe përfaqësuesve të industrisë së turizmit:
"Ne vijmë me të dhënat dhe përvojën tonë, me vizionin tonë për rëndësinë e tyre. Por kjo është vetëm njëra anë. Tjetra është interpretimi nga popullata lokale. Ato janë ekspertët në fakt dhe nga këto të dhëna ata duhet të nxjerrin konkluzionet e tyre. Pastaj do të hyjmë në diskutim."
A ekziston marketingu i caktuar për turistët për një veçori të caktuar të ishullit? Nëse ata për shembull e lidhin Rhodosin me alpinizmin, atëherë të shihet a është e zhvilluar sa duhet kjo ofertë? Në çfarë gjendjeje janë shtigjet malore? Si është marketingu? A ekzistojnë broshurat dhe hartat përkatëse dhe a mund të gjesh prej tyre në aeroporte dhe hotele? Më mirë do të ishte, thotë profesoresha Wollesen, sikur informacione të tilla turistët t'i kishin para se të marrin vendimin, se ku do të shkojnë për pushime."
Bashkëpunimi shkencor në fushën e turizimit
Edhe pse turizmi me 16 për qind të produktit të brendshëm bruto të vendit është dega kryesore e ekonomisë, nuk ka asnjë universitet, apo kolegj grek me pikërëndësë turizmin. Akademitë e turizmit në Kretë dhe Rodos nuk janë të njohura si të tilla. Por për të patur një bashkëpunim me shkollën e lartë Westküste, do të përfshihet si partner universiteti i Egjeut. Kështu do të jetë për shembull e mundur, që të financohen edhe këmbimet e studentëve dhe mësuesve, si dhe programet e përbashkëta kërkimore përmes programit Erasmus. Prof Kyriakos Petrákos i akademisë turizmit në Rodos thotë:
„Për një numër të madh të studentëve tanë gjermanishtja është gjuha amtare. Prandaj ne mund ta shfrytëzojmë këtë avantazh për këmbim studentësh edhe për hulumtime të përbashkëta."
Ndoshta në këtë rrugë do të vendoset guri i themelit për një universitet grek të turizmit.
Autor: Panajotis Kuparanis/ Angjelina Verbica
Redaktoi: Auron Dodi