Turistët gjermanë shpëtojnë buxhetin
31 Gusht 2012Bilanci i sezonit turisitik të kësaj vere me siguri do të jetë i suksesshëm për Evropën Juglindore, kryesisht sa i përket numrit të turistëve nga Gjermania, besojnë agjencitë gjermane të turizmit. Viti filloi keq sidomos për Greqinë. U fol për një "vit katastrofik", flitej për një rënie të prenotimeve deri në 30 për qind. Por të dhënat e fundit dëshmojnë megjithatë se: Greqia është ende në vendin e tretë ndër destinacionet më të preferuara për gjermanët - pas Spanjës dhe Turqisë. "Minusi zvogëlohet nga muaji në muaj", thotë Kathrin Spichala nga agjencia më e madhe turistike në botë TUI.
Një vit i suksesshëm për Greqinë
Nëse vazhdon kështu grekët mund ta mbyllin sezonin e këtij viti me një humbje prej më pak se dhjetë për qind në krahasim me vitin e kaluar. Sektori tradicionalisht optimist i turizmit e konsideron këtë si një sukses sepse "viti 2011 me 2.5 milionë turistë gjermanë në Greqi shënonte një rritje rekord prej 12 për qind", thotë Panajotis Skordas, drejtori për Gjermaninë pranë Organizatës greke Kombëtare të Turizmit. Kështu që një minus i vogël në krahasim me rritjen e lartë të para një viti sidoqoftë paraqet një rezultat të mirë, sqaron Skordas.
Kjo është edhe më e rëndësishme po të kihet parasysh çrregullimi i marrëdhënieve gjermano-greke në fillim të këtij viti. Në shtypin grek mund të shihje kancelaren Merkel të veshur me uniformën me kryq të nazistëve ndërkohë që shtypi bulevardesk në Gjermani u rekomandonte grekët që t'i shesin ishujt e tyre apo edhe vet Akropoli për të shlyer borxhet. Me kalimin e kohës tonet janë zbutur nga të dyja anët, sqaron Nina Kreke nga agjencia turistike Thomas Cook. Në këtë mënyrë gjermanëve u është rikthyer besimi dhe i kanë prenotuar pushimet e tyre në Greqi. Hotelierët grekë kanë ndihmuar paksa në këtë drejtim, sqaron Kreke: "Natyrisht me uljen e çmimieve ata i kanë joshur vizitorët të vijnë sërish në Greqi."
"Faleminderit Gjermani!"
Lajme të mira vijnë edhe nga Kroacia. Ky vend shënoi suksese të reja gjatë këtij sezoni, thotë Thomas Schäfer nga Shoqata gjermane e udhëtimeve. Kjo tani konfirmohet edhe nga shifrat aktuale. Gati një milionë gjermanë kishin vendosur në gjysmën e parë të këtij viti që t'i kalojnë pushimet në vendin e vogël përgjatë Detit Adriatik. Kemi të bëjmë kështu me një rritje prej 15 për qind në krahasim me vitin paraprak. Kjo është edhe më e rëndësishme për Kroacinë pasi për shkak të krizës sivjet ka rënë numri i tursitëve nga Italia fqinje. "Gjermanët e kanë shpëtuar buxhetin kroat", shkruan një gazetë e madhe kroate, duke shtuar, "Faleminderit Gjermani".
Në mënyrë që industria e turizmit të vazhdojë të qëndrojë edhe më tej në kursin e sukseseve është vendosur që nga viti i ardhshëm TVSH-ja për shërbimet turistike në Kroaci të ulet në vitin 2013 nga 23 në 10 për qind. Turistët madje s'kanë përse të frikësohen se bregdetin kroat do ta gjejnë të rënduar nga ndërtimet, sepse "vendi ka mësuar nga gabimet e të tjerëve", thotë ministri i Turizmit Veljiko Ostojiq. Kësisoj në Kroaci ekzistojnë dispozita ligjore për mbrojtjen e natyrës, të cilat pengojnë betonimin e bregdetit.