Tronditje pas serisë së atentateve në Stamboll
29 Qershor 2016Pas sulmeve terroriste në aeroportin e Stambollit politikanë nga e gjithë bota shprehen të tronditur. Kancelarja gjermane, Angela Merkel u shprehu ngushëllimet familjeve të viktimave dhe tha se është e tronditur "nga këto akte të reja dhe tinzare të terrorizmit." Presidenti turk, Erdogan e dënoi atentatin dhe i bëri thirrje botës për veprim të bashkuar kundër kërcënimit të terrorit. Ai e drejtoi apelin e tij sidomos nga shtetet perëndimore. "Shpresoj që atentati në aeroportin e Stambollit të jetë një pikë kthese në të gjithë botën, sidomos për shtetet perëndimore, për luftën e përbashkët kundër organizatave terroriste." Sulmi nuk iu drejtua vetëm 79 milionë turqve, por njerëzve në të gjithë globin, ka thënë Erdogan.
Disa atentatorë vetëvrasës me sulmet e tyre shkaktuan gjakderdhje në aeroportin ndërkombëtar të Stambollit, aty ku kalojnë pasagjerë ndërkombëtarë. Policët hapën zjarr, kur atentatorët u afruan në pikat e kontrollit në terminalin ndërkombëtar, bëjnë të ditur autoritetet. Tre atentatorët pastaj hodhën veten në erë. Kryeministri turk, Binali Yildirim gjatë vizitës në vendngjarje u shpreh se atentati u ka marrë jetën 36 vetënve. Ende nuk dihet nacionaliteti i viktimave.
Lëvizja e pasagjerëve në aeroport është ndërprerë. Aeroporti Atatürk ndodhet në pjesën europiane të Stambollit dhe është një qendër shumë e rëndësishme lëvizjeje për pasagjerë nga e gjithë bota.