Treni Transrapid në Mynih: punë e kryer?
26 Shtator 2007Mbi fjalën e kancelares në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara General Anzeiger e Bonit shkruan:
Me përzgjedhjen e fjalëve kancelarja gjermane Merkel bëri sonte të qartë se nuk është fjala për trysni nga ana e Gjermanisë por për përshtatjen e bashkësisë ndërkombëtare me sfidat e reja. Merkel e di mirë se kërkesa për një vend të përbashkët për Bashkimin Evropian në Këshillin e Sigurimit është thjesht një iluzion dhe se e gjitha do të përfundojë me një vend për Gjermaninë në instancën e Kombeve të Bashkuara. Kancelarja di gjithashtu se rruga deri atje është e gjatë. Xhorxh Bush duke përmendur dje në mënyrë lënduese për gjermanët vetëm Japoninë bëri të qartë se kush është i preferuari i tij. Megjithatë: nëse Gjermania arrin të ulet në tryezën e rrumbullakët të Kombeve të Bashkuara përgjegjësia e saj në botë do të rritej në mënyrë dramatike, pretendimet gjithashtu.
Për trenin e shpejtësisë së lartë Transrapid gazeta Bild komenton:
Kush blen bukë tek një bukëpjekës të cilit nuk i pëlqen buka e vet? Askush, natyrisht. Atëherë përse duhet të porosisin vende të tjera Transrapidin nëse vetë ne gjermanët nuk udhëtojmë me të? Sa mirë që më në fund gjasat duken mirë për trenin e teknologjisë së lartë në Mynih. Këtu fjala është për shumë më tepër se një lidhje të shpejtë mes aeroportit dhe qendrës së qytetit. Fjala është për një sinjal drejtuar blerësve potencialë në të gjithë botën; fjala është për një sinjal blerjeje. Projekti i Transrapidit do t'u kushtojë shtrenjtë taksapaguesve gjermanë. Por një kosto edhe më e lartë do të ishte heqja dorë nga reklama që i bëhet Gjermanisë me këtë teknologji novatore. Dhe reklama duhet të jetë bindëse, pikërisht duke e vënë vetë në punë këtë teknologji. Argumentet kundër një angazhimi financiar të shtetit janë të njëjtat me ato që u dhanë dikur për subvencionet shtetërore për Airbus-in. Por në fund ishte një gjë e mirë që shteti e bëri Airbus-in të fluturojë. Tani ai do të vërë në lëvizje edhe Transrapidin. Edhe koha nuk priste më.
Mbi të njëjtën temë citojmë nga Frankfurter Allgemeine Zeitung:
Steinbrück-u (fjala është për ministrin e financave) qëndroi sërish si një sipërmarrës i një firme funeralesh kur kryeministri bavarez Stoiber bëri të ditur 'momentin përfundimtar të kthesës' për linjën e Transrapidit në aeroportin e Mynihut. Ministri i financave Steinbrück hodhi një 'Jo' të kripur për subvencione të tjera shtetërore në plagën e hapur të çështjes së financimit. Duhet pranuar: deri në një nënshkrim kontrate me gjithë të interesuarit ish-ministri i financave Clement nuk do të kishte arritur kurrë. Por se sa vlerë ka vërtet kjo kontratë mbetet të shihet vetëm pas largimit të Stoiberit. Për kryeministrin bavarez Transrapidi është një produkt i teknologjisë së lartë me realizimin e të cilit duhet të mbetet i lidhur emri i tij. Lind pyetja nëse Stoiber ka zgjedhur objektin e duhur për të hyrë si politikan në historinë e teknikës.
Së fundi nga komentet lidhur me projektin e Transrapidit në Mynih citojmë nga Financial Times Deutschland:
'Ëndrra e Transrapidit do të bëhet e vërtetë vetëm nëse shteti mban një pjesë të re të barrës së kostove. Ky projekt pra mund të realizohet vetëm atje ku sundojnë pushtetarë: në Kinë, ndoshta një ditë në Katar por megjithë traditën monarkiste jo në Bavari. Këtë Stoiberi nuk pranon ta kuptojë. Për të hyrë në përjetësi Stoiber duhet të kish kërkuar një projekt tjetër prestigjioz, më afër tregut. Për Transrapidin nuk ka askush nevojë në Mynih. Qytetarët e Mynihut do të ishin të kënaqur edhe me një metro. Edhe konsorciumi i Transrapidit nuk ka nevojë për këtë: në fund të fundit, ekziston tashmë në Shangai një trajektore e shkurtër me sukses mesatar që shërben për t'i demonstruar tregut produktin.