1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Tregu i Krishtlindjeve në Berlin

Jefferson Chase / Elona Elezi8 Dhjetor 2012

Zakonisht nuk është një qytet i lidhur me shpirt festiv, por Berlini aktualisht ka numrin më të madh të tregjeve të Krishtlindjeve se në çdo vend tjetër të Gjermanisë. A ka në ndonjë prej tyre gjëra të mira?

https://p.dw.com/p/16xeX
Fotografi: AFP/Getty Images

Krishtlindjeve u lejohet që të jenë paksa më të zhurmshme, të shndërritshme dhe më të populluara se periudhat e tjera të vitit. Çdokush që nuk bie dakord me këtë fjali, nuk ka qenë kurrë në Alexanderplatz të Berlinit gjatë fundjavës së parë të dhjetorit. Atje, në ish-qendrën e Berlinit Lindor, do të gjeni jo vetëm një, por tre tregje Krishtlindjesh me shumëllojshmëri shijesh.

Nëse kërkoni të thithni paksa shpirt festiv në kryeqytetin gjerman, atëherë nuk duhet t´a shmangni Alexanderplatz. E nis mbrëmjen e së shtunës në pjesën perëndimore të një koncerti masiv në sheshin e qytetit, pranë Burimit Neptune, aty ku miqtë më kanë siguruar se festimet janë "goxha të kënaqshme." Dhe në fakt makinat Ferris dhe pista e vogël dhe e akullt e patinazhit janë ndriçuar me ngjyra shumë të këndshme. Stendat ku njerëzit me kapele Babagjyshi shesin për të ngrënë dhe për të pirë, nxjerrin në pah specialitetet dhe gjërat artizanale të zonës.

Nuk dua të kaloj një darkë të zakonshme, prandaj po kërkoj diçka të veçantë, ose nëse jo të veçantë, të paktën ndryshe nga e zakonshmja. Berlini vështirë se njihet si kryeqyteti i Krishtlindjeve gjermane, por me 70 tregje Krishtlindjesh, ka numrin më të madh të tyre krahasuar me çdo qytet tjetër gjerman.

Më lindi nevoja për të pasur me vete dy zonjusha për të më ndihmuar aty ku dua të jem. Nxjerr nga xhepi telefonin, formoj numrin e një miku dhe i kërkoj nëse mund të më japë fëmijët e tij për ca orë.

Vera me shije shege dhe tregu Lucia

Tregu i Krishtlindjeve Lucia në Berlin
Tregu i Krishtlindjeve Lucia në BerlinFotografi: Jochen Loch

Tre ndalesa metroje larg Alexanderplatz, në tregun e Krishtlindjeve Lucia, i cili ndodhet në distriktin Prenzlauer Berg, unë takoj shoqërueset e mia, 6-vjeçaren Lili dhe Filipën, 4 vjeç. 

Në sfond ka disa tinguj karakteristikë, që më vonë zbuloj se është muzikë skandinave Krishtlindjesh. Tregu Lucia është konceptuar për të sjellë pak aromë nordike të festës në kryeqytetin gjerman. Lucia është Perëndesha skandinave e Dritës. Aty nuk do të gjeni currywurst, "delikatesa" numër një e Berlinit.

Lucia është treg shumë i këndshëm, veçanërisht nëse keni fëmijë me vete. Ai është vendosur në ambientet e një fabrike të restauruar birre të shekullit të 19-të, e cila ofron atmosferën e duhur për një mbrëmje dhjetori. Por aty mungon vetëm diçka: mall i mirë për t´u blerë.

Shpirti i vërtetë i Krishtlindjeve

Kush është më i mirë: Jezusi apo Santa? Si episodi i parë legjendar i kartonave "South Park", Berlini i përgjigjet kësaj pyetjeve prerazi në favor të këtij të fundit. Berlinezët ulen përreth dhe këndojnë "Natë e qetë, natë e shenjtë," në mbrëmjen e datës 24 dhjetor, kur gjermanët shënojnë edhe pushimet e Krishtlindjeve. Por periudha që të çon drejt asaj date është logjika "bëj pazar deri sa të falimentosh".

Një ditë pas ekskursionit me dy vogëlushet, shkoj në Trendmafia, një treg i vogël me modën e zonës. Në ofertë është një koleksion me aksesorë shtëpiakë dhe veshje modeste. Fustanet, T-shirtet apo rrobat e tjera, këtu mund të vishen në publik, pa shkaktuar ndjenja të mëdha sikleti mes njerëzve.

Historike dhe të punuara me dorë

Pamje nga supermarketi i Punëve me Dorë
Pamje nga supermarketi i Punëve me DorëFotografi: Jefferson Chase

Në ndryshim nga Nurenmbergu me Christkindlesmarkt-in e tij të famshëm, Berlini "nuk vesh këmishë Krishlindjesh" por ka dhe ai traditat e tij. Në fundjavën e dytë të dhjetorit, Alt-Rixdorfer-Markt, vjen i kompletuar me një farkëtar dhe një çerdhe fëmijësh, çka është një nga pikat kryesore të sezonit.

Tregjet karakteristike të Berlinit janë ato që përpiqen të vendosin perspektivën e sotme në të kaluarën. E mbyll turin e fundjavës time me një gotë birre, në supermarketin e Punëve me Dorë në lagjen Kreuzberg.

Ashtu si kudo tjetër ku kam qenë përgjatë dy ditëve të fundit, tregu i Krishtlindjeve është shpresëdhënës dhe në njëfarë mënyrë ndihem vërtet i relaksuar. Apo mos ndoshta është efekti i birrës?

"Jo, është efekti i muzikës së Krishtlindjeve," shpjegon Helmut, një poçar i cili po shijon një pushim të shkurtër. "Kjo është arsyeja pse unë vij gjithmonë këtu."

Është e vërtetë. Siç kam zbuluar, Berlini ka diçka për t´i ofruar gjithkujt për Krishtlindje: një grimë paqeje dhe qetësie.