Tregti, tansport, shëtitje
Disa kanë qenë akse të rëndësishme tregtie, të tjera kanë shërbyer për demonstrimin pushtetit dhe pasurisë. Rrugët dhe bulevardet karakterizojnë qytetin. Një udhëtim në bulevardet e Republikës Federale të Gjermanisë.
"Salzstrasse" në Mynster
Emri i rrugëve tregon edhe moshën e tyre. Në Mesjetë kripa ishte një mall i çmuar, për të cilin ia vlente një transport i rëndë. Rruga e kripës, Salzstrasse, për herë të parë përmendet në shek. e 14-të. Sot ajo është një rrugë tregtare 500 metra e gjatë në zonën historike të qytetit. Në anët e saj ngrihen shtëpitë me pullazet karakteristike, gibel, dhe kisha Lambert në stilin e gotikës së vonë.
Ura "Krämerbrücke" në Erfurt
Në fakt ura "Krämerbrücke" nuk është rrugë, por për shkak të ndërtimit të vazhduehëm në të kalimtari nuk ka ndijesinë se ndodhet mbi urë. Si pjesë e rrugës mesjetare Via Regia ura "Krämerbrücke" ndodhet brenda aksit të rëndësishëm Lindje - Perëndim mes Spanjës dhe Rusisë. Sot këtij atraksioni të Erfurtit i japin gjallëri zejtarët dhe dyqanet e vogla.
Rruga "Westenhellweg" në Dortmund
Emri Hellweg, rrugica e dritave, i referohet hisotirsë së gjatë të një rruge ushtarake dhe tregtare. Që në kohën e germanëve rruga lidhte Rinin dhe Elbën. Westenhellweg në Dortmund konsiderohet si një ndër rrugët më të preferuara tregtare në Gjermani. Si edhe shumë rrugë të ngjashme në Gjermani, ajo është vetëm për këmbësorë, sepse që prej vitti 1960 në të nuk lejohet qarkullimi i makinave.
Zeil në Frankfurt
Emrin e saj rruga tregtare në Frankfurt e ka marrë në Mesjetën e vonshme. Aty ku sot gëlojnë vitrinat, dikur ishte kufiri, radha e fundit e shtëpive para mureve të qytetit. Në Zeil (radhë) ashtu si dhe në shumë rrugë të tjera madhështore të Gjermanisë në vitet e fundit janë bërë punime voluminoze rikonstruktimi. Që nga viti 2009 qendra tregtare "MyZeil" karakterizon panoramën e kësaj rruge.
Rruga "Hohe Strasse" në Këln
Disa zona këmbësorësh me kalldrëm, vritrinat dhe dritat e reklamave, e bëjnë të padukshme historinë e kësaj rruge. Por Hohe Strasse, ashtu si pothuajse gjithçka në Këln, ka një histori romake. Rënojat e aksit të vjetër rrugor Veri - Perëndim nga periudha e romakëve janë zbuluar nën rrugën e sotme tregtare.
Rruga "Königstrasse" në Shtutgart
Këtu vërtetë ka vënë dorë mbreti. Kur duka Friedrich i II në vitin 1806 u bë prej Napoleonit mbret i Vyrtembergut, ai e ktheu Shtutgartin në rezidencë. Majtas dhe djathtas sheshit të kështjellës ndodhet rruga "Königstrasse" - një shëtitore, ku nuk qarkullojnë makinat dhe ku mund t'i përkushtohesh vetëm konsumit dhe artit. Në të majtë të godinës mbretërore ndodhet që nga viti 2005 Muzeu i Arteve.
Bulevardi "Königsallee" në Dyseldorf
Të shohësh dhe të të shohin - kjo vlen veçanërisht në bulevardin "Königsallee". Emrin bulevardi e ka marrë falë një rasti nga revolucioni i vitit 1848: Asokohe mbreti prusian gjatë një vizite u prit me sharje dhe u qëllua me bajga kali. Pas dështimit të revolucionit, qyteti bulevardit që quhej "Kastanienallee" ia ndërroi emrin në "Königsallee", për ta zbutur disi monarkun e vjetër.
Rruga "Maximilianstrasse" në Mynih
Bulevardi nobël me butikë luksozë konsiderohet si rruga tregtare më e shtrenjtë në Gjermani. Me ndërtimin e kësaj rruge në mesin e shek. të 19-të mbreti Maximilian i II krijoi një monument urbanistik: Në anët e saj ngrihen godina të stileve nga neogotika deri tek rilindja. Objekt me rëndësi është opera, në foto majtas. Këtu nën mbretin Ludwig i II shfaqeshin premiera të operave të Wagner-it.
Bulevardi "Kurfürstendamm" në Berlin
Një bulevard qendror është i përshtatshëm për demonstrata. Në Kurfürstendamm, një prej rrugëve kryesore të iniciuara nga kancelari i Rajhut Bismarck, gjatë lëvizjes studentore më 1968 kishte shpesh trazira.Pas ribashkimit të Gjermanisë, për Kudamm, siç quhet shkurt, mendohej se do ta humbiste tërësisht vlerën. Por kjo nuk ndodhi, sot ai është mjaft i frekuentuar prej turistëve dhe si shëtitore.
Bulevardi "Unter den Linden" në Berlin
Ky bulevard është ndër rrugët më adhështore të Europës dhe ndër shëtitoret më të vjetra të Berlinit: Në shek. e 17-të rruga e kalorësve midis kështjellës së qytetit dhe kopështit zoologjik, u kthye në bulevard. Emrin ai e mori prej pemëve të blinit të mbjella përgjatë anëve të tij. Bulevardi 1,5 km. i gjatë mes Portës së Brandeburgut dhe ishullit të muzeve frekuentohet sot kryesisht nga turistë.
Rruga "Mönckebergstrasse" në Hamburg
Rruga madhështore e qytetit hanzeatik me një moshë rreth 100 vjeçare është ndër më të rejat në Gjermani. Ajo ka marrë emrin e kryebashkiakut Georg Mönckeberg, i cili çoi përpara punimet për restaurimin e saj dhe rinovimin e kuartierit mesjetar për të ndërtuar në hapësirën midis bashkisë (në mes të fotografisë) dhe stacionit qendror të trenit një rrugë prestigjoze tregtare.