1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW
Sport

Tokyo 2020: Me kritere të tjera, Kosova ndër të parat!

9 Gusht 2021

Përfunduan Lojërat Olimpike në Tokio, por kriteret e suksesit janë të diskutueshme. Ato promovojnë nacionalizma, mendon redaktoja e DW Sarah Wiertz.

https://p.dw.com/p/3yi21
Olympia 2020 Tokio | Team Bulgarien Rhytmische Sportgymnastik
Fotografi: Mike Blake/REUTERS

E njëjta lojë çdo herë: beteja për tabelën e medaljeve në Lojërat Olimpike - një disiplinë më vete. Në ditën e fundit të Lojërave Olimpike 2020/21, SHBA-ja kaloi Kinën në renditjen zyrtare - një medalje ari më shumë se Republika Popullore e Kinës. Por SHBA gjithsesi doli e para, bëhet fjalë për sasinë - domethënë numrin e të gjitha medaljeve - e në këtë klasifikim, ka madje shumë më tepër medalje sesa Kina. Suksesi në Lojërat Olimpike është shpesh një çështje e numërimit dhe e perspektivës së atij që numëron.

Kush i përcakton kriteret për tabelën e medaljeve?

Kjo është një luftë e padenjë që duhet të hiqet nga programi olimpik. Sepse renditja e medaljeve pasqyron vetëm rezultatin, por jo edhe vet gjenezën dhe zhvillimin e një pozicionimi të suksesshëm. Lufta për klasifikim të domosdoshëm provokon përdorimin e dopingut të kontrolluar nga shteti dhe preferon më shumë sportet individuale sesa ato ekipore. Ndërsa shtetet investojnë edhe më shumë para në disa sporte.

Po të vendosej në korelacion numri i medaljeve me numrin e banorëve dhe produktin kombëtar bruto të një vendi, atëherë do të kishim një tabelë krejt ndryshe. Në vendin e parë do të ishin Xhamajka, Bahama apo Kosova.

Tabela e medaljeve mishëron idenë olimpike të përpjekjes për performancë sa më të lartë - por vetëm në kurriz të vlerave të tjera olimpike - atë të një festivali të përbashkët sportiv për të kapërcyer egoizmat kombëtarë, për të dhënë një kontribut për paqen dhe mirëkuptimin ndërkombëtar.

DW Kommentarbild Sarah Wiertz
Sarah Wiertz

Kush përfiton nga pasqyra e medaljeve?

Por tabela e medaljeve përdoret nga disa kombe për të demonstruar fuqinë dhe forcën e tyre dhe për të qenë në gjendje të mbështesin sistemet e tyre politike me ndihmën e atletëve të suksesshëm. Medaljet festohen si një arritje me rëndësi kombëtare. Forcohen nacionalizmat, që çojnë në shpërthime politike e ndonjëherë edhe në tragjedi personale.

Ekipi kinez i përzier i pingpongut ka kërkuar falje publikisht dhe me lot në sy, për fitimin "vetëm"  të medaljes së argjendtë. "Ne e kemi dëshpëruar ekipin", tha Liu Shiwen, ndërsa Xu Xin tha: "I gjithë vendi po e shikonte këtë finale. Mendoj se ekipi kinez nuk do ta pranojë këtë rezultat."

Presioni mbi atletët kinezë për shkak të aspiratave hegjemoniste të vendit ndoshta nuk ka qenë kurrë më i madh. E barra e pritjeve me gjasë do të shtohet, vetëm rreth gjashtë muaj para fillimit të Lojërave Olimpike Dimërore 2022, të cilat do të zhvillohen në Pekin.