1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Tiranë: Top Channel qëllohet me plumba, humb jetën një roje

27 Mars 2023

Persona ende të paidentifikuar, sipas policisë në Tiranë, kanë goditur me armë zjarri në drejtim të ambienteve të Top Channel. Një roje e sigurisë ka humbur jetën.

https://p.dw.com/p/4PHfS
Tirana
Fotografi: picture alliance/dpa/dpa-Zentralbild

Policia e Shtetit në Shqipëri, në një njoftim zyrtar, në mëngjesin e të hënës, (27.03) bën me dije se "në rrethana ende të paqarta, persona të paidentifikuar kanë  qëlluar me armë zjarri në drejtim të ambienteve të Top Channel. Si pasojë e të shtënave ka humbur jetën roja i sigurisë, Pal Kola, 60 vjeç punonjës i një shoqërie për ruajtjen fizike të objekteve”

Ngjarja e rëndë ka ndodhur rreth orës 1.00 pas mesnatës. Njoftimi bën me dije që "prokuroria po heton për zbardhjen e saj, sekuestrimin e provave,  identifikimin dhe kapjen e autorëve”.

Autoritetet e larta: Të zbardhet sa më parë ngjarja kriminale

Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj u ka bërë thirrje të hënën në mëngjes organeve ligjzbatuese „të zbardhin sa më shpejt dhe me përgjegjshmërinë më të lartë këtë ngjarje kriminale", ka theksuar Begaj në median sociale.

Kryeministri Rama e cilësoi ngjarjen e rëndë si ”agresion kriminal që kërkon përgjigje të qartë nga agjencitë ligjzbatuese”. Shqipëria u rendit vitin e kaluar vendi i gjashtë në Europë për numrin e vrasjeve në vit dhe i shtati për niveln e kriminalitetit. Në përpjekje për rezultate më të mira në luftën kundër krimit, Policia e Shtetit, sekuestroi në janar të këtij viti 299 kamera të vendosura në të gjithë vendin nga banda kriminale dhe mori  nën hetim 50 persona.

Top Channel është një rrjet televiziv privat, kombëtar me seli në Tiranë, i themeluar në vitin 2001, pjesë e Top Media Group. Ai është kanali i tretë televiziv në Shqipri që ka  frekuencë kombëtare dhe prej 20 vitesh transmeton në të gjithë Evropën përmes DigitAlb, dhe Amerikën e Veriut përmes TVALB dhe Shqip TV.

 

 

Ani Ruci Korrespondente nga Tirana