Tiranë: Presidenti Begaj nis sot detyrën
25 Korrik 2022Mesazhet e tij të para si kryetar i shtetit i drejtohen bashkëpunimit mes forcave politike për të ardhmen e vendit dhe konsolidimit të shtetit ligjor..
"Nuk do të qëndroj asnjanës ndaj askujt që vendos interesat personale mbi ato të kombit” theksoi presidenti Begaj në fjalimin e tij pas betimit në Parlament.
Rruga evropiane e Shqipërisë e pakthyeshme
Në fjalën e tij ai iu referua ngjarjes historike të hapjes së negociatave të hyrjes së Shqipërisë në BE, në Bruksel, javën e kaluar (19.07).
"Shqipëria evropiane, sot premtim dhe nesër realitet, është kurora e ëndrrës më të bukur historike të popullit shqiptar. Rruga e evropiane e Shqipërisë është e pakthyeshme,” tha Presidenti i ri , Begaj.
BE dhe SHBA urojnë presidentin e ri
Presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel, e uroi Presidentin e ri Begaj, në kontekstin e fazës së re ku ka hyrë procesi i integrimit evropian të Shqipërisë.
"Me hapjen e bisedimeve të anëtarësimit, ne jemi në një moment emocionues në marrëdhëniet BE-Shqipëri. Në pritje të vazhdojmë të ecim përpara në rrugën tonë të përbashkët në BE. Së bashku ne jemi më të fortë,” theksoi ai në urimin e tij në median sociale.
Ambasadorja e SHBA, NË Tiranë, Yuri Kim, në një postim në rrjetet sociale flet për demokracinë dhe paqen.
"Mirëpresim të punojmë me Presidentin Begajpër thellimin e bashkëpunimit të fortë SHBA-Shqipëri, forcimin e demokracisë së Shqipërisë dhe mbrojtjen e paqes dhe sigurisë si aleate në NATO,” theksoi ajo.