1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Tiranë: Berisha ngre padi për shpifje kundër Antony Blinken

21 Maj 2021

Ish-kryeministri, Berisha do të hapë një proces gjyqësor, ku do të padisë për shpifje, Sekretarin Amerikan të Shtetit, Antony Blinken. Si arsye ai përmendi dinjitetin e nëpërkëmbur.

https://p.dw.com/p/3thjc
Sali Berisha
Fotografi: picture-alliance/dpa/J. Szenes

Ish-kryeministri dhe ish-presidenti i Shqipërisë, Sali Berisha, do të hapë një proces gjyqësor, ku do të padisë për shpifje, Sekretarin Amerikan të Shtetit, Antony Blinken, që të mërkurën, (19.05) e shpalli Berishën "person të padëshiruar” së bashku me familjen e tij dhe u ndaloi hyrjen në SHBA, për "përfshirje në korrupsion domethënës”.

Në një konferencë për shtyp, që Berisha dha të enjten në mbrëmje ,(20.05), ai paralajmëroi se ka udhëzuar avokatin e tij, "të ngrejë padi direkte kundër z. Blinken për shpifje publike, në një vend neutral dhe të respektuar, si Franca, në Gjykatën Korrektuese të Parisit.”

Ai tha mbrëmë se "arësyet që publikoi Sekretari i Departamentit të Shtetit, pa asnjë paralajmërim dhe në mënyrën më të papritur, më shpifëse janë vlerësime të gënjeshtërta për personalitetin e tij dhe tërësisht të panjohura prej vetë atij.”

Ish-kryeministri Berisha deklaroi se qëkur ka nisur jetën e tij politike dhe ka marrë pagën në "borderonë e shtetit nuk ka njeri në Shqipëri apo në botë që mund të thotë se  kam qenë i implikuar në një aferë të çfarëdoshme korruptive”.

Në konferencën për shtyp, Berisha foli për "dinjitetin e tij të nëpërkëmbur” që e detyron të ngrejë padi për shpifje kundër Sekretarit Amerikan të Shtetit, Blinken. Ai theksoi që "në mënyrë kategorike kjo padi nuk është një akt kundër SHBA-ve, për të cilat ushqej të njëjtat ndjenja, por ndaj një njeriu që pa rreshtuar as prova, fakte apo argumenta, ka ngritur akuza që nuk i ka ngritur askush kurrë ndaj meje, as kundërshtarët më të egër”. Gjykata Korrektuese e Parisit është gjykatë e shkallës së parë që gjykon çështje penale për veprat të klasifikuara si kundërvajtje dhe të kryera nga të rritur.

 

 

Ani Ruci Korrespondente nga Tirana