1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Tiranë: SPAK vijon të godasë korrupsionin në nivel të lartë

17 Gusht 2023

Arrestohet ish-zëvendësministri i Shëndetësisë dhe SPAK-u ka nxjerrë 8 urdhëra arresti për zyrtarë të atëhershëm të lartë të kësaj ministrie.

https://p.dw.com/p/4VIn9
Tiranë: SPAK vijon të godasë korrupsionin në nivel të lartë
Tiranë: SPAK vijon të godasë korrupsionin në nivel të lartëFotografi: Gina Sanders - Fotolia.com

Nën akuzën e prokurorëve të Strukturës së Posaҫme Anti-Korrupsion (SPAK) u arrestua ish-zëvendësministri i Shëndetësisë, Klodian Rrjepaj, për shpërdorim detyre, falsifikim dhe mashtrim në koncesionin e sterilizimit të instrumenteve kirurgjikalë në spitalet publike të Shqipërisë

Po ashtu u u arrestua edhe Ilir Rrapaj, pronar i kompanisë "Sani Service” që fitoi tenderin për koncesionin e sterilizimit.

Ky koncesion i formës Partneritet Publik-Privat (PPP) u dha në vitin 2015 nga Ministria e Shëndetësisë, dy vjet pas marrjes së mandatit të parë qeverisës nga kryeministri Rama.

Kompania koncesionare ”Sani Service” ka marrë përsipër të kryejë sterilizimin e instrumenteve kirurgjikalë.

Burime zyrtare njoftojnë se një qendër moderne sterilizimi brenda Qendrës Spitalore Universitare "Nënë Tereza” në Tiranë, e financuar nga qeveria, nuk ka funksionuar asnjëherë në këto 8 vite që nga fillimi i aktivitetit të kompanisë koncesionare e deri tani.

SPAK-u ka nxjerrë edhe 8 urdhëra të tjera arresti për zyrtarë të atëhershëm të lartë në Ministrinë e Shëndtësisë si edhe për anëtarë të komisionit të atëhershëm për miratimin e tenderave në ministrinë në fjalë.

Në njoftimin zyrtar të publikuar të enjten nga SPAK vihet në dukje që arrestimet "janë ekzekutuar nga Byroja Kombëtare e Hetimit dhe Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit”.

Kronologjia e dyshimeve për korrupsion me paratë publike

Në dhjetor 2015 Ministria e Shëndetësisë lidhi për 10 vjet një kontratë koncesionare me kompaninë "Sani Service”. Kontrata kishte një vleë prej 100 milion euro. Kontrata në fjalë do të bënte të mundur që sterilizimi i instrumenteve kirurgjikale njëpërdorimësh të mos ofrohej nga vetë spitalet publike, por në mënyrë të unifikuar nga kompania "Sani Service.”

Tre vjet pas lidhjes së kontratës dhe aktivitetit të kësaj kompanie, më 2018, rezultoi që kostoja e shërbimit për sterilizimin e personalizuar të pajisjeve kirurgjikale ishte 28,3 përqind më e madhe nga shuma e caktuar në buxhetin e shtetit të atij viti.

Në fillim të vitit 2019 një grup pune i ngritur në Ministrinë e Shëndetësisë u angazhua të rishikojë setet kirurgjikale lidhur me numrin e instrumenteve në ҫdo set dhe ҫmimin e tyre me qëllim zvogëlimin e kostove.

Dyshimet për mashtrim dhe korrupsion ndaj buxhetit të shtetit dhe taksapaguesve të Shqipërisë lindën kur në kontratën prej 100 milion eurosh merrej përsipër sterilizimi vetëm për një numër të caktuar ndërhyrjesh kirurgjikale dhe jo për të gjitha, gjë që krijonte hapësira që të rritej kosto e ndërhyrjeve kirurgjikale për buxhetin e shtetit.

Në fund të vitit 2019, pak ditë pas ngritjes së SPAK-ut, kallëzimi i parë penal kësaj strukture i erdhi nga shoqëra civile. Nisma "Thurje” kërkoi hetimin e zyrtarëve të lartë publikë në Ministrinë e Shëndetësisë lidhur me dyshime për abuzime me buxhetin e shtetit.

Tre vjet pas denoncimit dhe kthimit të nismës "Thurje” nga një lëvizje qytetare në një parti politike, afera e koncesionit të sterilizimit është në tavolinën e SPAK.

Faktet kokëforta flasin

Sipas të dhënave zyrtare të ardhurat e kompanisë koncesionare, që janë pagesa nga buxheti i shtetit, nga taksapaguesit, për periudhën 2016-2022 është 76 milionë euro dhe kompania koncesionare ka pasur një fitim prej 7,3 milione euro. Vetëm në vitin 2018 fitimi ishte 2,5 milionë euro.

Në atë vit Ministria e Shëndetësisë urdhëroi kufizimin e operacioneve duke kryer vetëm ato të domosdoshmet për të ulur kostot që nuk ishin parashikuar në buxhetin e shtetit 2018, kur nga buxheti i shtetit ju paguan kompanisë koncesionare 5 milione euro më shumë nga sa ishte parashikuar.

Ish-ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj, 2013-2017, zyrtar i lartë i Partisë Socialiste, i thirrur nga SPAK për të dhënë dëshminë e tij lidhur me koncesionin e sterilizimit të instrumentave kirurgjikalë, ka hedhur poshtë dyshimet për favorizime korruptive në kontratë.

Opozita në mbështetje të SPAK-ut

Opozita në Shqipëri, e kryesuar nga Partia Demokratike zyrtare, mbështet SPAK-un në hetimin e tij përkorrupsion dhe abuzime në koncesionin e sterilizimit të instrumenteve kirurgjikalë. Kryetari i saj Lulzim Basha, tha se "SPAK-u duhet t'i shkojë deri në fund zinxhirit të përgjegjësive që kanë shkaktuar dëme të parikuperueshme për qytetarët shqiptarë, që presin dhe meritojnë drejtësi”.

SPAK-u po vijon hetimet për të evidentuar përgjegjësitë penale edhe të personave të tjerë të cilët në kontratën koncesionare në fjalë dhe zbatimin e saj kanë kryer "veprime në kundërshtim me ligjin dhe përmbushjen e rregullt të detyrës.”

Ani Ruci Korrespondente nga Tirana