Tim Walz: bashkëgaruesi i Kamala Harris
7 Gusht 2024Tim Walz, guvernatori demokrat i Minesotës, do të jetë kandidati i demokratëve për zëvendëspresident. Kamala Harrisshkroi në Platformën X se ishte krenare që ta shpallte Tim Walz-in si kandidatin e saj për zëvendëspresident. "Si guvernator, trajner, mësues dhe veteran, ai është angazhuar për familjet e punëtorëve si për familjen e vet. Është e mrekullueshme ta kesh atë në ekip."
Walz shkroi në platformën X se është "nderi më i madh i jetës së tij" që Harris e ka zgjedhur si zëvendës dhe se ai do të angazhohet me të gjitha mundësitë.
Walz do të kandidojë së bashku me Harris kundër kandidatëve republikanë Donald Trump dhe JD Vance.
Jo mjaft i njohur, por i besueshëm
Minesota është një "shtet blu", sepse në dymbëdhjetë zgjedhjet e fundit presidenciale, aty kanë fituar gjithmonë demokratët. Partia Demokratike shpreson se Walz-i mund të bëjë për vete edhe votues jashtë Minesotës, veçanërisht në zonat rurale.
Pas shkollës së mesme Walz shërbeu në Gardën Kombëtare për 24 vjet. Më vonë ai punoi si mësues, fillimisht jashtë vendit në Kinë dhe më pas në Shtetet e Bashkuara, në shtetet e Nebraskës dhe Minesotës. Nën drejtimin e tij ekipi i futbollit të shkollës së mesme ku ai punonte fitoi për herë të parë kampionatin e Minesotës.
"Walz mund të mos jetë i njohur në mbarë vendin, por me biografinë dhe besueshmërinë e tij ai mund të tërheqë një segment të caktuar të elektoratit ," tha për DW Filippo Trevisan, politolog në Universitetin Amerikan në Uashington, D.C.
Trevisan mendon se Harris e zgjodhi Walz për të "depërtuar tek votuesit që i nevojiten në pjesët rurale të Amerikës". Walz-i e akuzon Donald Trump dhe JD Vance se ata nuk e njohin shtresën e mesme, shpjegon Trevisan, "ndëkohë që ai vetë vjen nga shtresa e mesme".