1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Ti e vret një grua në emër të nderit?

Sabine Ripperberger15 Shtator 2005

Dhuna kundër gruas është shkelje e rëndë e të drejtave të njeriut. Opinioni gjerman aktivizohet për të mbrojtur gratë emigrante nga dhuna e burrave

https://p.dw.com/p/AsHj
Pa koment
Pa komentFotografi: dpa

Dhuna kundër grave- vepër penale

Jo vetëm në Pakistan, Jordani dhe Turqi e vende të tjera myslimane, janë kryer vrasje në emër të nderit. Por vrasje të tilla kanë ndodhur edhe në vendet perëndimore, edhe në Gjermani. Madje deri para disa kohësh ato cilësoheshin si "vepra penale të varura nga mentaliteti" dhe me këtë ato penalizoheshin si vrasje në gjaknxehtësi dhe jo si vrasje të paramenduara.

Dhuna kundër gruas është në të vërtetë një akt i dënueshëm dhe një shkelje e rëndë e të drejtave të njeriut, shprehet Kai Müller nga Amnesti International. Kjo organizatë po përpiqet, që prej vitit të shkuar, përmes një fushate ndërkombëtare të tërheqë vëmendjen e opinionit publik. Motoja: "Shiko dhe vepro - ndal dhunës kundër gruas".
Edhe Ministria për familjen në Gjermani përpiqet që të sensibilizojë njerëzit. Aktualisht po përgatitet një projekt, i cili do të bëjë, që në shkallë vendi në Gjermani, të ngrihet një qendër emergjence, apo një numër telefoni i njëjtë në të gjithë vendin, ku gratë të mund të telefonojnë kur ndodhen në rrezik.

Organizata gjermane e të drejtave të gruas "Terre des Femmes" ka mjaft ekspertë për mbrojtjen e të drejtave të gruas. Prej themelimit të saj në vitin 1981, kjo organizatë është marrë me rastet e krimeve "në emër të nderit". Dhunë ndaj gruas, cilësohet sipas kësaj organizate, jo vetëm vrasja për nder, apo martesa e detyruar, por edhe gjymtimi seksual dhe dhuna familjare, të cilat në Gjermani dënohen me ligj. Christa Stolle, drejtuesja e "Terre de Femme" shprehet: Në mes të Gjermanisë janë zhvilluar shoqëri paralele patriarkale. Në emër të tolerancës dhe shoqërisë multikulturore, dhuna ndaj gruas nuk u kuptua ashtu siç duhet. Për fat të mirë, viktimat herë pas here thyejnë heshtjen e tyre dhe kthehen në aktiviste dhe mbrotjëse të grave. Serpa Çeleli është një turke, autore e librit kundër martesës së detyruar. Ajo flet nëpër shkolla për këtë temë. Apo kosovarja Hanife Gashi, vajza 16 vjeçare e së cilës u vra nga i jati, po në emër të nderit. Libri i saj "Dhimja ime mban emërin tënd" është një sinjal kundër terrorit të burrave në shumë familje emigrantësh. Hanife Gashi mbështet punën e organizates sonë Terre des Femme".

Kërkohet ashpërsimi i ligjit

Kjo organizatë kërkon nga qeveria gjermane shfuqizimin e ligjeve, të cilat u mundësojnë keqbërësve paraqitjen e rrethanave lehtësuese. Krijimi i ambienteve të mbrojtura për gratë është i nevojshëm, pasi në shumë vende shtëpitë e grave janë një gjë e rrallë. Nga ana tjetër duhet të gjenden financime për fushata që të iniciojnë ndryshimin e mentalitetit mbi gruan. Avokatja me origjinë turke, Sejran Ates, e nderuar edhe me Çmimin e Berlinit për Gruan, ngre zërin, për mungesën e vetëdijësimit në komunitetin turk për ekzistencën e një problemi të tillë. Ajo kërkon: Ne duhet të ashpërsojmë ligjin, të kontrollojmë se si vepron ai, dhe të bëjmë që ai të zbatohet. Por duhet të krijojmë edhe ligje të reja. Kërkesa ime, e mbështetur edhe nga "Terres Femmes" është që martesa e detyruar të trajtohet si një akt penal më vete dhe jo nën nenin e shtrëngimit dhe detyrimit me dhunë. Kjo do të ishte diçka më shumë se ashpërsim.

Corina Ter-Nedden nga qendra "Papatya" e cilëson si hap shumë të rëndësishëm mbrojtjen direkte të grave emigrante, që ndodhen në rrezik në Gjermani. Megjithëse Gjermania është gati në krye të listës së vendeve evropiane, përsa i përket shtëpive që ofrojnë strehë për gratë në rrezik, prapë ka mungesa në këtë drejtim. Ter-Neden thotë:

"Ne ju ofrojmë mbrojtje atyre vajzave, të cilat i ikin dhunës familjare dhe duan të kenë një adresë të fshehtë. Fillimisht, tek ne vinin vajza me origjinë turke, edhe sot ato përbëjnë grupin më të madh. Por këtu kemi vajza me prejardhje nga më të ndryshmet. Çdo vit pranojmë 60 deri në 70 vajza nga mosha 13 deri në 21 vjeç. Edhe punonjëset tona janë vetë me prejardhje të ndryshme. Këtu punojnë turke, kurde dhe gjermane. Gjithsej jemi përkujdesur për 1200 vajza të reja. Ato qëndrojnë deri në gjashtë javë tek ne. E rëndësishme për ato është që të gjejnë pastaj një perspektivë të re jete. Prej vitit të shkuar kemi instaluar edhe një linjë këshillimi përmes telefonit dhe internetit.

Ter- Nedden nga shtëpia e gruas është e mendimit, se për ndjekjen e autorëve të krimeve të tilla, pengesë bëhet edhe lehtësia me të cilën ata mund të lënë Gjermaninë. Pra autorë të tillë mund të "importohen" me lehtësi dhe të largohen po aq kollaj. Nga ana tjetër një rrezik përbën edhe fakti, se shumë nga viktimat transportohen shumë kollaj jashtë shtetit dhe mund të humbasin andej çdo lloj gjurme.

Vrasjet e ndodhura në Berlin kanë bërë që organizata të tilla të nxjerrin një mësim. Konfrontimet për të drejtën e kujdestarisë për fëmijën, mbështetur aq bukur mbi të të drejtën e fëmijës për të komunikuar më të dy prindërit mund të kthehen në rrezik jete për gratë e divorcuara për shkak të dhunës.

Edhe policia britanike në anketimet e saj, ka përcaktuar se për gratë përbëjnë një rrezik të vërtetë, pikërisht konfrontimet për të drejtën e kujdestarisë për fëmijën.

Majida Riviza, nga Komisioni për statusin e gruas në Pakistan bën fjalë për një të vërtetë tronditëse. Rreth 1500 gra dhe vajza vriten në Pakistan çdo vit për shkak të nderit. Madje për këtë mjaftojnë vetëm thashathemet dhe jo faktet. Autorët e krimit gjenden në rrethin familjar. Rivizi apelon tek organet e drejtësisë dhe policisë në mënyrë që ato të jenë më të vëmendshme ndaj problemeve të grave:

Ne duhet t'a bëjmë të qartë se kjo sjellje tradicionale është kundër fesë së tyre, kundër njeriut. E vemtja që mund të bëhet është rritja e nivelit arsimor, në mënyrë që autorëve t'u bëhet e qartë, se ajo që bëjnë ata është e papranueshme. Kjo kërkon kohë, por mendoj se përmes sensibilizimit dhe arsimit mund t'ja dalim mbanë.

Në shumë raste, vrasje të tilla mbulohen nën emrin e nderit. Por dosje të panumërta të proceseve gjyqësore nga më të ndryshmet, japin një pamje tjetër: Vrasjet në emër të nderit, kryhen shpesh me qëllim të fshehjes së akteve të tjera të dënueshme, si përdhunimi apo incesti, të cilat turpërojnë familjen. Nga ana tjetër vrasje të tilla janë shprehje e problemeve të rënda familjare, prej kohësh të pazgjidhura, si psh. sherre familjare apo probleme trashëgimie.

Gjermania aktive në mbrojtjen e gruas

Tema e dhunës kundër gruas po gjen vëmendje gjithnjë e më tepër edhe tek politikanët gjermanë. Ute Voigt sekretare shteti në Ministrinë e Brendshme pohon, se keqkuptimi i liberalizmit ka bërë që shumë vetë të shohin mënjanë në raste të tilla. Kjo ka qenë e gabuar: Është e nevojshme që të pohojmë qartë: Kultura dhe traditë është diçka që ne e respektojmë, por mbi atë qëndron dinjiteti i femrës dhe i njeriut, liria, të cilën kushtetuta jonë kërkon t'a garantojë për të gjithë. Në këtë kuptim ne jemi përpjekur që të reagojmë edhe politikisht. Këtë vit kemi arritur që të plotësojmë nenet e ligjit në rastet e shtrëngimit dhe detyrimit me dhunë. Kështu ja kemi dalë mbanë që raste të tilla të dënohen deri në pesë vjet burg, për shembull kush detyron dikë që të martohet me detyrim. Ky është një sinjal i rëndësishëm që bën të qartë, se akte të tilla penalizohen.

Edhe në konferenvën e organizuar nga fondacioni Friedrich Ebert u pohua njëzëri, se krime të tilla të shëmtuara nuk meritojnë asnjë lloj rrethane lehtësuese.