1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Thirrja nga Bjellorusia kalon përmes Turqisë

9 Nëntor 2021

Në tetor, më shumë se 5000 emigrantë, kryesisht nga Lindja e Mesme, mbërritën në Gjermani nëpërmjet Bjellorusisë. Investigimi i ARD Report München tregon: itinerari është i organizuar mirë dhe kalon përmes Turqisë.

https://p.dw.com/p/42nIQ
Emigrantë në kufirin midis Polonisë dhe Bjellorusisë
Emigrantë në kufirin midis Polonisë dhe Bjellorusisë Fotografi: Leonid Shcheglov/BELTA/AFP/Getty Images

Qendra e parë e pritjes në Eisenhüttenstadt është e rrethuar me gardhe të larta. Deri pak ditë më parë, çdo emigrant i kapur në Brandenburg sillej këtu, përfshirë Sabbah Abdoulghaffarin, 49 vjeç nga Iraku i Veriut, me familjen e tij. Ai thotë se ka shitur gjithçka në shtëpi për ëndrrën e tij për BE-në. "Ne fillimisht fluturuam për në Turqi. Vëllai im kishte organizuar gjithçka për ne. Kaluam tre ditë në Stamboll, pastaj erdhi një burrë nga agjencia e udhëtimeve dhe na çoi në aeroport për të fluturuar në Bjellorusi."

Hulumtimi çon në atdheun e Sabbahut, në Irakun verior. Nga këtu vijnë shumica e emigrantëve që aktualisht mbërrijnë në BE nëpërmjet Bjellorusisë. Në qendër të kryeqytetit të provincës Erbil është agjencia e udhëtimeve Top Travel, një pikënisje për shumë irakianë në rrugën e tyre për në BE. Punonjësi Ahkam Özet aktualisht shet kryesisht udhëtime në Bjellorusi. "Të paktën pesë klientë më telefonojnë çdo ditë, dhe kolegët e tjerë marrin gjithashtu telefonata. Ne ndoshta marrim 20 klientë në ditë, të cilët të gjithë duan të shkojnë në Bjellorusi."

Emigrantë në kufirin midis Polonisë dhe Bjellorusisë
Fotografi: Leonid Shcheglov/BELTA/AFP/Getty Images

Udhëtimi direkt është më i vështirë

Dhe të cilët pothuajse gjithmonë marrin me vete familjen e tyre. Kjo mund të shtojë deri në 500 deri në 700 udhëtarë në javë. Megjithatë, nuk ka më lidhje të drejtpërdrejta nga Iraku në Bjellorusi: nën presionin e BE, qeveria irakiane i ka ndërprerë ato. Tani rruga kryesore është përmes Turqisë fqinje, thotë Özet. "Ka edhe një rrugë nëpërmjet Iranit, por përdoret rrallë. Shumica udhëtojnë nëpërmjet Turqisë dhe marrin vizë për në Bjellorusi atje."

Gjatë intervistës, një klient hyn në dyqan. I riu kërkon të vazhdojë në Gjermani nga Bjellorusia, na thotë. "Nëse ka një mënyrë dhe kontrabandistët janë të besueshëm. Kam dëgjuar se rruga përmes Turqisë është e lirë dhe e mirë." Në fillim i mbetet vetëm të paguajë biletën e fluturimit nëpërmjet Stambollit, e cila kushton rreth 1000 euro. Më vonë, përveç shpenzimeve të hotelit, ka edhe shpenzime për viza dhe kontrabandistë në Bjellorusi. Klienti ka pyetur rreth e rrotull: ai llogarit shpenzime nga 3000 deri në 4000 euro.

Emigrantë në kufirin midis Polonisë dhe Bjellorusisë
Fotografi: Leonid Scheglov/BelTA/REUTERS

Në ikje nga varfëria, lufta dhe dhuna

Shumë irakianë shesin të gjithë pasurinë e tyre për këtë. Fjala është përhapur në mediat sociale: Bjellorusia bën të mundur udhëtimin për në BE. Sidomos të rinjtë irakianë po i përgjigjen thirrjes nga Minsku, thotë ministri i shtetit Aydin Maruf Selim. Disa prej tyre po ikin nga lufta dhe dhuna në rajon. "Por arsyeja më e rëndësishme është situata ekonomike, papunësia e lartë. Kjo është arsyeja pse kaq shumë të rinj nga Iraku dhe i gjithë rajoni duan të shkojnë jashtë."

Nga Erbili, kërkimet vazhdojnë për në metropolin turk të Stambollit. Këtu, ndërmjetësit në misionet e huaja bjelloruse në vend marrin viza për migrantët, legalisht dhe shpejt. Ne marrim një informacion nga qarqet diplomatike gjermane: aeroporti i Stambollit është tani një nga qendrat më të rëndësishme ndërkombëtare për migrimin nëpërmjet Bjellorusisë në BE. Tani ka katër fluturime direkte në ditë nga Stambolli në Minsk.

Ndihmësit në aeroport

Në sportelin e linjës ajrore bjelloruse Belavia ndodhet një grup prej të paktën 20 personash nga Iraku verior, shumë prej tyre gra dhe fëmijë. Ata duan të shkojnë në Minsk, thotë një i ri. Dhe pastaj? "Kam familje në Gjermani”, është përgjigja.

Pak metra më tutje bien në sy dy burra. Ata po përgatisin dokumentet e udhëtimit dhe vizat për kontrollin check-in me emigrantët. Pasi kontrollojnë bagazhin e çojnë grupin në kontrollin e pasaportave. Edhe atje, të dy ndihmojnë dhe presin derisa të gjithë të zhduken pas barrierës. Ne pastaj flasim me një nga burrat. Ai thotë se është student, vjen nga Iraku verior dhe ndihmon në organizimin e udhëtimeve në Bjellorusi.

Emigrantë në kufirin midis Polonisë dhe Bjellorusisë
Fotografi: Leonid Scheglov/BelTA/REUTERS

Refugjatët janë instrumentalizuar

Itinerari drejt Bjellorusisë përmes Turqisë është një mjet politik për të ushtruar presion ndaj BE, thotë Ministria Federale e Brendshme në Berlin. Ajo është krijuar artificialisht nga diktatori bjellorus Alexander Lukashenko. Por edhe presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan po e përdor situatën për qëllimet e tij. Në fund të fundit, ai kishte mundësinë të ndërhynte, tha Stephan Mayer, sekretar shtetëror në Ministrinë Federale të Brendshme. "Unë jam plotësisht i bindur se do të ishte e drejtë të ushtrohej më shumë presion ndaj Presidentit Erdogan për të reduktuar ose ndalur plotësisht fluturimet nga Stambolli në Minsk."

Por deri tani fluturimet vazhdojnë. Nga Stambolli, disa mijëra emigrantë kanë hyrë deri tani fare legalisht në Minsk. Fotot e marra në rrjetet sociale tregojnë njerëz që ende nuk kanë mundur të organizojnë udhëtimin e tyre në BE dhe që flenë në stacione e metrosë në kryeqytetin bjellorus. Ata që kanë mundësi t'i përballojnë kontrabandistët vazhdojnë udhëtimin e tyre në rrugë tokësore drejt Polonisë dhe Gjermanisë. Edhe pse ushtarët polakë po vendosin gjithnjë e më shumë gardhe me tela me gjemba në kufirin me Bjellorusinë, refugjatë të rinj po hyjnë çdo ditë në BE përmes kësaj rruge.

Emigrantë në kufirin midis Polonisë dhe Bjellorusisë
Fotografi: Leonid Shcheglov/ITAR-TASS/imago images

Policët bjellorusë ndihmuan të kalonte kufirin

Iraku Sabbah Abdoulghaffar, nga qendra e pritjes në Eisenhüttenstadt, arriti deri në Gjermani - edhe me ndihmën e policisë bjelloruse, thotë ai. "Një polic mbajti fëmijën tim të vogël dhe na treguan rrugën për në Poloni. Na thanë të ecnim ngadalë në atë drejtim pa ndezur elektrikët e dorës, përndryshe do të na kapte policia polake."

Të tjerë janë të bllokuar në zonën kufitare për ditë apo javë, pa ushqim apo kujdes të mjaftueshëm mjekësor, në të ftohtë dhe shi, në kushte çnjerëzore. Prej kohësh ata janë bërë lodra e politikës ndërkombëtare. Për fatin e tyre padyshim që aq u bënë liderëve të vendeve që ndodhen në itinerarin e ri drejt BE.

Nga Oliver Mayer-Rüth, Markus Rosch, Borhan Akid und Katharina Willinger, BR