1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Thethi dhe bukuritë e tij

Leka Plani20 Qershor 2013

Në 10 vitet e fundit, Agjensitë Gjermane për Zhvillim Ekonomik GTZ dhe GIZ, kanë dhënë mbi 500 mijë euro për zhvillimin ekonomik, përmirësimin e turizmit dhe punësimin e banorëve në këtë zonë veriore të Shqipërisë.

https://p.dw.com/p/18tQE
Fotografi: DW/L.Plani

Thethi me një sipërfaqe prej 2630 ha, shfaqet si njëri nga fshatrat më të veçanta te Alpeve shqiptare. Në pjesën me veriore të Komunës së Shalës, rreth 70 km larg nga qyteti i Shkodrës, ai është i vendosur në një gropë që arrin në lartesinë nga 740 deri në 950 m mbi nivelin e detit dhe i banueshëm në mënyrë të përhershme. Thethi ka një pozitë kyçe dhe mjaft strategjike për një zhvillim të qëndrueshëm. Përmes Qafës së Pejës, në lartësi kalon rruga që lidhë Shkodrën me Pejën dhe viset e tjera të Kosovës. Nga Qafa e Valbonës rruga të çon në Tropojë e nëpërmjet Shtegut të Dhenëve lidhet me Bogën, e nga këndej me Shkodrën. Nga ana tjetër, nga Rrethi i Vizhnës lidhet me Kelmendin dhe përmes Shkallës së Thethit lidhet me pjesën tjetër të Shalës. Një nga pikat më piktoreske në këtë mrekulli, është padyshim edhe “ Vorri i Riecit “. Nga kjo pikë vihesh përballë Okolit, Qafës së Pejës dhe në krahun e majtë ngrihet madhështore kalaja natyrore dhe Shtegu i Dhenëve.

Kur mbërrin në Theth, ajo që të befason dhe që e bën më të bukur atë është prania e pyllit. Në pjesën më të madhe të tij mbizotëron pylli i ahut, por nuk mungon edhe pisha e zezë, panja, frashëri, villi, bungu, shkoza, dellia, thana, lajthia e arra. Po kështu në këtë zonë, në një numër të konsiderueshëm ndodhen edhe shumë lloje bimësh barishtore që ia shtojnë bukuritë këtij fshati mbresëlënës. Në zonën e Thethit, një vënd të rëndësishëm zënë edhe kullotat, bimësia e të cilave është e një cilësie të lartë. Ajo përbëhet dhe ka një shtrirje mjaft të gjërë nga bimë të familjes graminore, ku nuk mungojnë as ato bishtajore dhe të familjeve të tjera të këtij lloji.

Thethi turistik dhe vlerat e tij

Në këtë zonë bimësia ka vlera të mëdha ekonomike, turistike, shëndetësore, shkencore e monumentale. Në këtë bimësi, që zoterojne elemente të florës së Europës Qendrore, mbulesa bimore zhvillohet në kater vertikale për shkak të ndryshimeve klimaterike tokësore dhe të lartësisë mbi nivelin e detit. Por ka edhe raste që për arsye të ekspozicionit të shpateve e të lagështirës, brënda një kati bimor tokësor, të takohen lloje të kateve të tjere. Me këtë spjegohet fakti se hapësira e Thethit përfshin mbi 3-4 lloje bimore endemike dhe mbi l6-l7 bimë subendemike, bimë të rralla relike etj.

Albanien Brücke Gjecaj-Theth
Ura Gjecaj nëThethFotografi: DW/L.Plani

Sot, aktualisht në Theth gjenden 70 burime uji, ku më i përmënduri është Kroni i Micanit.

Për rreth 40 vjet rrjesht, mjediset e hotelit në Theth, janë shfrytëzuar nga shumë qytetarë nga i gjithë vëndi.

Kapaciteti i sezonit veror ishte mesatarisht deri në 600 vetë dhe në dimër mbi 400, që do të thotë rreth 1 pushues për 1 banor. Lidhur me aktivitetin ekonomik, një vënd të rëndësishëm zë blegtoria, kryesisht ato të imtat, ku mbashtrimi i tyre ka gjetur kushte mjaft të përshtatshme në këtë vënd.

Hartimi i një strategjie produktive

Faktikisht promovimi i zonës dhe mbulimi i saj nga operatorë të ndryshëm kryesisht në industrinë e turizmit, nuk paraqitet ende në nivelin e duhur. Kërkesa për të pushuar në Theth është e kufizuar në turistë vëndas dhe të huaj dhe të ardhurat nga turizmi për zonën, akoma nuk janë ku mund të ishin. Në mënyrë që ky proçes të realizohej optimalisht, do të duhej që të realizoheshin më mirë disa faktorë të rëndësishëm si:

Lidhja me agjensi turistike e operatorë në zonën përreth dhe përtej kufirit si Mali i Zi, Maqedoni e Kosovë.Përmirësimi dhe mirëmbajtja e rrugës kryesore dhe atyre anësore të zonës. Rritja e kapaciteteve dhe numri i shtretërve në dizpozicion të të ardhurve gjithnjë e në rritje vit pas viti.

Ruajtja dhe mirëmbajtja e parkut nga njerëz të specializuar si dhe shtimi i hapësirës së tij. Rritja e mëtejshme kapaciteteve pritëse ndaj turistëve vendas dhe të huaj edhe gjatë stinës së dimrit, duke i shtuar në këtë stinë edhe atraktivitetin e sporteve dimërore.

Zhvillimi afatgjatë i turizmit

Ndërkohë Programi i Zhvillimit Ekonomik të Shqipërisë, GTZ, ka kryer disa aktivitete me synim studimin dhe promovimin e turizmit në zonat veriore të Shqipërisë. Nxitja e zhvillimi i një turizmi të bazuar mbi vlerësimin e potencialeve agrare, ambjentale dhe historiko-kulturtore, ka bërë që GTZ të japë ndihmesë konkrete për këtë sektor të rëndësishëm ekonomik për këtë vend që njihet si një ndër më të varfrit në këtë rajon. Janë afro 200 mijë euro që GTZ pati dhënë në formë granti si ndihmë disa familjeve për përmirësimin e turizmit dhe punësimin e banorëve në këtë zonë.

GTZ Albanien
GTZ -ShqipëriFotografi: DW

Së fundi, një projekt i financuar nga qeveria gjermane prej 310 mijë eurosh i cili po realizohet nga Korporata Gjermane e Zhvillimit, GIZ ka si objektiv kryesor zhvillimin ekonomik dhe turistik të qëndrueshëm në tërë zonën e Thethit. Është mëse e qartë se zona e Thethit me pasurinë dhe potencialin natyror mund të shndërrohet në një destinacion turistik vetëm me pjesëmarrjen e aktorëve të ndryshëm, në bazë të një planveprimi strategjik, i cili parashikon edhe investime të mëtejshme, mënyrë administrimi, promovimi etj.

Të gjitha këto bukuri të papërsëritshme të këtij fshati në zemër të Alpeve shqiptare e bëjnë Thethin që të zërë një vënd të rëndësishëm në natyrën, traditën e kulturën shqiptare. Për këtë arsye, po zbatohet projekti i Koorporatës Gjermane të Zhvillimit GIZ, që Parku i Thethit si zonë pranë kufirit të jetë pjesë e një parku ndërballkanik të quajtur “Majat e Ballkanit “, ku përfshihen territore edhe nga Gryka e Rugovës në Pejë, Plavës në Mal të Zi dhe Thethit e Valbonës në Shqipëri.