Thaçi vazhdon dëshminë në Hagë
15 Korrik 2020Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi ka vendosur të heshtë para opinionit publik lidhur me intervistimin nga prokurorët e Dhomave të Specializuara të Gjykatës Speciale për krime lufte në Hagë. Në ditën e dytë dhe të tretë të intervistimit, Thaçi, i cili dyshohet se në kohën kur ishte kreu politik i Ushhtrisë Çlirimtare të Kosovës ka bërë krime lufte, parakaloi para gazetarëve dhe disa mbështetësve të tij të mbledhur para godinës, pa thënë asnjë fjalë për opinionin publik. Por nga burimet tona në Hagë mësojmë se presidenti ka vendosur t'u përgjigjet të gjitha pyetjeve të prokurorëve. Më parë shumë të akuzuar të tjerë, ndër të cilët edhe kreu i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, ish-kryeministri Ramush Haradinaj, ish-kryetari i Parlamentit Jakup Krasniqi dhe të tjerë, janë mbrojtur në heshtje para prokurorëve. Por ka pasur edhe të tjerë të cilët kanë vendosur të paraqesin argumentet e tyre edhe para prokurorëve. Deri tani në kuadër të hetimeve janë marrë në pyetje rreth 200 persona.
Në fundt të ditës së parë të intervistimit (e hënë 13 korrik), presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi u shpreh se dita e parë ka kaluar në shpjegimin e „teknikaliteve" mes prokurorëve dhe mbrojtësi i tij Pierre Richard Prosper. Ndërsa para hyrjes në godinën e Dhomave të Specializuara të hënën tha se në Hagë ka ardhur për të respektuar atë për të cilën ka ëndërruar dhe luftuar – „një Kosovë të lirë e të pavarur, të mbështetur tek të drejtat e barabarta për këdo, një shoqëri multietnike dhe sundimi i ligjit”.
Gatishmëria për përballje me drejtësinë
Presidenti Thaçi, kreu i PDK Kadri Veseli (në kohën e luftës shef i shërbimit sekret në UÇK) dhe të tjerët janë akuzuar nga prokuroria për krime lufte, krime kundër njerëzisë, tortura dhe përndjekje të shqiptarëve, serbëve, romëve dhe të tjerëve në kohën e luftës së Kosovës dhe më pas. Thaçi, Veseli dhe të tjerët fajësohen nga prokurorët për 100 vrasje, ku janë vrarë qindra persona. Prokurorët e kanë dorëzuar aktakuzën tek gjykatësi i procedurës paraprake me 24 prill. Gjykatësi ka në dispozicion gjashtë muaj kohë për të konfirmuar apo hedhur poshtë pretendimet e prokurorit, por prokurori ka vendosur ta publikojë aktakuzën vetëm tre ditë para takimit në Shtëpinë e Bardhë (i cili është dashur të mbahet me 27 qershor), me shpjegimin se Thaçi dhe Veseli po bëjnë presion ndaj Gjykatës dhe po angazhohen në mënyrë sekrete për shuarjen e saj.
Takimi në Shtëpinë e Bardhë mes krerëve të Kosovës dhe Serbisë, i ndërmjetësuar nga ambasadori Richard Grenell është shtyrë. Ndërsa presidenti Thaçi është kthyer nga rruga për në Uashington dhe kumtoi se është i gatshëm të përballet me drejtësinë.
Gjykata Speciale për krimet e luftës së UÇK është themeluar nga Parlamenti i Kosovës, para pesë vitesh. Presidenti Thaçi isht ai që më së shumti ka insistuar në themelimin e saj, me shpjegimin se, nëse nuk themelohet nga parlamenti, do të themelohet nga KS i OKB.
Presidenti Thaç ka hedhur poshtë deri tani kërkesat për dorëheqje me fjalët se do të dorëhiqet nga posti i presidentit, në momentin kur konfirmohet aktakuza nga gjykatësit.
Dëshmia e ish-kreut politik të UÇK Hashim Thaçi para prokurorëve po vazhdon. Njëkohësisht në Bruksel ka mbërritur kryeministri i Kosovës Avdullah Hoti i cili do të takohet për herë të parë në një takim real me presidentin e Serbisë Aleksandar Vuçiq për të vazhduar dialogun e ngrirë para dy vitesh. Të dielën ata kanë pasur me ndërmjetësimin e Mirsolav Lajçak një video/konferencë.