Testi për nënshtetësinë gjermane në të gjitha landet?
14 Mars 2006Landi gjerman i Hesenit prezanton konceptin e tij shumë të diskutuar për dhënien e nënshtetësisë gjermane. Sipas këtij koncepti të huajt, që duan të bëhen gjermanë, duhet të testohen për njohuritë dhe qëndrimin, që kanë për vendin dhe vlerat morale shoqërore të tij.
Landi i Hesenit planifikon një nisëm në këshillin federal, sepse shumë nga ndryshimet bëhen të mundura vetëm po të ndërmerren në rrafsh federal. Në fillim të vitit landi i Baden Vyrtenbergut futi në procedurë plotësimin e një formulari me pyetje, ku ndër të tjera vlerësohet edhe mendimi për trajtimin e gruas.
Ministrat e landit të Baden Vyrtembergut dhe të Bavarisë janë shprehur për ashpërsimin e kritereve në dhënien e nënshtetësisë dhe unifikimin e tyre në të gjithë Gjermaninë.
Që këtë javë Hollanda e vështirëson dhënien e nënshtetësisë. Që nesër të ardhurit duhet të dokumentojnë se e dinë se ç ´i pret në Hollandë dhe në se duan t´i pranojnë normat e shoqërisë perëndimore. "Ne kemi pritur gjatë një ligj të tillë", thekson ministrja e emigracionit Rita Verdonk, duke i prezantuar kushtet për nështetësinë hollandeze homologëve të vendeve të tjera, duke shtuar se deri tani kemi vepruar në mënyrë shumë naive.
Materiali informativ përgatitor për provimet e para është përgatitur për vendet me orientim islam. Kështu me anë të librit, videos dhe CD-së shpjegohet hollësisht liria në perëndim dhe ndalimi i çdo lloj diskriminimi. Homoseksualiteti jepet si fenomen normal i shoqërisë së sotme hollandeze. Tregohen gra në plazh si kontrast me rregullat e veshjes në shtetet muslimane. Edhe informacioni se është e ndaluar prerja e organeve të jashtme gjenitale të grave, siç praktikohet në shumë vende, bën pjesë në pranimin e zakoneve dhe normave të vendit të ri të emigracionit.