1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Terézia Mora fiton Çmimin Gjerman të Librit 2013

Pandeli Pani8 Tetor 2013

Çmimin Gjerman të Librit 2013 e fitoi shkrimtarja me origjinë hungareze Terézia Mora me romanin "Përbindëshi".

https://p.dw.com/p/19vqS
Fotografi: Peter von Felbert/Luchterhand Verlag

Heroi tragjik i romanit të saj i solli fat shkrimtares Terézia Mora. Për romanin e saj 700-faqësh "Përbindëshi" (Das Ungeheuer) ajo u nderua me Çmimin Gjerman të Librit 2013.

Me romanin e saj ""Përbindëshi" ajo vazhdon atje ku qe ndalur me romanin e mëparshëm "Njeriu i vetëm në kontinent". Sërish në qendër të vëmendjes është specialisti i kompjuterëve Darius Kopp.

Në romanin "Njeriu i vetëm në kontinent" specialisti i shëndoshë i kompjuterave Darius Kopp kishte njohur në Berlin kamerieren e qeshur hungareze Florën. Ajo e ndihmoi të dilte nga kriza e papunësisë dhe në fund u bë edhe bashkëshortja e tij. Tani në romanin "Përbindësh" Darius Koppit, i cili është bërë ndërkohë alkoolik, i duhet të përballet edhe me vetëvrasjen e së shoqes.

Buchcover Terézia Mora: Der einzige Mann auf dem Kontinent (Luchterhand)

Ai shkon që të ndjekë gjurmët e gruas së tij të vdekur në Hungari. Flora e cila vuante nga depresionet ka vrarë veten, dhe tani i shoqi është duke kërkuar një vend për të varrosur urnën me hirin e së vdekurës. Pas vdekjes Darius Kopp gjen edhe ditarin e Florës ku zbulon afera, keqtrajtime e vetmi. Një botë aspak e këndshme. I shokuar ai niset për në Hungari, ku ka lindur dhe është rritur gruaja e tij dhe kërkon atje përgjigje për kujtimet e saj.

Autorja 42-vjeçare ka shrkuar një "roman thellësisht prekës që diagnostikon kohën tonë" vlerësoi juria. Terézia Mora bashkon me njëri-tjetrin dy forma teksti në "një formë të lartë vetëdijeje letrare me ndjeshmëri."

Schriftstellerin Terézia Mora
Terézia MoraFotografi: DW

Romane për familjen dhe raportet në familje

Nga 200 libra juria shtatë anëtarëshe kishte përzgjedhur këtë vit 20 libra nga autorë të mirë, por jo dhe tepër të njohur. Në gjashtë romanet e përzgjedhura në garën finale dominonin romane me temë familjen dhe raportet në familje. Duket se jeta private, personale po zë një vend gjithnjë e më të rëndësishëm në letërsi.

Imazhi i librit në gjuhën gjermane

Çmimi Gjerman i Librit është i ngjashëm me çmimet e tjera ndërkombëtare si ai francez Prix Goncourt dhe britanik Booker Prize. Qëllimi është që të rritet në rrafshin ndërkombëtar imazhi i librit në gjuhën gjermane. Çmimi Gjerman i Librit ndahet tradicionalisht prej vitit 2005 në prag të Panairit të Librit në Frankfurt dhe shoqërohet me 37.500 euro.

Vitin e kaluar me Çmimin Gjerman të Librit u nderua Ursula Krechel me romanin e saj "Landgericht". Në roman tregohet për një gjyqtar hebre, i cili pas arratisjes së tij nga Gjermania naziste kthehet sërish në vendlindje.