1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Terrorizmi i krahut të djathtë nga perspektiva e migrantëve në Gjermani

23 Nëntor 2011

Pas serisë së vrasjes neonaziste, migrantët në Gjermani kërkojnë masa parandaluese dhe rivendosjen e besimit tek autoritetet shtetërore.

https://p.dw.com/p/13FS0
Një grua me shami në kokë kalon para një gruaje të re me flamurin e NPD-së.
Fotografi: picture alliance / dpa

Shumë emigrantë në Gjermani janë të mendimit se autoritetet dhe shoqëria për vite me radhë nuk e kanë njohur siç duhet rrezikun nga e djathta. Kostas Dimitriou, kryetar i Federatës së Komuniteteve greke në Gjermani, shprehet:

"Sidomos në vitet e fundit është investuar shumë më tepër në mbrojtjen nga rreziqet e terrorizmit islamik dhe terrorizmit nga skena e majtë. Kështu për fat të keq është minimizuar rreziku nga e ekstremizmi i djathtë."

Ish deputetja socialdemokrate në parlamentin gjerman, Lale Akgün, është e mendimit se politika e kishte zbutur problemin në të kaluarën: "... për të mos u futur rregullisht në rrjedhën e ujërave të politikës së djathtë."

E dhjathta populiste nuk përbën problem serioz në Gjermani

Opinioni botëror ka vëzhguar nga afër partitë e krahut të djathtë dhe sjelljen e organeve zyrtare kundrejt këtyre rrymave në Gjermani, për shkak të kaluarës së saj naziste. Megjithatë, ky problem në Gjermani është relativisht i vogël.

Politikania socialdemokrate Lale Akgün
Politikania socialdemokrate Lale AkgünFotografi: dpa

"Po ta imagjinoni se sipas parashikimeve po të kishte tani zgjedhje në Francë, Jean-Marie Le Pen do të mirrte 18 për qind të votave ndërkohë që në Gjermani partitë e krahut të djathtë nuk arrijnë të kalojnë asnjëherë pesë për qind, atëherë ju mund ta imagjinoni se problemi në Gjermani në fakt është më i vogël se në vende të tjera, dhe për këtë arsye besoj unë është përpjekur që ai të zbutet edhe më shumë", sqaron Lale Akgün.

Nuk duhen reduktuar masat kundër ekstremizmit të djathtë

Akgün dhe Dimitriou janë të një mendimi: tendencave të djathta mund t'iu kundërvihet vetëm përmes masave parandaluese. Dimitriou mendon se qeveria federale dhe qeveritë e landeve kanë gabuar kur kanë vendosur që të pakësojnë të hollat për masat e tilla kundër ekstremizmit të djathtë. Në vend të tyre janë shpenzuar të holla për luftimin e ekstremizmit të majtë dhe islamik. Kostas Dimitriou shpreson që tani pas zbulimit të serisë së vrasjeve neonaziste, qendrat vendimarrëse do të mendojnë ndryshe:

"Kjo do të thotë që të investohet më shumë për masat parandaluese në shkolla dhe në shoqëri."

Të rinj në një lagje të Duisburgut - Sipas një studimi paragjykimet ndaj të huajve janë mjaft të përhapura në mesin e të rinjve në Gjermani.
Sipas një studimi paragjykimet ndaj të huajve janë mjaft të përhapura në mesin e të rinjve në Gjermani.Fotografi: AP

Sqarim më i mirë për brezat e rinj

Ndërsa Lale Akgün mbështet gjithashtu masat parandaluese por kërkon që të ketë sqarime më të mira për gjeneratat e reja.

"Fëmijët duhet të sqarohen mirë, ne duhet të sigurohemi që këto grupe të mos ngacmojnë fëmijët", kërkon Akgün. Të rinjëve duhet tu tregohet se përmes ngacmimit nuk mund të zgjidhin problemet e tyre.

"Kjo do të thotë se jo vetëm në shkolla por edhe me të rinjët e papunë, me të rinjët të cilët jetojnë në lagjet me probleme më të mëdha sociale, të punohet në mënyrë që ata mos të bien viktimë e këtyre grupeve." - thotë Akgün.

Moszbulimi i serisë së varsjeve për kaq shumë vite ka të bëjë me mosbesimin ndaj institucioneve shtetërore, beson Akgün: "Tani politika duhet të bëjë gjithçka për të siguruar transparencë. Në këtë nënkuptohet edhe sqarimi se sa kanë qenë të përfshira institucionet e shtetit - që do të thotë organi për mbrojtjen e Kushtetutës, autoritetet e landeve për mbrojtjen kushtetuese. Në këtë mënyrë do të ruhej apo edhe pjesërisht të rikthehej besimi i qytetarëve dhe emigrantëve, por edhe i mbarë botës në institucionet e shtetit gjerman."

Autor: Mirjana Dikic / Esat Ahmeti

Redaktoi: E. Xhani