Terrori i djathtë: „NSU jeton“
6 Nëntor 2021Dy burra, një grua. Uwe Mundlos, Uwe Böhnhardt dhe Beate Zschäpe. Treshja. Trembëdhjetë vjet rresht ata vrisnin në ilegalitet. Bomba, Vjedhje. Në mbarë Gjermaninë, Askush nuk i ndali ata. Asnjë polic. Asnjë shërbim sekret.
Seria e vrasjeve është e pashembullt në Gjermani. Nëntë vetë vdesin. Të ekzekutuar në vendet e tyre të punës. Në një dyqan lulesh. Në një kioskë. Ose në një rrobaqepësi. Të ekzekutuar në mes të ditës. Sepse ishin migrantë. Treshja vret edhe një police.
Mundlos, Böhnhardt dhe Zschäpe janë të vetquajtur „Ilegaliteti Nacionalsocialist". "Vepra në vend të fjalëve" është motoja e tyre: Vrasje dhe vjedhje në vend të fjalimeve të gjata. Ata vijnë nga Jena në landin e Tyringjisë. Qëllimi i tyre: me krimet raciste ata duan t'u ngjallin frikë emigrantëve në Gjermani dhe në fund t'i dëbojnë nga vendi.
Vrasje pas vjedhjes në një bankë
Më 4 nëntor 2011 merr fund NSU zyrtarisht. Uwe Mundlos dhe Uwe Böhnhardt kryejnë vetëvrasje në qytetin Eisenach në Tyringji. Policia i përndjek ata pas vjedhjes në një bankë. Pasi Beate Zschäpe mëson për vdekjen e shokëve të saj, ajo i vë zjarrin banesës së përbashkët. Si akt të fundit të të vetquajturës „Ilegaliteti Nacionalsocialist" ajo dërgon një video të terroristëve, që marrin përsipër veprimet e kryera. Katër ditë më pas ajo dorëzohet vet në polici.
Vetëzbulimi i terroristëve në Gjermani më 2011 shkakton një tërmet politik. Sepse dhjetë vjet resht hetuesit dhe mediat shprehnin dyshime lidhur me rastet nën hetim, po ashtu edhe familjet e viktimave. Një sërë punonjësish në pozicione drejtuese në autoritetet e sigurisë shkarkohen nga detyrat. Komisionet hetimore parlamentare synojnë zbardhjen e dështimit të shtetit. Më 2018 Beate Zschäpe dënohet me burgim të përjetshëm për vrasje. Katër mbështetës të saj dënohen me kusht. Që nga ajo kohë NSU është mbuluar nga heshtja.
Por "NSU jeton", thotë Mehmet Daimagüler. Ai është avokat. Në procesin kundër Zschäpes ai mbronte viktimat e NSU. "Rrjeti i NSU-së është një rrjet, që ekziston edhe sot. Nëse e sheh strukturën, has vazhdimisht tek të njëjtat emra, tek të njëjtat organizata, prej të cilave ndërkohë disa ndonëse janë ndaluar, njerëzit e tyre ende janë aktivë". Sipas avokatit Mehmet Daimagüler: "Për aq kohë sa viktimat e ekstremizmit të djathtë nuk konsiderohen si pjesë e shoqërisë, nuk ka ndonjë presion shoqëror, për t'u marrë me këtë çështje."
Legjenda për treshen
Sipas versionit zyrtar të drejtësisë, NSU përbëhej nga treshja Mundlos, Böhnhardt, Zschäpe. Ata janë mbështetur nga „një rreth i kufizuar me pak mbështetës dhe ndihmës", kështu është prononcuar prokuroria federale në akutakuzën kundër Zschäpes.
Terroristët vetë në një video e paraqisnin veten që kanë vepruar si një treshe. Qysh në fillim në film thuhet: "NSU është një rrjet shokësh me parimin: vepra në vend të fjalëve."
Pas vetëdeklarimit autoritetet, gazetarët dhe grupet investigative antifashiste hasin në gjithnjë e më shumë lidhje të treshes me skenën e ekstremizmit të djathtë. Një sërë burrash e grashë e kanë ndihmuar treshen në ilegalitet me pasaporta të falsifikuara apo me dhënien e apartamenteve me qira.
Procesi i dytë NSU-së ndaj Andre E.
Ndihmësi i terroristëve André E. dhe gruaja e tij Susann e kanë vizituar rregullisht treshen ilegale. Përveç kësaj autoritetet hetimore kanë gjetur në rrënojat e apartamentit të djegur prova të shumta mbi krimet. Këto prova tregojnë, se vrasësist i kishin përgatitur vrasjet intensivisht dhe i kishin studiuar në avancë vendet e krimit.
Skena e djathtë hesht
Martina Renner merret me NSU qëkurse ky rrjet u vetdeklarua. Ajo ka qenë në komisionin parlamentar hetimor si përfaqësuese e partisë E Majta. Qëllimi i komisionit parlamentar ishte të zbardhte dështimin e shtetit. Gjatë punës në komision ajo ka intervistuar shumë dëshmitarë, ekspertë dhe personat e prekur. "Ka shumë gjasa, që skena lokale ka bashkëvepruar për aktet e krimeve të kryera nga treshja NSU. E mbështetësit e këtij rrjeti janë ende aktivë."
Zbardhja është e vështirë. Sepse mjedisi përreth hesht. E kjo heshtje është e suksesshme. Në opinionin publik është ngulitur imazhi i treshes së vrasësve, Që drejtësia këtë imazh madje e ka mbështetur Martina Renner e konsideron si objeksion: "Që NSU reduktohet në një celulë, kjo i përgjigjet motivit qendror, se si trajtohet ekstremizmi i djathtë në Gjermani. Sepse kur zgjedh tezën e një dorasi të vetëm, nuk duhet të pyesësh për struktura."
Rritje alarmante e dhunës së djathtë
Se sa të rrezikshme janë strukturat e djathta në Gjermani, këtë e dëshmojnë shifrat aktuale të autoriteteve të sigurisë. Shërbimi i brendshëm sekret vlerëson, se numri i ekstremistëve të djathtë që nga vetëdeklarimi i NSU-së më 2011 është rritur në mënyrë alarmante me 50 përqind në mbi 33.000 persona. Edhe numri i akteve penale dhe dhunës ekstremiste në të njëjtën periudhë kohore është rritur me 40 përqind.
Kancelarja ende në detyrë Angela Merkel më 2012 gjatë një ceremonie përkujtimore për të vrarët nga NSU premtoi, se shteti duhet të veprojë kundër terrorit të djathtë: „Sepse duhet që të bëhet gjithçka brenda mundësive të shtetit tonë ligjor, nëmënyrë që të mos përsëriten kurrë më raste të tilla", tha Merkel.
Që nga ajo kohë në Hanau u vranë nëntë migrantë nga një ekstremist i djathtë, në Mynih një ekstremist i djathtë vrau nëntë vetë, në Halle u vranë dy persona nga një ekstremist i djathtë dhe në Kassel po ashtu një ekstremist i djathtë vrau politikanin kristiandemokrat Walter Lübcke.
Vendet përkujtimore për viktimat e NSU-së herë pas here dëmtohen prej ekstremistëve të djathtë. Avokati Mehmet Daimagüler prej vitesh jeton nën presionin e kërcënimeve me vrasje. Dorasit e quajnë veten "NSU 2.0" . As sot dhjetë vjet pas vetëdeklarimit të NSU-së terrori i djathtë në Gjermani nuk ka marrë fund.