Instrumentalizimi i një amoku
10 Prill 2018Thonë se frika nuk është udhëzuese e mirë. Ndoshta është kjo arsyeja pse është kaq e lehtë të bëhet politika duke përdorur frikën. Sidomos me frikën nga sulmet terroriste. Incidenti tragjik në Mynster të Gjermanisë (gjerm. : Münster) tregon se edhe vetëvrasja tragjike me viktima të tjera e një të sëmuri mendërisht – së paku kaq dihet deri tani – po instrumentalizohet për qëllime politike. Edhe pse në këtë rast nuk kemi të bëjmë me një sulm terrorist.
Fillimisht duhet thënë se për të afërmit e dy personave që mori me vete Jens R. me amokun e tij me minibusin e kampimit nuk ka dallim në i humbën të dashurit e tyre në një aksident rrugor apo nga një atentat a një vepër e një vetëvrasësi.
Politizimi krijon vëmendje
Por, megjithëse kjo ngjarje është shumë e hidhur, nëse duam t'i japim asaj një dimension politik e ta vendosim kësisoj në qendër të vëmendjes së opinionit, ekziston një dallim, nëse pas saj ka qenë një program politik a një grup terrorist që kërkonte të tërhiqte vëmendjen me anë të titujve të lajmeve për ideologjinë e shtrembër të tij. Në rast atentati, sistemi politik kalon në programin e krizës. Policia dhe forcat e sigurimit shihen me sy kritik. U vjen ora atyre që kërkojnë më shumë financim për forcat e sigurisë, ligje më të rrepta dhe më shumë kompetenca. Shpesh edhe ora për ata që dyshojnë në mënyrë përgjithësuese te të gjithë pjesëtarët e një grupi të caktuar të popullsisë, si për shembull te të huajt apo myslimanët.
Kur dikush qëllimisht i vërsulet me automjet një grupi këmbësorësh, deri këtë fundjavë nuk ishte çudi që njerëzit mendonin se ishte një sulm islamist. Së paku kështu na kishin mësuar përvojat e hidhura të sulmeve në Nicë, në korrik 2016, në Berlin, në dhjetor 2016 dhe në Londër, në prill të vitit 2017.
Kjo ndodhi edhe të shtunën. Gazeta e përditshme gjermane "Rheinische Post" në orën 16:15 doli me një artikull online me titull "Atentat në Mynster - tre të vdekur" duke qenë kështu një nga mediat e para që hyri në raportim. Vetëm 5 minuta më përpara, agjencia gjermane e lajmeve, DPA, pati paralajmëruar se do të bënte një kronikë për amokun, por ajo erdhi në orën 16:29. Kronika ishte e matur dhe aty nuk përmendej as fjala terrorist e as atentat.
Ritualet e praktikuara të politikës
Politika menjëherë dhe mjerisht nisi ritualet e njohura. Presidenti, kancelarja, disa ministra morën fjalën, deklaruan tronditjen dhe pezmin e tyre - në një moment kur thuajse nuk dihej asgjë për autorin e veprës. Një incidenti automobilistik, me të njëjtin numër viktimash nuk do t'i kushtohej kaq vëmendje.
Deputetja e partisë së djathtë populiste, AFD, Beatrix von Storch, menjëherë kaloi në fajësime dhe qysh në orën 16:39 dërgoi një mesazh në Twitter duke thënë se këtë mund ta ketë bërë vetëm një imigrant dhe se fajin e ka kancelarja Angela Merkel me politikën ndaj refugjatëve.
Pastaj, pak para orës 19:00 shumë njerëz u shprehën të lehtësuar kur u mësua se nuk ishte një imigrant islamist radikal ai që e drejtoi automjetin e tij drejt turmës, por një gjerman 48-vjeçar me të meta psikike dhe pa ndonjë lidhje të dukshme me grupimet ekstremiste, fetare ose politike.
ARD paralajmëron emision special, pastaj e anulon
Një emision special i paralajmëruar për të shtunën në mbrëmje nga ARD (televizioni i parë publik gjerman) anulohet. Por pa i korrigjuar njoftimet e mëparshme.
Sidoqoftë, diskutimi politik nuk mbaron këtu – dhe sigurisht as instrumentalizimi politik i dramës. Sidomos spikat presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan: duke bërë aluzion të qartë për Mynsterin, Erdogani sulmoi me fjalë homologun e tij francez, Emmanuel Macron: " E shihni pra, se ç'po bëjnë terroristët në Gjermani? Kështu ka për të ndodhur edhe në Francë përsa kohë që Perëndimi u jep terren këtyre terroristëve", tha kreu i shtetit turk të shtunën. Sfondi i këtij sulmi me fjalë ishte takimi që kish patur më parë Macron me përfaqësuesit e milicisë kurde, YPG. Dhe: Të shtunën, kurdët kishin demonstruar në Mynster kundër luftës së Turqisë në Sirinë Veriore. Për Ankaranë fajin për këtë incident e kishin "të dyshuarit e zakonshëm": kurdët.
Por edhe në Gjermani u ndez menjëherë debati. Edhe pasi u bë e qartë se vepra e Mynsterit nuk kishte sfond terrorist, deputetja e AFD-së, von Storch, vazhdon yshtjen e saj nëpër mesazhet e Twiterit dhe foli për një "imitues të terrorit islamik". Replikat e zemëruara dhe nganjëherë të helmatisura midis AfD-së dhe kundërshtarëve të saj po kalojnë në raundin tjetër.
Përkundrazi, kryetari i Këshillit Qendror të Myslimanëve del me një mesazh në Twitter duke u futur vetë në rolin e viktimës. Aiman Mazyek ankohet për "standardet e dyfishta" kur bëhet fjalë për terroristët. Kur janë autorë gjermanët, përshkruhen si me të meta mendore, kur janë myslimanë, si terroristë. Atij i kundërvihen një numër i madh mesazhesh që i kujtojnë se edhe terrori i së djathtës është cilësuar si "terror".
Më së miri u sollën vetë mynsteranet dhe mynsteranët. Ata ruajtën qetësinë, ngushëlluan dhe ndihmuan. Por ngjarja ka lënë prapëseprapë një shije se emocionet që kanë të bëjnë me terrorin dhe frikën janë forca që shumë njerëz përpiqen t'i mobilizojnë për qëllimet e tyre.