Tendosjet e Bjellorusisë me BE
29 Shkurt 2012Në shenjë proteste për shkak të sanksioneve të fundit të Bashkimit Evropian ndaj Bjellorusisë, presidenti i këtij vendi Alexander Lukashenko ka kërkuar që nga Minsku të largohet ambasadori i Polonisë dhe përfaqësuesi i Bashkimit Evropian në këtë vend. Menjëherë kanë reaguar edhe vendet tjera të Bashkimit Evropian dhe kanë tërhequr ambasadorët e tyre. "Aksionet kundër Polonisë janë aksione edhe kundër Gjermanisë", theksoi ministri i Jashtëm gjerman Guido Westerwelle në Bruksel.
Diktatura e fundit
"Kjo është diktatura e fundit dhe diktatori i fundit në Evropë. Ne nuk do të frikësohemi nga aksionet e këtilla kundër institucioneve evropiane apo kundër shteteve anëtare të Bashkimit Evropian. Ne nuk do të ndahemi dhe përçahemi. Këtu kemi të bëjmë me një rast kur diktatura tregon me gisht dhe bën përpjekje të na përçajë", deklaroi Westerwelle.
Kryetari i Parlamentit Evropian Martin Schultz theksoi se vendimi i Bjellorusisë dhe presidentit Lukashenko që të tërheqë ambasadorët e vet nga Varshava dhe Brukseli, paraqesin një "akt armiqësor". "Jam thellë i dëshpëruar për shkak të këtij vendimi jo të balancuar, të panevojshëm dhe kontraproduktiv", theksoi Schulz. Qeveria në Minsk ka vendosur të tërheqë ambasadorët e vet nga Brukseli dhe Varshava për shkak të sanksioneve të reja të BE-së kundër këtij vendi. BE ka vendosur të martën që të mos u jepen vizat 19 përfaqësuesve të gjykatave dhe policisë bjelloruse, me shpjegimin se ata janë përgjegjës për arrestimin e përfaqësuesve të opozitës në këtë vend. Shumë vende të BE-së menjëherë kanë vendosur të thërrasin ambasadorët e tyre për konsultime. Ndër vendet që kanë vendosur të tërheqin ambasadorët e tyre janë edhe Gjermania dhe Franca.
Akuzat dhe kundërakuzat
Minsku ka akuzuar këto vende se me tërheqjen e ambasadorëve është përcaktuar për "ashpërsimin e tensioneve", bëri të ditur zëdhënësi i ministrisë së Jashtme Andrej Savinih. "Kjo rrugë qon në çorsokak. Brukseli dhe qendrat tjera evropiane nuk duhet të harrojnë se Minsku nuk frikësohet. Raportet nuk mund të normalizohen me akte të njëamashme dhune", tha ai.
Autor: Agjencitë e lajmeve / Bahri Cani
Redaktoi: Esat Ahmeti