Suksesi i papritur në shitjet e armëve në SHBA
7 Janar 2013Refleksi u kthye siç pritej në këtë kohë të varfër me lajme. Pjesë të shumta të medias njoftuan të shqetësuara, se pas masakrës së Newtown-it numri i verifikimeve të parashikuara para blerjes së armëve të zjarrit në SHBA është ngjitur në dhjetor në një vlerë rekord. Me të vërtetë FBI-ja regjistroi muajin e kaluar gati 2,8 milionë të ashtuquajtur background checks, rreth 50 për qind më shumë sesa në dhjetor 2011. E saktë është gjithashtu që në vitin 2012 janë kërkuar më shumë backgound checks të tilla sesa asnjëherë më parë.
Mirëpo po të merresh më në hollësi me të dhënat e FBI-së, konstaton që prej 2002-it numri i background checks është rritur çdo vit. Kjo do të thotë: Prej një dekade çdo vit ka qenë vit rekord për background checks. Po ashtu është fakt i njohur prej kohësh që dhjetori është tradicionalisht muaji me xhiron më të madhe për shitje armësh. Me përjashtim të viteve 2007 dhe 2009 statistikat e dhjetorit regjistrojnë një numër më të madh kërkesash (background check) sesa në të njëjtin muaj një vit më parë.
Frikë dhe protestë
"Rritja e shitjeve të armëve pas vrasjeve në gjendje amoku në shkollën në Connecticut nuk është surprizë", thotë në Courtland Robert Spitzer, profesor për politikë në State University të Nju-Jorkut dhe autor i veprës themelvënëse "The Politics of Gun Control". "Ne e vrojtojmë këtë fenomen pas zgjedhjeve, për shembull si formë proteste kundër zgjedhjes së Obamës në 2008-n dhe rizgjedhjes së tij në vjeshtë si dhe shtënies me armë zjarri. Ai nxitet nga frika se mos kufizohet qasja te armët e zjarrit dhe është gjithashtu protestë politike e zotëruesve të armëve të zjarrit të cilët janë kundër çdo lloj ashpërsimi të ligjeve."
Më shumë armë në më pak familje
Dhe çështja bëhet më e ndërlikuar: Vërtet shitjet armëve të zjarrit rriten vazhdimisht, por sipas disa studimeve numri i familjeve me armë po bie prej vitesh. Edhe numri i vrasjeve dhe krimeve, të cilat kryhen me armë zjarri, bie prej vitesh. Me sa duket amerikanët blejnë gjithnjë e më shumë armë, në të njëjtën kohë një numër familjesh që sa vjen e bie zotërojnë armë dhe dhuna me armë bie në përgjithësi.
Regjistrimi kombëtar i armëve dhe ashpërsime të tjera të ligjeve për armët do të ishin gati të pazbatueshme, pasi shumica dërrmuese e amrikanëve (edhe pas vrasjeve në gjendje amoku) e mbështet të drejtën e sanksionuar në kushtetutë për të mbajtur armë zjarri. Fakti që ndërkohë shumica e armëve të zjarrit në SHBA shiten nga rrjeti më i madh i supermarketeve, Walmart, bën ndoshta më së miri të qartë se me gjithë debatet dhe statistikat armët e zjarrit janë thjesht pjesë e së ashtuquajturës „American way of life“.