1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Teleskopi i hapësirës "Kepler" zbulon një planet të ngjashëm me Tokën

Angjelina Verbica/dpa, afp18 Prill 2014

Eshtë zbuluar një planet, 490 vite dritë larg, që është gati po aq i madh sa Toka dhe që mund të ketë ujë. Astronomët amerikanë me zbulimet e tyre të fundit zgjojnë përsëri ëndrrat për jetën jashtëtokësore.

https://p.dw.com/p/1Bkg8
Fotografi: picture-alliance/dpa

Astronomët pohojnë se kanë zbuluar për herë të parë një planet me madhësinë e tokës në "zonën e banueshme" afër një ylli qendror. Uji në këtë botë të largët mund të jetë i lëngshëm, pohojnë studiuesit përreth shkencëtares Elisa Quintana nga Instituti amerikan Seti për revistën "Science". Uji i lëngshëm konsiderohet si predispozita kryesore për jetën, siç e njohim ne. Dëshmi të ujit apo edhe jetes, studiuesit nuk kanë zbuluar në planetin e largët.

Distanca e duhur për ujë të lëngët

Planeti me përmasat e tokës me numër katalogu Kepler-186f, është pjesë e një sistemi diellor afro 490 vite drite larg dhe është më i skajshmi prej pesë planetëve, që është parë nga teleskopi i hapësirës "Kepler" të institutit të hapësirës Nasa. Sipas këtyre të dhënave Kepler-186f ka një diametër rreth dhjetë përqind më të madh se toka. "Ky është planeti i parë në dimensione të qarta sa të tokës, që është gjetur "në zonën e banuar" të një ylli tjetër", tha Quintana. Sie "habitable Zone" konsiderohet ajo zonë rreth një ylli qëndror, ku nuk është as shumë ftohtë dhe as shumë ngrohtë për të patur ujë të lëngët.

Sipas institutit Seti nga rreth 1800 planetët jashtëdiellorë të zbuluar deri tani, rreth 20 rrotullohen në zonën e banueshme të yllit të tyre qendror. Por të gjithë këto janë dukshëm më të mëdhenj se toka, kështu që nuk mund të thuhet qartë, nëse bëhet fjalë për planetë shkëmborë si Toka, Marsi dhe Venusi, apo për planetë me përbërje gazi si Neptuni dhe Urani.

Modelet e krijimit të planetëve tregojnë se planetet me një diametër prej më pak se 1,5-fishi i Tokës nuk krijojnë me sa duket një mbulesë të ngjeshur gazi prej hidrogjeni dhe heliumi si gjigandët e gazit në sistemin tonë, shpjegoi shkencëtari Thomas Barclay nga Nasa. "Kështu që ndoshta Kepler-186f është një planet shkëmbor dhe i ngjan në këtë drejtim, Venusit, Tokës dhe Marsit."

Dështim teknik - vazhdon vlerësimi i të dhënave

Gjuetari i planetëve "Kepler" u dërgua në orbitën e tokës në vitin 2009. Ai ishte në kërkim për planetëve ekstrasolarë (eksoplanetëve), të cilët të parë nga Toka kalojnë rastësisht pikërisht para yllit të tyre qendror duke e errësuar atë rregullisht. Me ndihmën e këtyre oshilacionve të vogla karakteristike, teleskopi i hapësirës ka gjetur rreth 3800 të dhëna për planetë të largët, nga të cilat rreth 1000 janë vërtetuar deri tani.

Që kur një pjesë e kontrollit satelitor vitin e kaluar pësoi avari, programi i monitorimit është ndërprerë. Nasa është duke punuar në një metodë alternative për stabilizimin e teleskopit. Sasia e madhe e të dhënave pavarësisht nga kjo do t'i angazhojë astronomët për një kohë të gjatë ...