1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW
PolitikëMaqedonia e Veriut

Talat Xhaferi zgjidhet kryeministër i Qeverisë Teknike

28 Janar 2024

Deputetët e Parlamentit të Maqedonisë së Veriut me 65 vota “pro” dhe tre “kundër” votuan Qeverinë teknike të kryesuar nga Talat Xhaferi. Deputetët e VMRO-DPMNE-së abstenuan në votimin për qeverinë teknike.

https://p.dw.com/p/4blrd
Qeveria e re nen Talat Xhaferin
Qeveria e re nen Talat XhaferinFotografi: Petr Stojanovski/DW

Talat Xhaferi është zgjedhur kryeministër i Qeverisë teknike të Maqedonisë së Veriut, duke u bërë shqiptari i parë që do të mbajë këtë post në këtë shtet. Xhaferi prezantoi programin e punës së Qeverisë, e cila do të ketë mandat prej 100 ditësh, për organizimin dhe mbarëvajtjen e zgjedhjeve parlamentare të caktuara për 8 maj.

"Prioritet i parë do të jetë organizimi i zgjedhjeve parlamentare dhe presidenciale në mënyrë të rregullt dhe demokratike. Unë këtë detyrë dhe besimin e dhënë do ta kryej me përgjegjësi, ashtu siç kam vepruar edhe me sfidat tjera që ishin para meje. Për asnjë moment nuk do të lëshoj pe nga ajo që nënkupton Qeveri efikase, funksionale dhe përgjegjëse”, ka deklaruar Xhaferi. Sipas tij Qeveria teknike do të mbetet e fokusuar në agjendën evropiane dhe zhvillimin ekonomik të vendit, rritjen e pagave dhe pensioneve, uljen e çmimeve të produkteve ushqimore dhe uljen e inflacionit.

"Qeveria do të mbetet e përkushtuar në planin për rritje ekonomike që është pjesë e planit për zgjerimin e Bashkimit Evropian. Lufta kundër ekonomisë joformale nuk do të ndalet. Do të jemi transparent në punën tonë dhe me financat publike”, është shprehur Xhaferi.

VMRO-DPMNE: Vendi po udhëhiqet nga dezertorët

Partia opozitare maqedonase VMRO-DPMNE i cilësoi si "dezertorë” Xhaferin dhe ish-kryeministrin Dimitar Kovaçevski. Deputeti i VMRO-së Antonio Milloshoski ka thënë se qytetarët e Maqedonisë së Veriut "nuk duhet të kenë asnjë pritje nga Talat Xhaferi, ashtu siç nuk patën as nga Dimitar Kovaçevski”.

"Një dezertor iku, një tjetër dezertor po vjen. As ai që u ngrit nga kolltuku dhe as ky që do të ulet në të nuk kanë ndjenja të sinqerta ndaj Maqedonisë, prandaj si edhe Kovaçevski që ishte kryeministri më i keq deri tani, mos prisni që Talat XHaferi të jetë më i mirë dhe të punojë për shtet të suksesshëm dhe të përparuar”, ka deklaruar Milloshoski.

Talat Xhaferi
Fotografi: Petr Stojanovski/DW

Ahmeti: Mos kini frikë nga barazia e popujve

Kryetari i BDI-së Ali Ahmeti ka thënë se maqedonasit nuk duhet të kenë frikë nga "barazia e popujve” që garantohet me Marrëveshjen e Ohrit. Maqedonia e Veriut  tani është shtëpi e përbashkët e të gjitha bashkësive etnike që jetojnë në të.

"Varet nga të gjithë ne nëse këtë shtet do ta çojmë përpara apo do ta kthejmë pas. Unë punoj për interesat e këtij shteti”, ka thënë Ahmeti.

Opozita kundër Xhaferrit për kryeministër

Kundër zgjedhjes së Talat Xhaferit për kryeministër është shprehur edhe opozita shqiptare e bashkuar në Lidhjen Evropiane për Ndryshim.

 "Talat Xhaferi është zgjedhja më e keqe që ka mundur të ofrojë BDI-ja. Pas 20 vjetësh në Qeveri, BDI-së në pozita të larta i kanë mbetur njerëzit më të korruptuar dhe njerëzit që më së shumti i kanë bërë dëm çështjes shqiptare”, ka deklaruar Bilall Kasami, përfaqësues i Lidhjes Evropiane për Ndryshim.

Për deputetin  e Lëvizjes "Populli", Skënder Rexhepi nuk ka qenë e lehtë të thyhet tabuja etnike në vend.

"Ky nuk është një sukses i veçantë i një partie politike, por është i gjithë deputetëve shqiptarë në Maqedoni”, tha Rexhepi.

Deputeti i Social Demokratëve, Darko Kaevski ka thënë se partia e tij duke e vendosur interesin e shtetit në rradhë të parë, e mbështet qeverinë teknike.

"Nuk do të lejojmë VMRO-DPMNE të hedhi njollë mbi procesin zgjedhor dhe fitoren e dyfishtë të frontit proevropian në zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare”, është shpreh Kaevski.

Deputeti i Lidhjes Demokratike Pavle Trajanov, ka akuzuar partinë shqiptare BDI për nacionalizëm me zgjedhjen e Talat Xhaferit si kryeministër të vendit.

"Qeveria teknike nuk do të ketë mbështetjen time, pasi një qeveri e tillë nuk është e rëndësishme më për vendin. BDI-së dua t'i them se triumfalizmi për zgjedhjen Xhaferit kryeministër është nacionalizëm klasik”, vlerësoi Trajanov.