Bashkë për klimën: Takimi Xi-Biden dhe dilema e Gjermanisë
15 Nëntor 2023Pak orë para takimit mes presidentit amerikan, Joe Biden dhe atij kinez, X Jinping të dyja vendet kanë siguruar bashkëpunim të ngushtë kundër ngrohjes globale. Në një deklaratë të përbashkët ata e quajnë krizën e klimës si "një nga sfidat më të rëndësishme të kohës sonë". Ata deklaruan, se duan ta kthejnë në sukses samitin e klimës COP28 në Dubai në fund të nëntorit, të dyja vendet pranojnë objektivat e Marrëveshjes së Parisit 2015.
Presidenti i SHBA Joe Biden dhe presidenti i Kinës Xi Jinping takohen në Kaliforni për të stabilizuar marrëdhëniet e tensionuara mes dy vendeve. Takimi do të zhvillohet në kuadër të Samitit të Bashkëpunimit Ekonomik Azi-Paqësor (Apec).
Biden dhe Xi nuk janë takuar më personalisht që nga samiti i G20 në Bali, të Indonezisë, para një viti. Pala amerikane tha se qëllimi i bisedës, e cila pritet të zgjasë disa orë, është formësimi me përgjegjësi i konkurrencës midis dy vendeve si dhe krijimi i kanaleve të sigurta të komunikimit për të shmangur zhytjen në ndonjë konflikt.
Prej kohësh shumë të tensionuara
Marrëdhëniet midis dy ekonomive më të mëdha të botës janë prej kohësh shumë të tensionuara. Një konflikt tregtar, akuza për spiunazh, tensionet rreth Tajvanit dhe qëndrimi i Kinës në luftën e Ukrainës e kanë çuar marrëdhëniet mes tyre në një pikë të ulët. Megjithatë muajt e fundit të dyja palët janë përpjekur të ringjallin komunikimin me njëra-tjetrën. Takimit të presidentëve u kanë paraprirë takime të shumta mes zyrtarëve të lartë dhe anëtarëve të qeverive të të dyja vendeve përpara.
Sipas ekspertëve pritshmëritë ndërkombëtare për takimin Biden Xi Jinping janë mjaft modeste. Politologu nga Berlini, Hanns Maull, ekspert i çështjeve të rendit ndërkombëtar, tha në një intervistë për DW se rifillimi i bisedimeve mes Pekinit dhe Uashingtonit duhet të kishte ndodhur prej kohësh. Gjithësesi sipas tij nuk mund të thuhet, nëse samiti do të ketë sukses për sqarimin e çështjeve serioze të konfliktit që janë shkaktarët e tensioneve midis Kinës dhe SHBA-së. Maull thotë se shumica e vëzhguesve kanë dyshime për këtë.
Akt balancues - strategjia ndaj Kinës
Tensionet mes Uashingtonit dhe Pekinit e vënë Berlinin në një situatë të vështirë: sepse nga njëra anë e konfliktit është SHBA-ja, aleati dhe furnizuesi më i rëndësishëm i Gjermanisë për sigurinë, në anën tjetër është partneri më i madh tregtar i Gjermanisë, Kina.
Për t'u përgatitur për këtë akt balancues, në mes të korrikut qeveria federale miratoi pas diskutimesh të gjata një strategji për Kinën. "Kina ka ndryshuar – kjo dhe vendimet politike të Kinës e bëjnë të nevojshme ndryshimin e mënyrës sesi të sillemi me Kinën”, thuhet pikërisht në fillim të strategjisë, e cila e përshkruan Kinën si një partner, konkurrent dhe rival strategjik në të njëjtën kohë. Një pjesë thelbësore e strategjisë është reduktimi i varësisë gjermane nga Kina nën fjalën kyçe të mosrrezikimit. Kompanitë gjermane duhet të përfshihen gjithnjë e më shumë në vende dhe rajone të tjera në mënyrë që të përhapin dhe të zvogëlojnë rreziqet.