Takim vendimtar në Bruksel
27 Shkurt 2023Ka disa ditë që takimi i paralajmëruar në Bruksel mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit serb, Aleksandar Vuҫiq, me ndërmjetësimin e kreut të diplomacisë evropiane, Josep Borrell është në fokus të vëmendjes së bashkësisë ndërkombëtare. Pritshmëritë e bashkësisë ndërkombëtare, e cila ka javë që i ka shtuar ecejaket diplomatike janë të mëdha. Të hënën bashkësia ndërkombëtare pret që Vuҫiqi dhe Kurti në Bruksel të pranojnë zyrtarisht propozimin e BE. Kjo do të hapte rrugë të re në dinamikën e normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë që do të rezultonte në marrëveshjet finale në muajt në vijim.
Në këtë dinamikë të re do të përfshihej edhe zotimi i Prishtinës për themelimin e Asociacionit. Se sa rëndësi i kushtohet këtij takimi, kjo vihet re edhe në letrën e përbashkët që tre liderët e shteteve më të fuqishme të Bashkimit Evropian, Kancelari gjerman Olaf Scholz, Presidenti i Francës Emanuel Macron dhe Kryeministrja e Italisë, Giorgina Meloni, i kanë dërguar Kryeministrit Kurti, një ditë para se ai të takohet në Bruksel me Presidentin e Serbisë, Aleksadar Vuҫiq nën ndërmjetësimin e shefit të diplomacisë evropiane Josep Borrell.
Scholz, Macron Meloni kujtojnë obligimin për themelimin e Asociacionit
Tre liderët evropianë e kanë mirëpritur deklarimin e kryeministrit të Kosovës Albin Kurti, se plani i BE-së për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, është bazë e mirë për bisedimet e mëtejshme. "Presidenti Macron, Kancelari Scholz dhe Kryeministrja Meloni janë shprehur të bindur se konkludimi dhe zbatimi i propozimit Evropian është me rëndësi thelbësore për përfitimin e përgjithshëm të qytetarëve të Republikës së Kosovës, për paqen dhe zhvillimin prosperues të rajonit dhe për përparimin e perspektives evropiane të vendit”, thuhet në letrën që publikoi zyra e kryeministrit Kurti.
Scholz, Macron dhe Meloni i rikujtojnë kryeministrit kosovar obligimin për themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, marrëveshje kjo e arritur ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në vitin 2013 dhe e rikonfirmuar në vitin 2015. "Në konkluzionet e tij të datës 9 mars, Këshilli Evropian shprehu mbështetjen e tij për këtë marrëveshje të rëndësishme dhe në të njëjtën kohë i kërkoi Serbisë dhe Kosovës t'i përmbahen, plotësisht dhe pa kushte, detyrimeve që u angazhuan në kuadër të dialogut, përfshirë marrëveshjet nga viti 2013 dhe 2015 për të krijuar Asocacionin e Komunave me Shumicë serbe”, thuhet në letrën e përbashkët të Scholz, Macron dhe Meloni, dërguar kryeministrit Kurti.
Pritshmëritë e SHBA
Propozimi i BE-së për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, i njohur në publik si plani franko-gjerman është thënë se shërben si rrugë drejt marrëveshjes finale mes dy vendeve. Kosova dhe Serbia e kanë pranuar planin, por ai nuk është prezantuar asnjëherë zyrtarisht në publik. Pjesë të këtij plani kohë pas kohe, kanë publikuar mediet dhe aty nuk përmendet në mënyrë specifike njohja e Kosovës nga Serbia. Por parashihen të drejta të barabarta për Kosovën dhe Serbinë, respektim i integritetit territorial, paprekshmëri e kufijve, njohje e simboleve shtetërore dhe një aranzhim i veçantë për komunitetin serb në Kosovë. Ky plan është mbështetur edhe nga SHBA.
Edhe Shtetet e Bashkuara presin progres në takimin e së hënës ndërmjet kryeministrit Kurti dhe Presidentit Vuҫiq, takim ky që po cilësohet vendimtar për rrjedhën e marrëdhënieve Kosovë-Serbi. Këshilltari i lartë i Departamentit Amerikan të Shtetit, Derek Chollet, zhvilloi të dielën një bisedë telefonike me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ku tha se “Shtetet e Bashkuara e mbështesin plotësisht propozimin e Bashkimit Evropian për normalizim të marrëdhënieve në mes të Prishtinës dhe Beogradit”. Chollet përmes Twitter shkroi se ka i thënë Vuçiqit se pret që takimi i 27 shkurtit me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti në Bruksel të jetë konstruktiv dhe me përparim të dukshëm drejt marrëveshjes finale.
Chollet kërkon avancim për Asociacionin
Chollet ka folur edhe për nevojën e zbatimit të marrëveshjeve të nënshkruara në të kaluarën, në kuadër të dialogut, përfshirë edhe atë për themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe në Kosovë. Këshilltari i lartë i Departamentit Amerikan të Shtetit, Derek Chollet, një ditë më parë pati një bisedë telefonike edhe me kryeministrin e Kosovës Albin Kurti, nga i cili ka kërkuar avancim në normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës. "SHBA-të mbështesin një takim konstruktiv që afirmon përkushtimin e të dyja palëve ndaj propozimit të BE-së”, tha Chollet. "I thashë se tani është koha për të diskutuar për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe. Si Kosova ashtu edhe Serbia duhet të zbatojnë marrëveshjet që kanë nënshkruar tashmë përmes procesit të dialogut, duke përfshirë përparimin drejt themelimit të Asoacionit”, shkroi Chollet në Twitter.
Lidhur me bisedën telefonike, zyra e kryeministrit Kurti njoftoi se "gjatë kësaj bisede, kryeministri konfirmoi qëndrimin e tij për propozimin evropian si bazë të mirë për bisedimet e mëtutjeshme drejt normalizimit të marrëdhënieve. Për marrëdhënie normale, evropiane e të fqinjësisë së mirë kryeministri Kurti theksoi që përveç njohjes reciproke në qendër të marrëveshjes duhet t'i konsiderojmë edhe të drejtat e pakicave kombëtare”, u tha në njoftimin e qeverisë.
Kryeministri Kurti thotë se Kosova do të jetë parimore në dialog me Serbinë. "Në raport me Serbinë kemi marrë pjesë në takimet e bisedimeve në Bruksel sa herë që jemi ftuar, kemi mirëpritur emisarët specialë nga perëndimi sa herë që kanë ardhur, kemi qenë edhe do të jemi të përkushtuar parimor, konstruktiv e kreativ. Dialogu në Bruksel, është për normalizim të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, është dialog për statusin e marrëdhënieve, statusi aktual i marrëdhënieve nuk është normal e status normal është ai i fqinjësisë së mirë. Pra njohje reciproke si thelb dhe reciprociteti si princip”, tha kryeministri Kurti në një takim me strukturat e partisë së tij Vetëvendosje.
Kritika nga opozita
Dy partitë kryesore opozitare në Kosovë PDK dhe LDK e kanë kritikuar kryeministrin Kurti për keqmenaxhim të dialogut me Serbinë. Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, shkroi se "takimi i së hënës në Bruksel ndërmjet Kurtit dhe Vuçiqit, nuk do të sjellë marrëveshje finale gjithëpërfshirëse ndërmjet Kosovës dhe Serbisë me njohjen e ndërsjellë në qendër”. "Pra, takimi i së hënës është takim për Asociacionin e jo për njohje. Sepse qeveria me paaftësinë e saj e ka degraduar dialogun nga arritja e qëllimit të marrëveshjes finale me njohje në qendër, në marrëveshje kalimtare me Asociacionin në qendër", shkroi Memli Krasniqi.
Edhe kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka thënë se "çdo devijim nga një marrëveshje përfundimtare me Serbinë që në thelb ka njohjen është përgjegjësi e pariparueshme e qeverisë aktuale. "Qëndrimi i LDK-së për procesin e dialogut është që duhet të ketë marrëveshje përfundimtare që në thelb ka njohjen e ndërsjellë ndërmjet dy vendeve. Marrëveshja duhet të jetë ligjërisht e ndërkombëtarisht e obligueshme dhe duhet të përmbajë aktin kur Serbia e njeh Kosovën, dhe kur Kosova ndërsjell e njeh Serbinë. Çdo devijim nga ky orientim strategjik është përgjegjësi e pariparueshme e Qeverisë aktuale”, ka thënë kryetari i LDK-së Abdixhiku.
Nga ana tjetër edhe një pjesë e partive opozitare në Serbi, kanë kritikuar ashpër presidentin e Serbisë duke thënë se propozimi i BE-së për përmirësim të marrëdhënieve me Kosovën nënkupton njohje të Kosovës. Ata kanë akuzuar presidentin serb Aleksandar Vuçiq për dështim në proces. Presidenti Vuҫiq nga ana e tij, ka thënë se “mosnjohja e Kosovës dhe mospajtimi me anëtarësimin e saj në Kombet e Bashkuara janë çështje të padiskutueshme për Beogradin”. E nga ana tjetër, diplomatët perëndimorë të angazhuar drejtpërdrejt në dialogun Kosovë-Serbi u kanë bërë me dije të dyja palëve edhe Kurtit edhe Vuҫiqit se refuzimi i propozimit evropian, nënkupton përballje me sanksione për të dyja vendet.