Sërish tërmet i fuqishëm ujor në Indonezi
29 Mars 2005Nata e kaluar ishte shumë e rëndë për miliona njerëz që jetojnë në ishujt e Oqeanit Indian. Të gjitha qeveritë kishin bërë thirrje që njerëzit të largoheshin sa më parë nga zonat detare. Në Indi, Sri Lanka dhe Indonezi policia filloi me evakuimin e banorëve. Mijërë njerëz e kaluan natën në rrugë, si ky peshkatar nga qyteti indian Madras:
"Dëgjuam në lajme se do të ketë një tërmet të rëndë pranë Indonezisë dhe se duhet të kemi shumë kujdes. Por nuk kemi frikë. Gjatë muajve të kaluar ka pasur shpesh lajme të tilla alarmuese."
Por në zonat ku ndodhi Tsunami përpara disa muajsh, njerëzit kishin frikë. Sidomos në rajonin e Nagapattinam, në Indi dhe në zonat lindore të Sri Lankës, ku vitin e kaluar Tsunami shkaktoi dëme të jashtëzakonshme, njerëzit u larguan shumë shpejt.
Ndërkohë në ishujt Andaman dhe Nikobar të Indisë, banorët u treguan shumë të qetë, ndonesë aty vitin e kaluar Tsunami shkaktoi vdekjen e mbi 7000 njerëzve. Drejtori për informacionin e grupit të ishujve Andaman dhe Nikobar, Kuldeep Singh Ganger shpjegon:
"Gjendja këtu është shumë normale. Gjatë darkës ndjemë disa tronditje të lehta por nuk pati Tsunami. Jeta vazhdon në mënyrë normale dhe deri tani nuk kemi pasur asnjë dëm."
Gjatë orëve të para të mëngjesit, rreth 4 deri 5 orë pas tërmetit në Indonezi, zyrat përkatëse u bënë thirrje njerëzve të kthehen në shtëpitë e tyre pasi rreziku kish kaluar. Ministri i brendshëm indian Shivraj Patil:
"Jo të gjitha tërmetet ujore mund të kthehen në Tsunamis. Por tërmeti i 26 dhjetorit ka lënë tek ne një kujtim shumë të hidhur. Ne duhet të marrim masa sigurie për çdo rast."
Por ndryshe nga India, në Sri Lanka nuk ekziston asnjë mundësi për të mbledhur informacione shkencore lidhur me tërmete të tilla. Sri Lanka u alarmua nga SHBA-s. Menjëherë pas informacioneve të amerikanëve, qeveria urdhëroi evakuimin e menjëhershëm të zonave detare, tregon ministri i jashtëm Lakshman Kadirgamar:
"Ushtria, policia dhe administrata u informuan menjëherë. Njerëzit u informuan nëpërmejt televizionit dhe radios mbi rrezikun e mundshëm të një Tsunami tjetër. Ne u bëmë thirrje atyre që të largohen menjëherë nga shtëpitë e tyre. Më mirë të merren të gjitha masat, pa rëndësi nëse ndodh me të vërtetë një Tsunami apo jo."
Njerëzit në Sri Lanka nuk i kanë harruar pasojat e tsunamit të dhjetorit. Mbi 40.000 njerëz humbën jetën nga kjo katastrofë në Sri Lanka. Rindërtimi i mijëra shtëpive të shkatërruara sapo ka filluar.