Sulm me gaz dhe bombardime - logjika e luftës në Siri
12 Prill 2018Një "reagim të fortë të përbashkët" bënë të ditur presidenti amerikna, Donald Trump dhe homologu i tij francez, Emmanuel Macron si reagim ndaj sulmit të dyshuar me gaz nervor në Duman siriane, ku humbën jetën të paktën 150 vetë, e 1000 të tjerë u plagosën. Regjimi i Asadit e mohon me vendosmëri se e ka kryer një sulm të tillë. Vetëm një ditë më vonë u sulmua aeroporti ushtarak, Taifour (T4) në provincën e Homsit, ku humbën jetën 14 vetë. Për autorin e sulmit spekulohet. Ishte kjo rastësi apo "reagimi i fortë" që bënë të ditur Trump dhe Macron? Presidenti amerikan, Donald Trump është shprehur, se kërkon të vendosë shpejt për përgjigjen amerikane.
Ndërkohë mediat siriane kanë fajësuar SHBA se është përgjegjëse për sulmin në Siri. Por Pentagoni e hodhi poshtë këtë. "Aktualisht Ministria e Mbrojtjes nuk po kryen bombardime në Siri." Vetëm pak më vonë, Rusia shpalli një përgjegjës të mundshëm në lojë. Sulmi ka ardhur nga forcat ushtarake izraelite. Dy avionë izraelitë F15 kanë goditur nga hapësira libaneze me tetë raketa aerportin, bëri të ditur Ministria e Mbrojtjes, sipas agjencive Tass dhe Inferfax.
Sulm me gaz - verifikimi punë e lodhshme hetimi
Nëse ka një lidhje mes sulmit ndaj aeroportit dhe atij me gaz nervor nuk dihet. Vendosja e zinxhirit të kauzalitetit është problematike, sepse fillimisht duhet të vërtetohet sulmi me gaz nervor. Këtë detyrë e ka marrë përsipër Organizata për Ndalimin e Përdorimit të Armëve Kimike, OPCW. Por gjetja e provave për sulm me gaz është një ndërmarrje komplekse dhe e mundimshme.
Megjithatë rëndësi ka fillimi i hetimeve të menjëhershme, sepse shumë elementë në gazrat helmues shpërbëhen shpejt, shkruan eksperti për terrorizmin, Dan Kaszeta në faqen e rrjetit investigativ, "bellingcat". Përbërësit ose avullojnë shpejt, ose përzihen me elementë të tjerë. Gazi Sarin i përdorur disa herë në luftën në Siri, ka cilësinë të avullojë më shpejt se uji. Kjo e bën shumë të vështirë identifikimin. Sarin dallon kështu nga gazi tjetër nervor, VX, që avullon shumë ngadalë dhe kështu mund të identifikohet më mirë.
Megjithatë hetuesit kanë shpresa, sepse ka shanse që disa përbërës të mos kenë avulluar. Disa përbërës gjenden të përthithur në tokë, në materiale të përdorura, apo në veshjet e viktimave, duke rezistuar kështu më gjatë. Njohuritë për proceset e avullimit të gazrave u japin ekspertëve mundësi të vazhdojnë hetimet: Kështu disa lloj gazrash shndërrohen në lëndë të tjera, prej të cilave mund të gjesh origjinën e gazit. Po ashtu për shkak se gazrat nervorë përbëhen nga disa elementë, mund të gjendet gazi i përdorur edhe nga analiza e kombinimit të gjurmëve të mbetura, nënvizon Kaszeta.
Ndërkombëtarizimi i mëtejshëm i luftës
Pak pas sulmit në Duma, edhe Turqia fajësoi regjimin e Asadit se ka përdorur gaz. Kjo nuk përjashtohet. Por kundër kësaj flet, që regjimi i ka mundur në masë të madhe rebelët, dhe bisedimet për tërheqjen e tyre gati janë mbyllur. Në këto kushte një sulm me gaz nervor do të ishte një provokim i panevojshëm.
Por i mundshëm është edhe një skenar tjetër: Lufta në Siri ka disa muaj që ka hyrë në një fazë të re. "Ajo po bëhet gjithnjë e më problematike, sepse rregullisht po futen nivele të reja konflikti", thotë Bente Scheller, drejtuese e Zyrës së Bejrutit të fondacionit Heinrich-Böll-Stiftung. "Aktualisht po ndërhyjnë shumë aktorët rajonalë, Irani, Turqia, Izraeli." Në këto kushte, regjimi i Asadit mund të synojë që përmes një sulmi me gaz të përshpejtojë tërheqjen e tyre. Në negociatat e ardhshme, Asadi ka një pozicion më të mirë, sa më të mëdha të jenë fitoret ushtarake.
Nuk përjashtohet Izraeli si sulmues
E njëjta arsye - ndërkombëtarizimi i mëtejshëm i luftës, - të bën që të duket logjike, që edhe Izraeli të mund të jetë përgjegjës për sulmin ndaj aeroportit Taifour. Kjo po të kujtosh, se ushtria izraelite ka pranuar më shumë se 100 bombardime në terrenin sirian. Izraeli është i alarmuar për shkak të forcimit të prezencës së Iranit dhe Hizbollahëve të lidhur me të. Ka fakte që disa luftëtarë të Hizbollahut janë parë në afërsi të kufirit izraelit.Në radion izraelite, Radio 103, ish-komandanti i aviacionit ushtarak izraelit, Ben Eliyahu ka thënë, se të flet shumë, që Izraeli është vendi që qëndron pas sulmit. "Të vetmit që mund ta sulmojnë Sirinë nga ajri janë amerikanët dhe izraelitët", citon Jeruzalem Post bisedën në radio.
Eliyahu është shprehur edhe për sfondin e një sulmi të tillë, në rast se është kryer nga izraelitët. "Izraeli ka qëllimin që të bllokojë Iranin të vendoset në Siri." Kështu sulmi është paralajmërim tjetër ndaj regjimit sirian. Nëse i lejon Iranit shumë hapësirë në territorin e tij, kjo mund të sjellë tensione me Izraelin. Lufta në Siri po përhapet gjithnjë e më shumë.