Sulm kundër rebelëve huthi në Jemen
12 Janar 2024Sulmi ushtarak ndaj rebelëve huthi, të cilët mbështeten nga Irani, ishte "përgjigje e drejtpërdrejtë ndaj sulmeve të paprecedentë të rebelëve huthi" ndaj anijeve ndërkombëtare në Detin e Kuq, tha presidenti amerikan Joe Biden në një deklaratë me shkrim. Ai nuk do të hezitojë të urdhërojë masa të mëtejshme nëse është e nevojshme. Për shkak të sulmeve ajrore ndaj rebelëve huthi Rusia ka kërkuar një mbledhje të posaçme të Këshillit të Sigurimit të OKB-së.
Që nga shpërthimi i luftës midis Izraelit dhe militantëve islamikë Hamas në Rripin e Gazës, rebelët huthi kanë sulmuar vazhdimisht në Detin e Kuq anije tregtare që kalonin Kanalit të Suezit dhe të cilat mendohej se kishin lidhje me Izraelin. Kompanitë e mëdha të transportit po e shmangin gjithnjë e më shumë këtë rrugë. Huthit gjithashtu e sulmojnë vazhdimisht drejtpërdrejt Izraelin me dronë dhe raketa. Hamasi konsiderohet si organizatë terroriste nga Izraeli, Gjermania, BE, SHBA dhe shtete të tjera.
Goditje ushtarake e qëllimshme
Përveç SHBA-së dhe Britanisë së Madhe në sulmin ushtarak morën pjesë edhe Australia, Bahreini, Kanadaja dhe Holanda, tha një zyrtar i qeverisë amerikane në Uashington.
Sulmet u përqendruan ndaj atyre pozicioneve që kanë për rebelët rëndësi të veçantë për sulmet e tyre ndaj anijeve tregtare - sepse ata kanë aty raketa, radarë ose drone. Qëllimi i sulmit ishte dobësimi i rebelëve huti dhe jo përshkallëzimi i situatës, theksoi ai, duke shtuar se sulmet e rebelëve ndaj anijeve ndërkombëtare janë pa bazë dhe të paligjshme.
DW (dpa, afp)