1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Sulm kundër rebelëve huthi në Jemen

12 Janar 2024

SHBA dhe Britania e Madhe sulmuan me mbështetjen e vendeve aleate pozicionet ushtarake të rebelëve huthi në Jemen.

https://p.dw.com/p/4bBuw
Jemen | SHBA dhe Britania e Madhe sulmuan pozicionet ushtarake të rebelëve huthi
SHBA dhe Britania e Madhe sulmuan pozicionet ushtarake të rebelëve huthi në Jemen. Fotografi: US Central Command via X/REUTERS

Sulmi ushtarak ndaj rebelëve huthi, të cilët mbështeten nga Irani, ishte "përgjigje e drejtpërdrejtë ndaj sulmeve të paprecedentë të rebelëve huthi" ndaj anijeve ndërkombëtare në Detin e Kuq, tha presidenti amerikan Joe Biden në një deklaratë me shkrim. Ai nuk do të hezitojë të urdhërojë masa të mëtejshme nëse është e nevojshme. Për shkak të sulmeve ajrore ndaj rebelëve huthi Rusia ka kërkuar një mbledhje të posaçme të Këshillit të Sigurimit të OKB-së.

Sulmi i rebelëve huthi ndaj një anijeje tregtare në Detin e Kuq
Sulmi i rebelëve huthi ndaj një anijeje tregtare në Detin e Kuq Fotografi: Houthi Military Media Center/picture alliance/dpa

Që nga shpërthimi i luftës midis Izraelit dhe militantëve islamikë Hamas në Rripin e Gazës, rebelët huthi kanë sulmuar vazhdimisht në Detin e Kuq anije tregtare që kalonin Kanalit të Suezit dhe të cilat mendohej se kishin lidhje me Izraelin. Kompanitë e mëdha të transportit po e shmangin gjithnjë e më shumë këtë rrugë. Huthit gjithashtu e sulmojnë vazhdimisht drejtpërdrejt Izraelin me dronë dhe raketa. Hamasi konsiderohet si organizatë terroriste nga Izraeli, Gjermania, BE, SHBA dhe shtete të tjera.

Goditje ushtarake e qëllimshme

Përveç SHBA-së dhe Britanisë së Madhe në sulmin ushtarak morën pjesë edhe Australia, Bahreini, Kanadaja dhe Holanda, tha një zyrtar i qeverisë amerikane në Uashington.

Jemen - rebelët huthi kanë raketa, radarë ose drone
Sulmet u përqendruan ndaj vendeve ku rebelët mbajnë raketa, radarë ose droneFotografi: Mohammed Mohammed/Xinhua News Agency via picture alliance

Sulmet u përqendruan ndaj atyre pozicioneve që kanë për rebelët rëndësi të veçantë për sulmet e tyre ndaj anijeve tregtare - sepse ata kanë aty raketa, radarë ose drone. Qëllimi i sulmit ishte dobësimi i rebelëve huti dhe jo përshkallëzimi i situatës, theksoi ai, duke shtuar se sulmet e rebelëve ndaj anijeve ndërkombëtare janë pa bazë dhe të paligjshme.

DW (dpa, afp)