Suksesi i Kinës në fizikën kuantike made in Heidelberg
15 Qershor 2023Në shkurt 2022 NATO merret me Universitetin e Heidelbergut. Për të qenë më të saktë, universiteti më i vjetër i Gjermanisë tematizohet në një webinar të SACT. SACT do të thotë 'Supreme Allied Commander Transformation', që është komanda e NATO-s, që merret me zhvillimin e luftërave në të ardhmen.
Eventi virtual i SACT trajton një orë të tërë arritjet e Kinës në kërkimet kuantike. Në këtë pikë përmendet Heidelbergu - si një partner i vjetër kërkimor i një universiteti elitar kinez, i cili ka kontakte edhe me industrinë e armatimeve.
Që në 2019 kompania amerikane e sigurisë "Strider" e cilëson Universitetin e Heidelbergut si "ndoshta partnerin e huaj më të rëndësishëm pas përparimeve të shpejta të Kinës në teknologjitë kuantike dual-use". Teknologjitë dual-use mund të përdoren si për qëllime civile ashtu edhe ushtarake.
Që tani ne përfitojmë nga arritjet e kërkimeve kuantike në jetën e përditshme – kur përdorim telefona celularë ose sisteme navigimi. Me gjasë teknologjitë kuantike të ardhshme do ta ndryshojnë botën edhe më shumë se interneti. Së bashku me qendrën kërkimore CORRECTIV, Deutsche Welle ka shqyrtuar rastin Heidelberg.
Shkencëtar i talentuar, networker i palodhur
Gjithçka filloi në 2003, kur fizikanti kinez i kuantikës Pan Jian-Wei krijoi grupin e tij kërkimor në Universitetin e Heidelbergut. Reputacioni i tij është i shkëlqyer, ai është i mbuluar me çmime dhe merr fonde milionëshe.
Gjatë pesë viteve të tij në Heidelberg Pan mban kontakte të ngushta me universitetin e tij, Universitetin e Shkencës dhe Teknologjisë të Kinës, shkurt USTC. Prej andej ai rekruton studiues të rinj shumë premtues. Edhe ata marrin në Heidelberg mbështetje financiare nga fondet kërkimore gjermane dhe evropiane.
Në 2008 Pan kthehet në USTC. Ai nuk merr me vete vetëm disa nga nxënësit e tij, por edhe laboratorin dhe projektet e tij. Për grupin e tij kërkimor në Heidelberg BE sapo ka miratuar një financim tjetër prej 1,4 milionë eurosh.
Një gjerman në USTC
Lidhja e ngushtë mes universiteteve mbetet. Pan vazhdon të dërgojë talente, të cilët më vonë kthehen në USTC. Në vitin 2011 të dyja palët nënshkruajnë edhe zyrtarisht një marrëveshje për shkëmbimin akademik. Bashkëpunime të tilla janë në atë kohë në Gjermani të dëshiruara politikisht dhe ekonomikisht. Kina është e rëndësishme si partner tregtar.
Në vitin 2013 fizikani nga Heidelbergu, Matthias Weidemüller, ishte një nga pak studiuesit perëndimorë që pranoi ofertën për të bërë kërkime në USTC si pjesë e programit shtetëror kinez 1000-Talente.
Në atë kohë, ai i kishte përcaktuar vetes kushte me kufinj të qartë, shpjegon Weidemüller. "Mua nuk më ndërhyn askush për atë që hulumtoj”. Të gjitha rezultatet janë të publikuara krejtësisht hapur, në laboratorin e tij mund të kenë akses të gjithë. Pavarësia dhe transparenca janë për të me rëndësi.
Deri sot Weidemüller është profesor nderi në USTC. Ashtu si dhe Pan në Heidelberg. Por kuadri politik ka ndryshuar në mënyrë dramatike – dhe jo vetëm për shkak të COVID-it.
Nga partner në rival
Sot Kina nga partnere e dëshiruar është kthyer në një "rivale sistematike” të Gjermanisë, e cila po shfaqet gjithnjë e më e sigurt në vetvete. Pas kulisave qeveria gjermane debaton prej muajsh për strategjinë e re ndaj Kinës.
Në nivel ndërkombëtar Kina është duke konkurruar me SHBA për dominim në shkencën kuantike. Në Kinë "shkrirja ushtarako-civile" është një doktrinë shtetërore dhe gjithçka duhet t'i shërbejë edhe sigurisë kombëtare. Deri në vitin 2049 Pekini dëshiron të ketë ushtrinë më moderne në botë.
Më i avancuari në kuadër të kërkimit kuantik është komunikimi kuantik. Këtu është fjala për sigurinë e të dhënave dhe shkëmbimin e koduar dhe të sigurt të informacionit – nga pikëpamja ushtarake tepër interesante.
Time 100
Kina kryeson në komunikimin kuantik - falë Pan Jian-Wei. Studiuesin e shquar kuantik revista amerikane "Time” e zgjedh mes 100 personaliteteve më me ndikim në botë për vitin 2018. Një vit më vonë kompania amerikane e sigurisë 'Strider' bën publik që Pan ka lidhje me sipërmarrjet kineze të armatimit.
Vetë Pan e siguron me shkrim DW dhe CORRECTIV se që nga kthimi i tij nga Gjermania "asnjë nga projektet e tij nuk mbështetet nga ushtria".
Në të njëjtën kohë ai thotë: "Edhe nëse teknologji të caktuara mund të përdoren ushtarakisht, kjo është diçka që ASNJË shkencëtar nuk mund ta kontrollojë apo ta parashikojë." Fjalën më të rëndësishme e shkruan me shkronja të mëdha.
"Unë besoj fort, se këto teknologji që po lindin, do të sjellin në fund të fundit përfitime të mëdha për njerëzimin," thekson Pan.
Veprimtari në Xinjiang
Por gjatë investigimit ndeshet shpejt emri Quantum CTek. Menjëherë pas kthimit të tij nga Heidelbergu Pan bashkëthemelon këtë start-up. Deri sot ai është aksionari i dytë më i madh pas USTC.
Që nga viti 2017 kompania e specializuar për komunikimin kuantik ka një degë në Xinjiang. Në këtë provincë të Kinës veriperëndimore jeton pakica myslimane ujgure, që maltrajtohet nga qeveria qendrore, dërgohet në kampe riedukimi dhe mbikqyret në çdo hap.
Të vendosesh pikërisht në një rajon të tillë, nuk është "rastësi" dhe "moralisht e dënueshme", thotë Yangyang Cheng. Fizikantja me origjinë kineze ka studiuar vetë në USTC, por jeton në SHBA prej më shumë se 10 vjetësh. "Fakti që një kompani kaq e re lejohet të hapë një degë atje, të bën të mendosh se ajo ka lidhje shumë shumë të ngushta me aparatin e sigurisë të shtetit kinez."
Pan Jian-Wei shkruan se nuk e di përse Quantum CTek ka degë në Xinjiang. Që nga viti 2011 ai "nuk është më i përfshirë në menaxhimin e kompanisë, përveç si aksioner". Vetë kompania nuk reagon ndaj pyetjeve.
Sanksione nga SHBA
SHBA sanksionuan Quantum CTek në nëntor 2021. Ashtu si dhe kompleksin e madh laboratorik të USTC, ku bën pjesë edhe Matthias Weidemüller. Arsyeja: është fjala për njësi, që "mbështesin modernizimin ushtarak të Ushtrisë Çlirimtare Popullore”. Sanksionet synojnë të parandalojnë rrjedhjen e teknologjisë dhe njohurive amerikane në Kinë.
"Të thuash nuk më intereson", thotë Weidemüller, "do të thotë të jesh larg realitetit". Por ai nuk sheh ndonjë ndërlidhje me punën e tij.
"Nga mënyra se si hulumton, mund të përcaktosh vetë sa afër ose sa larg është gjëja nga vënia në zbatim”. Si studiues hulumtues, Weidemüller ndihet shumë larg nga Quantum Ctek. Por situata politike globale po krijon presion. Që nga fillimi i vitit 2022 edhe në universitetin e Heidelbergut ekziston departamenti i kontrollit të eksporteve, i cili kontrollon përdorimin e mundshëm ushtarak të projekteve kërkimore ndërkombëtare. Te USTC Heidelbergu ka një partner, i cili në fushën e kërkimit kuantik kooperon edhe me kompanitë e mëdha kineze të armatimit dhe me universitetin më të rëndësishëm ushtarak të Kinës (NUDT).
Liria e kërkimit dhe përgjegjësia shkencore
Universiteti më i vjetër i Gjermanisë po lufton me një pyetje bazike: a lejohet të bashkëpunohet, nëse partnerët në kërkimet shkencore janë "të afërt me strukturat ushtarake që për shkak të sistemit, as që mund t'i evitojnë?" Dhe nëse po, si? Edhe Anja Senz duhet t'i përgjigjet kësaj. Ashtu si Matthias Weidemüller, sinologja bën pjesë në rektoratin e Universitetit të Heidelbergut.
Senz nuk dëshiron të "përcaktojë vija të kuqe në vetvete", por dëshiron të reflektojë në mënyrë kritike ndaj "implikimeve teknologjike". E pyetur drejtpërdrejt për Pan Jian-Wei, ajo thekson se në një moment duhet të pyesësh veten: "Çfarë roli luan personi në këtë sistem?"
Për Matthias Weidemüller domosdoshmëria për të vazhduar së kërkuari së bashku rreth pyetjeve të mëdha të natyrës peshon më shumë: "A duhet të ndalojmë së shkëmbyeri mendimet tona për këto pyetje në mbarë botën?"