Sukseset e para në luftë kundër zjarreve në Greqi
13 Gusht 2024Edhe natën flakët vazhduan shkatërrimin në Athinë, njoftohet po ashtu për viktimën e parë. Flakët këto ditë mbërritën deri në periferitë e Athinës duke detyruar njerëzit nga shumë zona që të largohen drejt vendeve të sigurta. Banorët e dymbëdhjetë fshatrave u njoftuan përmes mesazheve SMS që të largohen nga shtëpitë në rajonin përreth Marathonës dhe Pentelit, vuri në dukje një zëdhënës i zjarrëfikësit për radion greke. Më parë autoritet në Greqi udhëzuan evakuuimin e qytetit historik Marathonë të rrezikuar. 30.000 banorë u dërguan në Nea Makri në bregdet. Penteli ndodhet rreth 15 km dhe Marathona rreth 30 km në veri të Athinës.
Kryeministri Mitsotakis ndërpret pushimet
Për njerëzit e evakuuar prej zjarreve qeveria vuri në dispozicion palestrat sportive të stadiumit olimpik në Veri të Athinës. Edhe hotelet vunë dhoma në dispozicion, njoftoi shoqata e hotelerierëve.
Për shkak të zhvillimeve dramatike kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis ndërpreu pushimet dhe u kthyer në Athinë, sikurse njoftoi një zëdhënës qeveritar. Natën, sipas mediave, një numër i madh ekipesh të zjarrëfikësit erdhën në Athinë nga rajonet jugore dhe perëndimore të Greqisë.
BE dhe Turqia ofrojnë ndihmë
Në sfondin e zjarreve të rënda në pyjet përreth Athinës edhe Turqia ka deklaruar se do të ndihmojë vendin fqinj: "Janë duke u bërë përgatitjet e nevojshme, për të dërguar avionë me pompa uji dhe helikopterë ndihme në Greqi", deklaroi zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme turke, Öncü Keceli, të hënën (12.08) në mbrëmje. Edhe BE ka deklaruar, se Italia, Franca, Çekia dhe Rumania do të dërgojnë ekipe ndihme në kuadër të procedurës së BE për mbrojtjen nga katastrofat.
Temperatura rekord dhe mungesë reshjesh prej muajsh
Në rajonin e Athinës dhe në pjesë të tjera të Greqisë qendrore, sipas të dhënave të mbrojtjes civile, mbizotëron rrezik i lartë nga zjarret. edhe në ditët e ardhëshme, komunikoi mbrojtja civile. Në shumicën e rajoneve të Greqisë prej muajsh nuk ka pasur reshje.
Meteorologët dhe mbrojtja civile gjatë ditëve të fundit vazhdimisht kanë paralajmëruar nga rreziku i zjarreve. Aktualisht ka erëra të forta përrreth Egjeut. Ndaj çdo zjarr sado i vogël brenda pak minutash mund të përhapet në përmasa të mëdha.
Greqia sivjet pasi kaloi dimrin më të ngrohtë të regjistruar ndonjëherë, si edhe ka përjetuar edhe qershorin e korrikun më të nxehtë që prej fillimit të matjeve të temperaturës në vitin 1960. Greqia është ekstremisht e prekshme prej zjarreve në pyje.
dw/afp