1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Suedia: Turqia na premtoi anëtarësim të shpejtë në NATO

29 Nëntor 2023

Turqia ka bllokuar prej kohësh anëtarësimin e Suedisë në NATO. Por tani Ankaraja ka siguruar se do ta ratifikojë kërkesën "brenda disa javësh". Aleatët e NATO-s kishin rritur dje presionin ndaj Ankarasë.

https://p.dw.com/p/4ZZbu
Tobias Billstrom
Fotografi: Geert Vanden Wijngaert/AP/picture alliance

Suedia vazhdon të shpresojë për anëtarësim të shpejtë nëNATO. Ministri i Jashtëm suedez Tobias Billström tha në kuadër të takimit të NATO-s në Bruksel të mërkurën se ministri i Jashtëm turk Hakan Fidan e kishte siguruar, se ai e priste "brenda javësh" ratifikimin nga parlamenti turk të kërkesës suedeze për anëtarësim në NATO.

Dosja e Suedisë me aplikimin për anëtarësim ndodhet nëParlamentin turk që kur presidenti Recep Tayyip Erdogan e përcolli atje në tetor.

Dje, në takimin e ministrave të jashtëm të NATO-s në Bruksel, aleatët e NATO-s e shtuan presionin ndaj Turqisë. Sekretari amerikan i shtetit Antony Blinken i kërkoi homologut të tij turk Hakan Fidan në kuadër të takimit që dosja e pranimit të Suedisë të ratifikohet "sa më shpejt të jetë e mundur".

 Tobias Billstrom, Suedi dhe Hakan Fidan Turqi shtrengojne doren para hartes dhe flamujve te Suedise dhe Turqise
Fotografi: Arda Kucukkaya/AA/picture alliance

Presion ndaj Turqisë nga aleatët e NATO-s

Ministrja e Jashtme e Gjermanisë, Annalena Baerbock gjithashtu e kritikoi Turqinë për vonimin e ratifikimit të Suedisë për në NATO. Hapi është "më se i vonuar" dhe duhet të ndodhë tani, tha politikania e Gjelbër.

Baerbock-u kujtoi gjithashtu se Erdogani ishte dhënë personalisht fjalën e tij në samitin e NATO-s të mbajtur në Vilnius në mes të korrikut: "Në Vilnius u tha qartë se Suedia do të bëhej anëtare e aleancës sonë të përbashkët," theksoi ajo.

Ministrja e Jashtme franceze Catherine Colonna e paralajmëroi Ankaranë se ishte në rrezik "besueshmëria" e aleancës. "Nuk duhet të humbim një ditë tjetër”.

Baerbock dhe Hakan Fidan
Fotografi: DHA

Ministrja finlandeze e Punëve të Jashtme, Elina Valtonen, u shpreh "mjaft e zhgënjyer" nga fakti se pranimi i Suedisë mbetet i bllokuar, ndërkohë që vendi i saj u anëtarësua në prill.

Në përgjigje të luftës së agresionit të Rusisë ndaj Ukrainës, Suedia tradicionalisht e paangazhuar dhe fqinji i saj Finlanda aplikuan për anëtarësim në NATO në maj të vitit të kaluar. Në samitin e Vilniusit, Suedia u zotua, ndër të tjera, të marrë masa më të ashpra kundër Partisë së Punëtorëve të Kurdistanit (PKK), e ndaluar si një "organizatë terroriste" në Turqi.

Hungaria ende bllokon

As Hungaria nuk e ka ratifikuar anëtarësimin e Suedisë në aleancën e mbrojtjes.

Sipas Billström-it, Hungaria ripohoi angazhimin e saj se nuk do të jetë vendi i fundit që ratifikon anëtarësimin e Suedisë në NATO. "Kjo do të thotë se është më shumë në duart e Ankarasë sesa ndoshta në duart e Budapestit," tha ai. "Ne presim "tym të bardhë"" nga Budapesti sapo të ketë "tym të bardhë"" nga Ankaraja.”