Suedia rivendos shërbimin ushtarak të detyrueshëm
3 Mars 2017Ministri i Mbrojtjes Peter Hultqvist njoftoi në radion suedeze se këtë verë do të rihyjë në funqi rekrutimi i detyrueshëm. "Qeveria do një metodë rekrutimi, që është më e qëndrueshme, dhe do të zgjerojë aftësitë tona ushtarake për shkak se gjendja e sigurisë ka ndryshuar." Suedia ka pasur vështirësi për t'i plotësuar njësitë luftarake mbi bazë vullnetare, tha Hultqvisti.
Ushtria ruse aktive në Evropën Veriore
Me shprehjen "situata e ndryshuar e sigurisë" ministri kishte parasysh rritjen e aktiviteteve ushtarake të Rusisë në Evropën Veriore. Shqetësimin e saj Suedia e ka ndarë me fqinjën e saj gjithashtu neutrale, Finlandën. Vitin e kaluar, qeveria e Helsinkit e ka akuzuar Rusinë fqinje se ka depërtuar me dy aeroplanë lufte në hapësirën e saj ajrore.
Suedia është anëtare e Partneritetit për Paqe, programit që NATO filloi në vitin 1994 për bashkëpunim ushtarak me vendet jo anëtare. Rusia e ka paralajmëruar si Suedinë dhe Finlandën që të mos i bashkohen NATO-s. Në vitin 2010 Suedia e pezulloi rekrutimin e detyruar, sepse prej gati 200 vjetësh në vend nuk ka pasur ndonjë konflikt të armatosur.
Shërbim ushtarak njëmbëdhjetëmujor
Projektligji për rifutjen e rekrutimit parashikon që të gjithë suedezët, që kanë lindur pas vitit 1999, janë të detyruar të kryejnë shërbimin ushtarak. Nga këta 13.000 vetë 4000 syresh do të rekrutohen në varësi të aftësive dhe të motivimit të tyre për të nisur më 1 korrik shërbimin ushtarak për njëmbëdhjetë muaj Ligji ka nevojë për miratimin e Parlamentit. Megjithatë, si qeveria e majtë edhe opozita të qendrës së djathtë e mbështesin projektin. Forcat e armatosura suedeze përbëhen nga 34.000 ushtarë.