1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Suedia refuzon t'i japë azil një afganeje 106-vjeçare

Nancy Isenson
7 Shtator 2017

Procedura e apelimit ende nuk ka përfunduar. Por autoritetet suedeze të imigrimit ia kanë refuzuar azilin një gruaje të vjetër. Pas arratisë së mundishme përmes itinerarit ballkanik, atë e kërcënon dëbimi në Afganistan.

https://p.dw.com/p/2jTCE
Schweden Afghanischer Flüchtling Bibihal Uzbeki in Hova
Fotografi: picture-alliance/AP Photo/D. Keyton

Bibihal Uzbeki dhe familja e saj arritën në Suedi në vitin 2015, pasi ishin arratisur në Kundus të Afganistanit Verior nga Talebanët. Udhëtimi i tyre i mundimshëm i çoi ata nëpër Iran, në Turqi dhe në Ballkan, para se të arrinin në Evropën Veriore. Gazetarët që e takuan Uzbekin në vitin 2015 në kampin kroat Opatovac dhe mësuan historinë e saj, e quajnë atë që atëherë "refugjaten më të moshuar të botës".

Që në dhjetor autoritetet suedeze patën njoftuar se kërkesat për azil të familjes qenë refuzuar - dhe në këtë kohë rasti i Bibihal Uzbekit nuk qe vendosur ende. Por në maj, autoritetet suedeze të migrimit e refuzuan edhe kërkesën e saj për azil. Kur e mori vesh këtë, Uzbeki pësoi një hemoragji cerebrale.

Bibihal Uzbeki, sipas familjes së saj është 106 vjeç. Tani ajo jeton në qytetin e vogël suedez Hova, së bashku me njëmbëdhjetë anëtarë të tjerë të familjes, midis tyre nipër dhe të birin Mummadullah. 68 vjeçarit iu desh që ta mbante në kurriz një pjesë të rrugës së mundimshme për në Evropë të ëmën. Ajo është thuajse e verbër, e mbërthyer në shtrat dhe thuajse nuk është në gjendje të flasë.

Keqardhja është mall i rrallë

Bibihal Uzbek
Bibihal UzbekFotografi: picture-alliance/PIXSELL/D. Javorovic

Deri në fund të procedurës së apelimit, gruaja e vjetër nuk do të dëbohet, i bënë të ditur autoritetet suedeze të migrimit Deutsche Welle-s. Por njëkohësisht ato theksuan se "mosha e avancuar në përgjithësi nuk është shkak për azil". Në raste të tilla merren parasysh, mosha, shëndeti dhe kushtet në atdhe.

Autoritetet suedeze tërheqin vëmendjen në një vendm të Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut. Në të bëhej fjalë për një rast nga Finlanda. Gjykatësit e Strasburgut vendosën që autoritetet finlandeze nuk kishin shkelur të drejtat e një njeriu të moshuar, i cili u dëbua në Rusi. Argumentimi i Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut: i prekuri ka në Rusi qasje në sistemin shëndetësor.

Veç kësaj, Suedia i ka ashpërsuar ligjet e saj - për shkak të vërshimit të madh të migrantëve në 2015. "Pas ndryshimeve ligjore sot ekziston shumë më pak hapësirë veprimi për të dhënë një të drejtë qendrimi për shkak të sëmundjes", tha një përfaqësues suedez i autoriteteve.

Pikërisht këto rregulla, të vendosura më parë si masa të përkohshme, mendohet se i pengojnë tani autoritetet që të sillen në mënyrë humane, ankohet Sanna Vestin nga Shoqata e organizatave suedeze për Refugjatët. Synimi është që të ulet numri i azilkërkuesve, të cilët i tërheqin në Suedi familjet e tyre. "Mund të thuash", u shpreh Vestin, "që politikanët ia kanë ndaluar Zyrës për Refugjatët që të tregojnë keqardhje në raste si ky."