Suedia përgatit dëbime masive të refugjatëve
28 Janar 2016Ishte gazeta suedeze "Dagens Industri" ajo që e publikoi lajmin për planin e dëbimit masiv të dhjetëra mijëra refugjatëve duke cituar edhe ministrin e Brendshëm të Suedisë, Anders Ygeman me fjalët: "Unë besoj se bëhet fjalë tani për tani për 60.000 azilkërkues, por kjo shifër mund të shkojë edhe në 80.000 vetë." Qeveria ia ka komunikuar këtë detyrë policisë dhe autoriteteve të migracionit për të përgatitur dëbimet, thekson Ygeman.
Vetëm vitin e kaluar kërkuan azil në vendin europianoverior rreth 160.000 vetë- Qeveria llogarit se 45% e atyre që kërkojnë mbrojtje nga ligji i azilit refuzohen për shkak se nuk i plotësojnë kushtet. Por fillimisht qeveria suedeze kërkon të krijojë kushtet për kthimin vullnetar të refugjatëve. "Por nëse nuk ia dalim, atëherë duhet të bëhet kthimi me detyrim", citohet Ygeman.
Kontrolle kufitare: Numri i azilkërkuesve i reduktuar në mënyrë të menjëhershme
Sipas qeverisë suedeze ekziston një "rrezik i madh" për shkak të grupeve të mëdha të azilantëve që zhduken në ilegalitet pas refuzimit të azilit. Për të përballuar këtë fenomen, policia kufitare po pajiset më mirë dhe po forcon kontrollet kufitare për të huajt në vend. Qeveria, sipas gazetës suedeze "Dagens Industrie" po negocion me vende si Afganistani e Maroku për të pranuar refugjatët e kthyer nga ky vend.
Në nëntorin e vitit të kaluar, Suedia rivendosi kontrollet kufitare që nga janari të gjithë mjetet e transportit, autobusë e trena duhet të kenë të verifikuar identitetin e të gjithë udhëtarëve, të cilët kalojnë Urën e Öresundit me qëllim për të kaluar nga Danimarka në Suedi. Qeveria deklaroi se që nga kjo kohë numri i refugjatëve të ardhur është ulur nga 10.000 vetë në javë në tetorin e vitit 2015 në rreth 700 vetë në javë aktualisht.