Suedia nis plotësimin e kërkesave të Turqisë për ekstradim
12 Gusht 2022Ky është rasti i parë pas kërkesës së Ankarasë për ekstradimin e një numri personash në këmbim të heqjes dorë nga vetoja kundër anëtarësimit të Suedisë në NATO. Si pjesë e marrëveshjes për anëtarësimin e Suedisë në NATO Turqia paraqiti një listë personash me kërkesën që Stokholmi t'i ekstradojë ata për në Turqi.
Ky gjest i Stokholmit në drejtim të Turqisë synon me sa duket të zbusë rezervat e Ankarasë për anëtarësimin e Suedisë në NATO. Megjithatë ka dyshime, nëse ai është i mjaftueshëm, sepse Ankaraja është ankuar se Suedia nuk po ndërmerr hapa të mjaftueshme për ekstradimet.
Veprim rutinë
"Kjo është një çështje normale, një veprim rutinë. Bëhet fjalë për një shtetas turk i cili është dënuar në Turqi në 2013 dhe 2016 për mashtrim" tha ministri suedez i Drejtësisë Morgan Johansson. "Gjykata e Lartë e ka shqyrtuar si zakonisht çështjen dhe ka konstatuar se nuk ka pengesa për ekstradimin e tij.”
Sipas njoftimeve të radio-televizionit suedez SVT personi në fjalë ishte dënuar nga një gjykatë turke me 14 vjet heqje lirire për abuzime bankare dhe mashtrime me karta krediti. Personi në fjalë e mohon krimin dhe thotë se është dënuar për shkak se është konvertuar nga feja e tij në fenë e krishterë dhe se ka refuzuar shërbimin ushtarak.
Anëtarja e NATO-s, Turqia hoqi dorë nga vetoja e saj ndaj kërkesës së Finlandës dhe të Suedisë për t'u bashkuar me aleancën ushtarake perëndimore vetëm në qershor pas disa javësh negociatash të tensionuara. Kreu i shtetit Rexhep Tajip Erdogan i akuzonte dy vendet nordike se strehojnë luftëtarë të Partisë së ndaluar të Punëtorëve të Kurdistanit (PKK).