Suedi: Vendet myslimane denoncojnë djegien e Kuranit
30 Qershor 2023Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan u vu në krye të një kori kritikash nga bota myslimane në drejtim të Suedisë të enjten, një ditë pasi një irakian dogji faqet e një Kurani jashtë një xhamie në Stokholm.
Erdogani tha në fjalime televizive se ai dënoi incidentin e së mërkurës në Stokholm.
"Ne përfundimisht do t'u mësojmë perëndimorëve arrogantë se fyerja e muslimanëve nuk është liri e mendimit," tha Erdogani, duke i kushtuar pak vëmendje identitetit joperëndimor të vetë protestuesit. "Ne do të tregojmë reagimin tonë në termat më të fortë të mundshëm, derisa të arrihet një fitore e vendosur kundër organizatave terroriste dhe islamofobisë”.
Komentet e Erdoganit të lënë të kuptosh se ai kërkonte të përdorte incidentin për të bllokuar edhe më tej ofertën e Suedisë për t'u bashkuar me NATO-n, e paraqitur pas sulmit rus kundër Ukrainës. Bisedimet e mëtejshme mes dy palëve janë planifikuar për javën e ardhshme.
Erdogani akuzon Suedinë se strehon ata që ai i quan "terroristë", zakonisht militantë kurdë ose mbështetës të një ish-aleati të kthyer në rival të Erdoganit, Fetullah Gylen. Presidenti kritikoi gjithashtu protestat e mëparshme të ngjashme në Suedi, të cilat ai i konsideroi ose anti-Turqi ose anti-islame ose të dyja.
Në një kohë që ndikimi i protestës së Erdoganit mund të jetë shqetësimi më urgjent për Stokholmin, duke pasur parasysh përpjekjet e tij aktuale politike, kritikat ndaj Turqisë ishin vetëm një zë mes shumë zërave nga e gjithë bota islame.
Kor kritikësh, thirren ambasadorët
Një një numër qeverish islamike shprehën mosmiratimin e tyre për veprimin, ndërsa në Irak protestuesit u përpoqën të hynin në ndërtesën e ambasadës suedeze në Bagdad.
Kjo pasoi thirrjen e klerikut shiit Moqtada Sadr për një protestë jashtë ambasadës duke kërkuar shkarkimin e ambasadorit, duke akuzuar Suedinë se ishte "armiqësore ndaj Islamit".
Më shumë se 2% e popullsisë së Suedisë identifikohet si myslimane. Suedia është gjithashtu strehim i shumë njerëzve nga vendet islamike që kanë hequr dorë nga besimi i tyre, si protestuesi i së mërkurës, shumë prej të cilëve ndihen të pasigurt në vendet e tyre pasi e kanë bërë këtë.
Jordania thirri ambasadorin suedez të enjten, siç kishte bërë Maroku të mërkurën. Iraku, Irani, Arabia Saudite, Liga Arabe, Egjipti, Kuvajti dhe Emiratet e Bashkuara Arabe bënë komente kritike.
Qeveria e Bagdadit tha se veprime të tilla "ngacmojnë ndjenjat e muslimanëve në mbarë botën dhe përfaqësojnë një provokim të rrezikshëm për ta".
Irani e quajti protestën "provokative, të pamenduar dhe të papranueshme", ndërsa tha se ishte detyrimi i Suedisë të parandalonte "përsëritjen e fyerjeve ndaj shenjtorëve".
Arabia Saudite vuri në dukje se akti përkoi me festën fetare të Kurban Bajramit dhe përfundimin e pelegrinazhit të Haxhit: "Këto akte të neveritshme dhe të përsëritura nuk mund të pranohen me asnjë justifikim," tha ministria saudite e Punëve të Jashtme.
Kryeministri suedez: Protesta e ligjshme, por jo "e përshtatshme"
Suedia rrallë i ndalon protestat, madje edhe ato që mund të konsiderohen si nxitje në vende të tjera, dhe një gjykatë e miratoi protestën të mërkurën. Megjithatë, pas kësaj, policia tha se do të hetonte një "agjitim" të mundshëm që mund të jetë kryer me protestën nga një refugjat irakian që dëshiron që libri të ndalohet.
Kryeministri suedez Ulf Kristersson tha në një konferencë shtypi se vendimi nëse do të vazhdojë apo jo protesta nuk i takonte atij. Ai tha për protestën se "është e ligjshme, por jo e përshtatshme”, duke thënë se vendime të tilla individuale u përkasin organeve suedeze të rendit, jo politikanëve.
Përfaqësuesit e xhamisë para së cilës u zhvillua demonstrata thanë të mërkurën se ishin të zhgënjyer që policia kishte lejuar protestën. Ata kishin sugjeruar që policia të paktën mund ta devijonte protestën në një vend më pak të ndjeshëm – një hap që do të kishte qenë nën kontrollin e tyre.
Demonstrata u ndoq nga një turmë njerëzish, duke përfshirë mbështetës dhe kundërprotestues; policia e izoloi protestuesin nga turma, me sa duket për mbrojtjen e tij.
Në janar, një protestë e ngjashme u zhvillua në Suedi, e udhëhequr nga lideri i një partie politike daneze të ekstremit të djathtë, që i vuri flakë një kopjeje të Kuranit pas një zhurme të gjatë rreth imigrimit mysliman në Suedi. Edhe ai u pasua me kritika të forta nga Turqia dhe vende të tjera.
NATO-ja, megjithatë, i bëri thirrje Turqisë të mendojë se qëndrimi i saj për anëtarësimin e Suedisë në NATO mund të kontribuojë në protestat në Suedi që Ankaraja dhe Erdogani më pas i konsiderojnë të qortueshme.
Kristerssoni tha në samitin e liderëve të BE-së të enjten se do të fliste me bllokuesin tjetër të NATO-s, kryeministrin hungarez Viktor Orban.
Qeveria hungareze konfirmoi të enjten se do të vononte një votim parlamentar nëse do të ratifikohej anëtarësimi i Suedisë në NATO edhe një javë, por tha se vendimi nuk kishte lidhje me pakënaqësinë e re të Turqisë - një pretendim i kundërshtuar nga opozita në Budapest.
msh/nm (AFP, dpa, AP, Reuters)