Suedi: 25 vjet pas mbytjes së tragetit Estonia
18 Shtator 2019Mbytja e "Estonias" më 28 shtator 1994 konsiderohet si tragjedia më e madhe detare në historinë europiane të pasluftës. Rrugës nga Estonia për në Suedi trageti hasi në stuhi në Detin Baltik. Kapaku i bashit të anijes u ça, uji vërshoi në kuvertë dhe brenda pak minutash anija u fundos duke marrë me vete në thellësi të detit 852 vetë, që humbën jetën, ndër ta 501 suedezë dhe 284 estonezë.
Një përgjegjës apo fajtor për fundosjen e tragetit nuk u gjet. Mos vallë kapiteni pati udhëtuar me shpejtësi të lartë në stuhi? Mos vallë anija ishte e papërshtatshme për t'i bërë ballë detit Baltik të trazuar? Të mbijetuarit dhe të afërmit e viktimave ngritën padi më 1996 duke kërkuar dëmshpërblim prej kantierit detar Meyer në Papenburg, që e kishin konstruktuar këtë anije si dhe Shoqatës franceze të Kontrollit Teknik Bureau Veritas, që i kishin dhënë licencën e lundrimit tragetit „Estonia. Para një gjykate në Nanterre pranë Parisit 1.100 paditës kërkojnë 41 milionë Euro dëmshpërblim. Në korrik kërkesa e tyre u hodh poshtë.
Kent Härstedt është 54 vjeç, socialdemokrat që në rininë e tij, politikan dhe diplomat. Në vitin 1995 ai shkroi një libër për ngjarjet në Estonia („Det som inte kunde ske" – Ajo që nuk duhej të kishte ndodhur kurrë). Ai ka thotë, se „atë natë nuk do ta harroj kurrë", Kujtimi mund të të rikthehet papritur, thotë ai. Sa herë Kent Härstedt është në ujë i ndodh kjo. E kësisoj ai kthehet sërish në vitin 1994, si pasagjer në tragetin Estonia, që lundronte nga Talini për në Stockholm. Eshtë 28 shtator.
Në orën 01.22 kapiteni i Estonias jep një sinjal emergjence. Anija ka hasur në stuhi të fortë, papritur çahet kapaku i bashit. Estonia brenda pak minutash mbushet me ujë dhe fillon të fundoset. Në këto çaste Kent Härstedt ndodhet në barin e tragetit. „Anija batoi në njërën anë. Ishte një shok i madh për ne të gjithë. Fillimisht ne të gjithë u përpoqëm të hidhemi prej anijes në ujë të ftohtë drejt atyre pak platformave të shpëtimit që ishin në dispozicion. Më pas na u desh të mbijetojmë në këta ishuj shpëtimi. Ata që të nesërmen ende ishin gjallë u shpëtuan nga një helikopter. Në këtë moment shumica prej nesh në ishullin e shpëtimit ishin pothuajse të ngrirë. Nga 20 vetë vetëm gjashtë jetonim ende."
852 njerëz të mbytur, emrat e të cilëve janë skalitur sot në një monument përkujtimor. Emra njerëzish nga një duzinë vendesh. Kjo është katastrofa më e madhe detare në Europë përgjatë shekullit të kaluar.
Hetime jo të plota
Një hetim në vitin 1997 rezulton, se parametrat e mbylljes së kapakut të bashit të anijes kanë qenë mjaft të dobët. Rregullat e sigurisë për tragetet e Detit Baltik tashmë janë forcuar, por nxjerrja e gërmadhës së anijes nuk është bërë.
Ky ishte gabim, mendon Henning Witte. Avokati gjermano-suedez e ka të vështirë të shkëputet prej rastit Estonia edhe gjatë kohës së lirë. Witte ka mbrojtur të afërmit e viktimave në gjykatë dhe ka hulumtuar edhe vet për rastin. Ai i konsideron të pamjaftueshme hetimet e kryera deri tani në gërmadhën e anijes. „Platforma e bashit që çahet, uji vërshon në kuvertë, batim në anën e timonit dhe Estonia fundoset. Në një rast të tillë natyrisht duhet ta dish, se si qëndron puna me hambarin e makinave: A kanë qenë kamionët të lidhur mirë? Por mungojnë filmime zyrtare të pjesës së brendshme të hambarit të automjeteve. Ne themi, se duhet të bëhen sërish zhytje për të hetuar, pavarësisht që ka kaluar shumë kohë."
Pas kapakut të bashit mungonte izolimi hermetik ndaj ujit. Megjithatë as kantieri gjerman dhe as kontrolli teknik francez nuk e kanë marrë përgjegjësinë, ankohet avokati. „Platforma e ngritur konsiderohej si hermetike ndaj ujit. Por kjo mund të vlente për një qarkullim përgjatë bregdetit e jo në det të hapur. Në këtë rast Bureau Veritas duhej të kishte reguar me një Stop! Me këtë parametër anija nuk është e aftë për të dalë në det të hapur, përpara daljes në det do duhej vendosur shtresa izoluese."
Por kolegët e Wittes dështuan këtë verë sërish para gjykatës franceze me kërkesën për dëmshpërblim prej shoqatës së kontrollit teknik të anijes. Ata në emër të më shumë se 1000 të mbijetuarve dhe të afërmve të viktimave patën kërkuar rreth 40 milionë Euro dëmshpërblim.
Për Kent Härstedt paraja nuk është kaq e rëndësishme se sa e vërteta për katstrofën e Estonias. I mbijetuari, prej shumë vjetësh deputet në parlamentin suedez, rrëfen për hamendësime, se një bombë e pat shkaktuar fundosjen e anije, e vendosur nga shërbime sekrete apo terroristë. Ai apelon: „Le të kërkojmë një herë bashkarisht me themel. Kjo mund të ndihmonte edhe për t'u dhënë fund teorive të komplotit. Për një shoqëri demokratike nuk është mirë, kur përhapen të tilla dyshime. Unë besoj, që një hetim i mirëfilltë do të ishte mirë për të gjithë ne."
Ai mendon se me këtë do të vendosej drejtësia edhe kundrejt 852 vetëve, që humbën jetën atë ditë shtatori para 25 vjetësh në Detin Baltik.