1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Më shumë kampe përqendrimi nga sa mendohej

Clara Walther / Eliana Xhani7 Mars 2013

42.500 kampe ka pasur në Evropë gjatë kohës së nacionalsocializmit. Ky numër është shtatë herë më i lartë nga sa supozohej deri tani. Aq më absurde tingëllon thënia se "askush nuk ka pasur dijeni".

https://p.dw.com/p/17skP
###ACHTUNG! NUR IN KLAUDIA PREVEZANOS ARTIKEL ÜBER YAD VASHEM VERWENDBAR### Screenshot der dt. Seite von Yad Vashem. Angaben zu den Rechten hat mir Estee Yaari von der Pressestelle von Yad Vashem (unten in dieser Mail) geschickt. Bitte beachtet, dass der Hinweis ins CMS soll, dass das Bild nur für meinen Text (ein Interview mit Sara Eisenmann) verwendet werden darf. COPYRIGHT: Yad Vashem The Holocaust Martyrs and Heroes Remembrance Authority
Fotografi: Yad Vashem The Holocaust Martyrs and Heroes Remembrance Authority

"Më duket vërtet e habitshme që 70 vjet pas fundit të luftës ende dalin në dritë lloje të reja kampesh dhe histori personale nga Holokausti", thotë historiani amerikan Martin Dean në bisedë për Deutsche Welle-n. Prej 13 vjetësh Dean mbledh fakte. Fakte të mbledhura në hulumtime të veçanta, nga historianë nga e gjithë Evropa, Izraeli dhe SHBA-ja dhe të njohura ndoshta në nivel lokal, por që kanë munguar deri tani për krijimin e një pamjeje të përgjithshme. Dean interesohet për këtë pamje të përgjithshme dhe pikërisht kjo i bën rezultatet e reja të hulumtimeve të muzeut të Holokaustit kaq interesante: ekipi i Dean ka zbuluar se dendësia e kampeve të përqendrimit ka qenë shumë më e lartë nga sa mendohej deri tani. Sipas përllogaritjeve në Evropë duhet të kenë qenë rreth 42.500 kampe, ndërkohë që deri tani mendohej se ky numër ka qenë 7.000.

30.000 kampe për punë të detyruar

Studimet e Dean kanë ngjallur shumë interes. Gazeta New York Times ka publikuar një artikull për rezultatet e reja të kërkimeve. Pas tij pasuan një numër artikujsh të tjerë gazetash. Papritur është bërë e qartë se në të gjithë Evropën janë dërguar njerëz me forcë në kampe. Shpesh në kushte çnjerëzore: tortura dhe uria ishin në rend të ditës në shumë kampe. Rreth 20 milionë të burgosur mendohet të kenë qenë të prekur. Por kampet e nacionalsocialistëve kishin objektiva të ndryshëm: 30.000 kampe në Evropë kanë qenë vetëm për punë të detyruar. Krahas tyre ekzistonin 1150 geto hebrejsh, 980 kampe përqendrimi, 1000 kampe robërish lufte, 500 shtëpi prostitucioni të detyruar. Këtyre u shtohen edhe kampe të shumtë që kishin si synim "gjermanizimin" e të burgosurve: gratë detyroheshin të abortonin, të sëmurët psiqikë vriteshin me eutanazi dhe bëhej mbledhja e të burgosurve për transportin në kampet e vdekjes.

ARCHIV - Ein Häftlingstransport aus Ungarn trifft im Lager Auschwitz ein (undatierte Aufnahme). 67 Jahre nach Ende des Zweiten Weltkriegs ist einer der meistgesuchten Nazi-Kriegsverbrecher offenbar aufgespürt worden. Reporter der britischen «Sun» fotografierten den 97-Jährigen Laszlo Csatary in Ungarns Hauptstadt Budapest, wie das Boulevardblatt am Sonntag berichtete. Er soll als Polizeichef von Kosice im ungarisch besetzten Teil der Slowakei im Frühjahr 1944 eine wichtige Rolle bei der Deportation von 15 700 Juden in das Vernichtungslager Auschwitz gespielt haben. +++(c) dpa - Bildfunk+++
Të burgosur duke u transportuar nga Hungaria në Aushvic në pranverën e vitit 1944Fotografi: picture-alliance/dpa

Kampet përdoreshin sipas nevojave

Dean dhe ekipi i tij aktualisht i punojnë për hulumtimin e kampeve të të burgosurve të luftës dhe të punës së detyruar. Është punë e lodhshme pasi materia e hulumtimit mbetet e turbullt edhe 70 vjet pas përfundimit të luftës. Jo rrallë kampet përdoreshin vetëm pak muaj për një qëllim të caktuar. Më pas ndryshonin funksionin.

Këtë kanë konstatuar studiuesit për shembull për një nga kampet e drejtuar nga Gestapo për "edukimin përmes punës". Në radhë të parë këto kampe shërbenin për "disiplinimin" e fuqisë punëtore, për shembull si kampe dënimi për civilë polakë, apo si kampe tranziti për hebrejtë italianë gjatë rrugës për në kampet e përqendrimit.

"Kur si studiues përshkruan vetëm një nga funksionet, kjo nuk është shumë e saktë", shpjegon Dean. Çdo kamp ka historinë e tij. Përgjithësimet janë thuajse të pamundura. Numri tejet i madh i kampeve paraqet një lëndë hulumtimi me përmasa gjigante për historianët.

Por jo vetëm shkenca ngre pyetje të reja. Edhe shumë gjermanëve duhet t'u lindin dyshime për të kaluarën e gjyshërve të tyre: a është vërtet e mundur që gjyshi dhe gjyshja nuk dinin asgjë për 42.000 kampet në Evropë? A ishte e mundur të mos dihej gjë për 30.000 kampet e punës? Edhe për historianin amerikan Martin Dean kjo duket e pabesueshme.

Kampi si përvojë në përditshmërinë e luftës

Studiuesit gjermanë nuk janë të habitur nga rezultatet e kërkimeve të Dean. Historiani Christoph Dieckmann nga instituti Fritz Bauer në Frankfurt e ka mbështetur kolegun amerikan në projektin e kërkimeve. Pak kohë më parë atij iu akordua "Çmimi ndërkombëtar i librit Yad Vashem" për punën e tij kërkimore për Holokaustin. "Kërkimet shkencore nga SHBA-ja konfirmojnë se shoqëria e kampeve ishte pjesë e përditshmërisë gjatë luftës", shpjegon Dieckmann. "Dhe nëse pyesim gjyshërit tanë, të gjithë kanë njohur dikë që ka qenë në kampet e punës së detyruar." Në vitet 1943/44, 20 deri 30 për qind e fuqisë punëtore në Gjermani ishin punëtorë të detyruar dhe pjesa më e madhe e tyre jetonin në kampe.

Dieckmann nuk është i habitur që për këtë kapitull flitej shumë rrallë në publik. Studiuesit amerikanë kanë konstatuar ndër të tjera se ka pasur rreth 500 shtëpi publike të Vermahtit, në të cilat gra të reja detyroheshin të ushtronin prostitucionin. "Vermahti kanë qenë edhe gjyshërit tanë", thotë Dieckmann. "A na kanë treguar gjyshërit tanë ndonjëherë për shtëpitë publike? Jo!"

Të kuptosh zhvillimin e Holokaustit

Specialiteti i Dieckmann është Lituania gjatë kohës së nacionalsocializmit. Dieckmann ka zbuluar se edhe në Lituani ka pasur mbi 100 geto hebrejsh, shumë më tepër nga sa mendohej për një kohë të gjatë. 100.000 vetë kishin grumbulluar gjermanët në ato geto pa një plan të qartë: si do të furnizoheshin hebrejtë në geto? Kush do t'i mbikqyrte? Administrata gjermane dhe lituaneze ishin të mbingarkuara, thotë Dieckmann. Kjo pati pasoja fatale: pushtuesit vendosën që hebrejtë si "armiq të Rajhut gjerman" kishin humbur të drejtën për të jetuar. Deri në tetor 1941 hebrejtë nga Lituania u vranë aty ku ndodheshin. E gjitha ndodhi muaj përpara se të fillonte deportimi i planifikuar i hebrejve nga gjithë Evropa për në kampet e shfarosjes.