Studimi: Vaksina të mbron ndaj Long-Covid dhe ftohjes
30 Janar 2022Kush është i vaksinuar, ka një rrezik më të vogël të zhvillojë simptoma "Long-Covid" - kështu quhen simptomat si lodhja kronike apo sëmundje të tjera që të shëruarit shpesh informojnë pas infektimit me Corona. Këtë e tregon një studim paraprak i mjekëve të klinikës universitare "Bar-Ilan" në Safed, Izrael, i cili u publikua më 25.01. në revistën shkencore "Nature". Rastet që kanë marrë në shqyrtim mjekët, lidhen të gjitha me fazën e parë të fushatës së vaksinimit, pra nga marsi 2021.
Studiuesit kanë pyetur për projektin e tyre më shumë se 3000 vetë të testuar me PCR për simptoma të mundshme Long-Covid. 951 prej tyre ishin provuar si të infektuar. Rezultati të jep të dhënat e para, se imunizimi bazë të ndihmon të mposhtësh më mirë infeksionin. "Kjo është një arsye tjetër për vaksinimin", thotë Michael Edelstein, epidemiolog në këtë universitet.
Simptomat aq të rralla si tek ata që nuk kanë qenë asnjëherë të infektuar
Vaksina të mbron me mënjanimin e infektimit, por edhe nëse je infektuar, ecuria e sëmundjes është më e butë. Kjo reflektohet edhe tek pasojat afatgjata të atyre që janë sëmurur me COVID-19. Sipas studimit, të vaksinuarit kanë një gjasë 54% më të ulët të kenë dhimbje koke. Kurse tek simptomat e lodhjes kronike gjasat e të vaksinuarve për të zhvilluar lodhjen kronike janë 64% më pak, dhimbjet muskulare 68%. Këto vlera iu përgjigjeshin vlerave të dhënave nga personat që nuk kanë qenë të infektuar asnjëherë me SARS-CoV-2.
Simptomat Long-COVID- janë të vështira për t'u përcaktuar
Për mjekët familjarë është shpesh shumë e vështirë ta diagnostikojnë qartë Long-COVID. Shpesh pacientët nuk ndjehen të marrë seriozisht, kur paraqesin ankesa të tilla. Simptomat tipike, si lodhja, dobësia e përgjithshme, marrje mendsh, dobësimi i përqëndrimit, dhimbjet e muskujve rrallë lidhen qartësisht me një infektim që ka kaluar. Long-COVID përfshin një numër të madh simptomash, që mund të shfaqen edhe nga sëmundje të tjera. Prandaj mjekët e kanë të vështirë të përcaktojnë qartë atë, sipas një studimi në Plosmedicine, të shtatorit 2021, për të cilën studiuesit morën të dhënat e 273.618 të shëruarve nga Corona.
Sipas studimit gati 60% e të infektuarve me COVID-19 edhe gjashtë muaj pas sëmundjes shfaqin simptona. Po ashtu ndodh edhe gripin. 40% e të shëruarve nga gripi ankohen se kanë simptoma të afërta me Long-COVID edhe pas gjashtë muajsh. Ka dallime të mëdha mes vlerësimeve për shpeshtësinë e shfaqjes së Long-COVID në bazë të asaj se cilat simptoma tipike merren për bazë. Kështu Shoqata Helmholtz e shikon këtë shpeshtësi rreth 10%. Me gjasë merren këtu për bazë diagnozat e qarta, vetëm rastet e rënda të Long-COVID.
Vaksina ndihmon kundër viruseve të ftohjes
Studiues të Universiteteve të Ulmit dhe Amsterdamit kanë gjetur edhe një arsye tjetër, pse duhet të vaksinohesh. Vaksinat aktuale në treg kundër virusit të Coronës, SARS-CoV-2 ofrojnë një mbrojtje të caktuar kundër viruseve të mëparshme të Coronës, (hCoV) që shkaktojnë gripin normal. Ato veprojnë edhe kundër virusve të para të sars, si SARS-CoV-1.
Ekipi rreth Frank Kirchhoff nga Instituti për Virologjinë Molekulare në Universitetin e Ulmit shkruan në një studim të publikuar më 25 janar në "Clinical Infectious Diseases", se "vaksinat të çojnë në një neutralizim eficient të kryqëzuar të SARS-CoV-1, por jo të MERS-CoV. Mesatarisht një vaksinë rrit ndjeshëm aktivitetin neutralizues kundër (viruseve të ftohjes), hCoV-OC43, -NL63 und -229E."
Gjithnjë e më shumë të shëruar preken nga Omikron
Ndër të tjera studiuesit në një studim të zgjeruar britanik kanë arritur në përfundimin, se gati një e treta e të njerëzve që janë infektuar me virusin Corona në periudhën 5-20 janar 2022 kanë kaluar më parë një infeksion të Coronës. Studimi, pjesë e programit shkencor REACT (Real-time Assessment of Community Transmission) përfshiu 100.500 vetë, që kishin zhvilluar në këtë hapësirë kohore një test antigjen. Për shkak se të dhënat bazohen në informacionin e dhënë nga vetë personat, shifrat duhen parë me rezervë, thonë autorët e studimit.