1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Studimi: një në gjashtë vetë në Lindje të Gjermanisë ekstremist i djathtë

Kay-Alexander Scholz/Eliana Xhani13 Nëntor 2012

Fondacioni Friedrich-Ebert mat rregullisht qendrimet ekstremiste të djathta. Ekonomia në Gjermani është më mirë se në vendet e tjera dhe numri i imigrantëve në rënie, por qendrimet ekstremiste të djathta janë në rritje.

https://p.dw.com/p/16hnF
Heringsdorf (Mecklenburg-Vorpommern): Lautstark äußert sich dieser Jugendliche am 22.07.1998 während der Wahlkampfveranstaltung von Bundeskanzler Helmut Kohl (CDU) in Heringsdorf auf Usedom. Rechtsradikale hatten versucht, den Auftritt des Kanzlers zu stören. Nach Augenzeugenberichten wurden im Ostseebad mindestens zwei Männer festgenommen, die Flugblätter der NPD in die Menge geworfen hatten. (SCH456-270798)
Fotografi: picture-alliance/ZB

"Shifrat tona tregojnë se armiqësia ndaj fesë myslimane mbështetet nga shumica e popullsisë e po kështu shprehjet armiqësore kundër të  huajve mbështeten nga shumica në landet e reja federale." Kështu i përmblodhi Elmar Brähler nga Universiteti i Lajpcigut rezultatet e një studimi të ri për qendrimet ekstremiste të djathta në Gjermani. Plot 16 për qind e gjermanëve, që jetojnë në landet e reja federale sipas studimit kanë një "botëkuptim ekstremist të djathtë". Në vitin 2008 ky qendrim përfaqësohej nga 8,1 për qind e të anketuarve. Shifra pra është dyfishuar. Në landet e vjetra federale kjo shifër ka rënë nga 11,3 në 7,3 për qind. Pra mund të thuhet se raportet në Lindje dhe Perëndim janë përmbysur vitet e kaluara.

Brähler është profesor psikologjie dhe sociologjie dhe një prej tre autorëve të studimit "Qendra në transformim". Porositës i studimit është fondacioni Friedrich-Ebert, i afërt me Partinë Socialdemokrate gjermane (SPD). Anketimi zhvillohet çdo dy vjet që prej vitit 2002. Studimi është pra më shumë se një fotografi e çastit dhe mund të pasqyrojë edhe zhvillime afatgjata. Para së gjithash në Gjermaninë Lindore është e dukshme një tendencë e qartë, thuhet tani. Në studim janë matur gjashtë dimensione të ekstremizmit të djathtë: përkrahja e një diktature ekstremiste të djathtë, shovinizmi, armiqësia ndaj të huajve, antisemitizmi, darvinizmi social dhe minimizimi i rrezikut të nacionalsocializmit.

Elmar Brähler, profesor për psikologji dhe sociologji mjekësore nga Universiteti i Lajpcigut
Elmar Brähler, profesor për psikologji dhe sociologji mjekësore nga Universiteti i LajpcigutFotografi: Fotohaus Borschel

Mjedisi social ndikon

Veçanërisht shqetësues është fakti që tendenca e së djathtës ekstreme në Gjermaninë Lindore shoqërohet nga një brez i ri, thonë autorët. Nëse në të kaluarën ka pasur një lidhje të ngushtë mes avancimit të moshës dhe qendrimit ekstremist të djathtë, tani bie në sy niveli i lartë i të rinjve gjermanolindorë me këtë botëkuptim. Edhe antisemitizmi për herë të parë është më i përhapur në Gjermaninë Lindore se atë Perëndimore.

Në të njëjtën kohë autorët paralajmërojnë ndaj klasifikimit të ekstremizmit të djathtë si një problem gjermanolindor. Një vëzhgim i saktë tregon se vendimtare është, nëse të anketuarit jetojnë në rajone me situatë të keqe ekonomike. Këto të ashtuquajtura rajone në rënie i gjen edhe në Gjermaninë Perëndimore. Kjo dëshmohet nga numri i lartë i qendrimeve armiqësore ndaj të huajve në radhët e të papunëve të anketur. Situata sociale individuale, mendojnë autorët, ka ndikim më të madh në qendrimin ekstremist të djathtë se sa raportimi për tema aktuale si vrasjet e celulës terroriste të Zwickau-t "Ilegaliteti nacionalsocialist". "Efektin e vëmendjes mediale në temën vrasjeve të celulës terroriste nuk e kemi konstatuar në studimin tonë", thotë bashkautori, Oliver Decker.

Neonazistë të rinj në një marshim në Bad Nenndorf
Neonazistë të rinj në një marshim në Bad NenndorfFotografi: picture-alliance/dpa

Për herë të parë shifra për qendrimet armiqësore ndaj fesë islame

Anketimi është zhvilluar në fund të verës 2012. Të dhënat vijnë nga 2500 persona, ndër të cilët edhe migrantë, që janë pyetur personalisht nga analistët. Për herë të parë bëhej fjalë edhe për qendrimin ndaj fesë islame, pasi partitë populiste të djathta prej disa vitesh përdorin propagandën anti-islame. Për këtë arsye, sipas autorëve, armiqësia ndaj fesë islame duhet të studiohet si një lloj "droge fillestare" drejt ekstremizmit të djathtë.

Konkretisht më shumë se gjysma e të anketuarve pohuan thëniet se bota islame është e prapambetur dhe se feja islame si një fe arkaike është e paaftë t'i përshtatet së tashmes. 45 për qind e të anketuarve sipas studimit nuk pranojnë asnjë lloj kritike ndaj botës perëndimore nga përfaqësues të fesë islame. "Këto janë vlera të frikshme të larta", u shpreh Oliver Decker.

Faktorë mbrojtës

Autorët theksuan se edhe në këtë studim u konstatua se arsimi ka efekt mbrojtës ndaj botëkuptimit ekstremist të djathtë. Në rajone me nivel të lartë migrantësh problemi me qendrimet ekstremiste të djathta është shumë më pak i përhapur.

Sipas autorëve të studimit shifrat aktuale duhet të jenë një sinjal alarmi për politikën. Ata janë për përkufizimin e masave kundër ekstremizmit të djathtë si një detyrë për të gjitha nivelet, pra si një problem, që prek të gjitha fushat e jetës sociale.