1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

"NATO po shqyrton rritjen e përhershme të trupave në Kosovë"

20 Nëntor 2023

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, tha në Prishtinë se sulmi i 24 shtatorit në veri të Kosovës, rriti shqetësimet se një konflikt i gjerë mund të rikthehej në Ballkanin Perëndimor.

https://p.dw.com/p/4ZEoP
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg dhe presidentja e Kosovës Vjosa Osmani në Prishtinë duke kaluar me nderime ushtarake për në presidencë
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg u prit nga presidentja e Kosovës Vjosa Osmani në PrishtinëFotografi: Office of the Kosovo Presidency

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, tha në Prishtinë se Aleanca po shqyrton nëse duhet të ketë një shtim të përhershëm të pranisë së saj ushtarake në Kosovë. E gjithë kjo pas shpërthimit të dhunës në veri të Kosovës me 24 shtator, kur nga një grup serbësh të armatosur u vra një polic i Kosovës dhe më pas tre sulmues. Këto deklarata shefi i NATO-s, i bëri gjatë vizitës që realizoi (20.11.2023) në Kosovë në kuadër të një turneu Ballkanik.

"Në shtator ne pamë një shpërthim serioz të dhunës në veri të Kosovës, që rriti shqetësimet se një konflikt i gjerë mund të rikthehej në Ballkanin Perëndimor. Në maj, trupat tanë të KFOR-it u sulmuan, me ç'rast u plagosën 93 ushtarë, disa rëndë, disa me plagë të përjetshme. Sulme të tilla të dhunshme janë të papranueshme dhe përgjegjësit duhet të përballen me drejtësinë”, tha Stoltenberg në një konferencë për media  së bashku me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani. Në mesazhin e tij Stoltenberg tha, se "do ta përcjellë edhe gjatë takimeve që do të zhvillojë më 21 nëntor në Beograd”.

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti dhe sekertari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg në Prishtinë
Kreu i NATO-s Jens Stoltenberg u takua edhe me kryeministrin e Kosovës Albin Kurti në PrishtinëFotografi: Office of the Prime Minister in Kosovo

Aleanca e Atlantikut të Veriut vendosi afro një mijë trupa shtesë në Kosovë pas sulmit të 24  shtatorit në Banjska të veriut të Kosovës dhe sipasStoltenberg, "ky ishte shtimi më i madh i trupave në vitet e fundit dhe kjo dëshmon sa seriozisht e trajton aleanca dhunën e 24 shtatorit”.

"Tani ne po shqyrtojmë nëse duhet të kemi shtim të përhershëm për t'u siguruar që kjo të mos dalë jashtë kontrollit dhe të krijojë ndonjë dhunë në Kosovë, apo në rajonin e gjerë. Ne do të bëjmë atë që është e nevojshme. Aktualisht, ne jemi duke shqyrtuar rregullimet rreth pranisë sonë”, Stoltenberg, duke shtuar se "NATO po investon në sigurinë e këtij rajoni, sepse siguria e njerëzve në këtë rajon, stabiliteti në këtë rajon, ka rëndësi për sigurinë tonë”, tha ai. Shefi i NATO-s tha se aleanca veriatlantike është duke kryer një shqyrtim të pranisë ushtarake "që përfshin jo vetëm Kosovën por edhe  Bosnje e Hercegovinën”. Shefi i NATO-s, Jens Stoltenberg në Prishtinë takoi edhe kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti. Ai tha se e mirëpriti draft-statutin e ri për themelimin eAsociacionit të komunave me shumicë serbe.

"NATO-ja e mbështet fuqishëm dialogun e lehtësuar nga Bashkimi Evropian ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit dhe të dyja palët duhet të angazhohen në mirëbesim. Unë mirëpres propozimet e fundit për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, që do të ishte një hap thelbësor drejt normalizimit të marrëdhënieve dhe drejt paqes afatgjate dhe të qëndrueshme në rajon”, tha Stoltenberg.

Vizita e shefit të NATO-s, në rajonin e Ballkanit, ndodh në një periudhë tensionesh dhe shqetësimeve të shtuara të vendeve të perëndimit rreth ndikimit rus në këtë rajon. Nga ana e saj, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, tha se është jetike rëndësia e thellimit të bashkëpunimit dhe anëtarësimin e Kosovës në NATO si e vetmja mënyrë për të siguruar paqe e qëndrueshmëri. Ajo ashtu si edhe kryeministri i Kosovës, e përsëritën për të disatën herë, se "është në interesin e Rusisë që të hapë një front të ri të luftës me Perëndimin”.

"Natyrisht që këtë front dëshiron ta hapë në pjesë të Evropës, të cilat akoma nuk janë pjesë e NATO-s, prandaj kjo e bën edhe më imperative anëtarësimin e vendit tonë në NATO në mënyrë që të parandalohen sulme të tilla apo edhe influenca e tillë malinje në rajonin tonë që faktikisht është pjesë e kontinentit Evropian”, tha presidentja Osmani, duke shtuar se "shqetësimet e Kosovës ekzistojnë që mund të përsëriten sulme të tilla”, siҫ ishte sulmi i 24 shtatorit,

“Të gjitha informatat që vijnë nga institucionet tona të sigurisë dëshmojnë që Serbia nëpërmjet këtyre strukturave ilegale, paramilitare, terroriste vazhdon të bëj organizime të reja, pra është e domosdoshme që bashkëpunimi mes nesh dhe NATO-s të jetë gjithnjë në koordinim të plotë, gjithnjë koordinim në rritje”, tha presidentja Osmani. Sipas saj, NATO-ja duhet të përcjellë një mesazh të qartë ndaj Beogradit: "tërheqjen e trupave serbe nga afërsia e kufirit me Kosovën dhe mbylljen e qendrës humanitare serbo-ruse në Nish të Serbisë”, që sipas Osmanit, "shërben si një qendër spiunazhi”.

Edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, para vizitës së Stoltenberg në Kosovë, përmes platformës X, kërkoi që "KFOR-i, EULEX-i dhe Bashkimi Evropian të dalin me raport publik për t'ia atribuuar Serbisë aktin e agresionit, krimin dhe terrorizmin”, duke e ndërlidhur këtë me ngjarjet e 24 shtatorit në Banjska të veriut të Kosovës.

"Kërcënimi nga Rusia dhe Serbia për stabilitetin, paqen dhe sigurinë rajonale po vërehet gjithnjë e më shumë. Rusia synon ndezjen e një vatre krize në oborrin e BE-së, për ta defokusuar NATO-n, kurse Serbia përmbushjen e ambicieve territoriale ndaj fqinjëve sipas projektit ‘Bota Serbe', të Vulinit e të Vuçiqit”, shkroi Kurti në X. Sipas tij, "vizita e Stoltenbergut, konfirmon vendosmërinë e NATO-s për të vendosur paqe dhe siguri në Kosovë”.

Para vizitës në Kosovë, Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg,  qëndroi në Bosnje e Hercegovinë, ku u takua me krerët shtetërorë dhe përfaqësuesin e lartë ndërkombëtar, Christian Schmidt. Nga Sarajeva Jens Stoltenberg tha, se "NATO-ja është e shqetësuar me retorikën e ndarjes dhe me ndikimin rus në rajon”. Pas Kosovës shefi i NATO-os, do të udhëtojë për në Serbi, ku është parashikuar të takohet me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq, dhe me kryeministren Ana Bërnabiq. Po të njëjtën ditë, Stoltenberg do të vizitojë Maqedoninë e Veriut. Më 22 nëntor shefi i NATO-os, Jens Stoltenberg, përmbyll turneun Ballkanik, ku do të ketë një një takim të përbashkët me udhëheqësit e shteteve anëtare të NATO-s nga rajoni i Ballkanit.