Stoltenberg: Jo dislokim i trupave të NATO-s në Ukrainë
27 Shkurt 2024Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka reaguar ndaj raportimeve se disa vende perëndimore mund të konsiderojnë dërgimin e personelit ushtarak në Ukrainë. Aleanca ushtarake nuk ka plane të dërgojë trupa luftarake të NATO-s në vendin e sulmuar nga Rusia, tha Stoltenberg për agjencinë e lajmeve AP. Ai theksoi megjithatë se "kjo është një luftë agresioni nga Rusia kundër Ukrainës, që shkel në mënyrë flagrante të drejtën ndërkombëtare". Sipas së drejtës ndërkombëtare, Ukraina ka të drejtën e vetëmbrojtjes, "dhe ne kemi të drejtë ta mbështesim atë në mbrojtjen e kësaj të drejte".
Qeveria gjermane e përjashton dërgimin e trupave tokësore
Kancelari gjerman Olaf Scholz ka hedhur poshtë qartë planet e presidentit francez Emmanuel Macron për të dërguar trupa perëndimore në Ukrainë. Edhe për të ardhmen vlen se "nuk do të ketë trupa tokësore, nuk do të ketë ushtarë në tokën ukrainase të dërguar atje nga shtetet evropiane ose shtetet e NATO-s", tha Scholz.
Ministri Federal i Mbrojtjes Boris Pistorius (SPD) shprehu një mendim të ngjashëm."Trupat në terren" nuk është një opsion për Republikën Federale të Gjermanisë," tha Pistoriusi. Kreu i grupit parlamentar të SPD, Rolf Mützenich e kritikoiMacronin për deklaratat e tij në lidhje me trupat e mundshme tokësore: "Arti i qeverisjes nuk konsiston në fjalë të forta, por tregohet në mbështetje konkrete dhe, në të njëjtën kohë, në aftësinë për të marrë parasysh rreziqet e përshkallëzimit, të qenësishme në çdo luftë". Të Gjelbrit gjermanë nuk janë gjithashtu në favor të vendosjes së trupave tokësore. Zëvendëskancelari Robert Habeck shpjegoi se ka qenë gjithmonë e qartë se ky nuk ishte një opsion. Në fillim të një takimi me dyer të mbyllura të grupit parlamentar në Leipzig, kjo partia kërkoi sërish dërgimin e raketave Taurus.
Polonia, Çekia dhe Suedia nuk duan të dërgojnë trupa tokësore
Krerët e qeverive të Polonisë dhe Republikës Çeke kanë shprehur skepticizëm për idenë e vendosjes së trupave tokësore perëndimore në Ukrainë. Polonia nuk planifikon të dërgojë njësitë e veta, deklaroi kryeministri polak Donald Tusk pas një takimi me homologun e tij çek Petr Fiala në Pragë. Ai deklaroi se fokusi sot duhet të jetë në ofrimin e mbështetjes maksimale Ukrainës në përpjekjet e saj ushtarake kundër pushtimit rus. Ai tha se për momentin nuk dëshironte të spekulonte, nëse ky pozicion mund të ndryshojë në të ardhmen në rrethana të caktuara.
Kryeministri Fiala shprehu të njëjtin mendim. "Nuk ka nevojë të kërkojmë rrugë të reja”, theksoi politikani liberal-konservator. Ai iu referua një nisme të qeverisë së tij për të blerë municion artilerie nga vendet e treta dhe për t'i dorëzuar ato në Kiev në bashkëpunim me shtetet e tjera evropiane, si Holanda. Tusku theksoi se nëse të gjitha shtetet anëtare të BE-së do të ishin po aq të përkushtuar sa Republika Çeke dhe Polonia, nuk do të kishte nevojë të diskutohej për forma të tjera mbështetjeje. Sipas deklaratave të saj, Republika Çeke nuk po shqyrton dërgimin e ushtarëve në Ukrainë. Këtë kryeministri Petr Fiala e deklaroi për agjencinë e lajmeve Reuters.
Kryeministri suedez Ulf Kristersson e ka përshkruar vendosjen e mundshme të ushtarëve perëndimorë në Ukrainë si "jo temë" për momentin. Duke iu përgjigjur një deklarate të presidentit francez Emmanuel Macron, Kristerssoni i tha transmetuesit suedez SVT: "Nuk është aspak një temë për momentin". Për momentin, "ne jemi të zënë me dërgimin e pajisjeve të avancuara në Ukrainë".
aud (tg, ag)