Steinmeier: Refugjatët nga Siria sfidë e madhe për Libanin
30 Maj 2014Libani është vetë një vend i tronditur nga lufta me raporte të brishta politike dhe shoqërore. Libani ka rreth 4,5 milionë banorë dhe që nga fillimi i luftës civile në vendin fqinj, sipas të dhënave të OKB-së, ai ka strehuar më shumë se një milionë sirianë. Ministri i Jashtëm gjerman Frank-Walter Steinmeier tha se kjo është "sfidë e madhe" për Libanin. Gjatë vizitës së tij në Bejrut politikani socialdemokrat Steinmeier ofroi zhvillimin e një konference donatore për refugjatët e luftës nga Siria në Liban. Gjermania është "vendi më i mirë" për një konferencë të tillë.
Ndihma financiare për pranimin dhe furnizimin e refugjatëve nga Siria do të shtohet me pesë milionë euro të tjerë, njoftoi Steinmeier në fillim të vizitës së tij dyditëshe. RFGJ ka vënë në dispozicion nga viti 2011 gjithsej më shumë se një gjysëm miliardi euro ndihmë humanitare. Gjermania është kështu një nga vendet më të rëndësishme donatore.
Gjermania e gatshme për të pranuar refugjatë sirianë
Steinmeier deklaroi pas një takimi me homologun e tij libanez Gebran Bassil, se Gjermania është e gatshme të pranojë të tjerë refugjatë. Tekstualisht ministri tha: "Ne kemi vendosur brenda qeverisë gjermane, që përveç 20.000 refugjatëve të marrim edhe 10.000 të tjerë, pra gjithsej 30.000."
Shifrat e përmendura shkaktuan konfuzion në Berlin. Ministria e Jashtme theksoi se Steinmeier në deklaratat e tij për pranimin e azilkërkuesve i është referuar programeve aktuale të federatës dhe landeve. Nuk ka patur "deklarata të reja", tha një zëdhënëse e ministrisë.
Sipas zyrës federale përkatëse, në Gjermani në tre vitet e fundit kanë kërkuar azil më shumë se 31.000 sirianë. Përveç kësaj qeveria gjermane vitin e kaluar ka nisur një program të posaçëm për pranimin e 10.000 refugjatëve sirianë. Duke pasur parasysh situatën dramatike në Siri, ministrat e brendshëm të landeve gjermane do të konsultohen në qershor për zgjerimin e kësaj iniciative. Në diskutim janë edhe 10.000 refugjatë të tjerë.