Stamboll: Sulm me bombë në metropolin turk
13 Nëntor 2022Stambolli metropoli 16 milionësh i Turqisë u trondit nga një sulm me bombë në rrugën më të frekuentuar të dyqaneve Istiklal. Në kohën e sulmit pasdite zona e këmbësorëve ishte e mbushur me njerëz. Mësohet për gjashtë të vdekur dhe rreth 81 të plagosur.
"Ne mendojmë, se mund të kemi të bëjmë me një sulm terrorist", tha nënpresidenti turk Fuat Oktay të dielën (13.11) në mbrëmje. Shpërthimi sipas të dhënave të para është shkaktuar nga një bombë, "e cila është aktivizuar nga një grua". Fillimisht askush nuk mori përgjegjësi për aktin.
Presidenti Rexhep Tayp Erdogan duke folur në televizion e dënoi atë si "një sulm perfid". Përgjegjësit do të "demaskohen". Autoritetet përgjegjëse "po punojnë për të gjetur dorasit", tha Erdogan. Shenjat e para lenë të kuptohet për një "sulm terrorist", në të cilin ka qenë pjesëmarrëse një grua. "Do të ishte (...) gabim të thuhej, se me siguri kemi të bëjmë me terror, por shenjat e parat të lenë shijen e terrorit", tha Erdogan.
Shpërthimi ndodhi të dielën (13.11) pasdite në rrugën Istiklal të dyqanave mjaft e frekuentuar nga vendasit dhe turistët në qendër të metropolit turk. Në kohën e sulmit pasdite zona e këmbësorëve ishte e mbushur me njerëz. Në regjistrimet online të rrjeteve sociale dëgjohet një krismë e fortë e pasuar nga flakët. Imazhet tregojnë gjithashtu një krater të madh të zi si dhe njerëz të shtrirë në tokë.
Autoriteti regullator i medias (RTUK) u ndaloi mediave menjëherë përhapjen e imazheve. Me këtë synohet të shmanget përhapja "e frikës, panikut dhe trazirave" në popullsi dhe se imazhet mund t‘u "shërbejnë qëllimeve të organizatave terroriste", argumentoi këtë masë këshilltari i presidentit, që është përgjegjës edhe për marrëdhëniet e qeverisë me publikun Farhettin Altun.
Sikurse njoftoi një gazetar i agjencisë AFP, policia bllokoi përkohësisht zonën e prekur nga frika për ndonjë shpërthim tjetër të mundshëm. Helikopterrë u vunë në qarkullim dhe gjëmuan sirenat. Në lagjen fqinjë Galata shumë dyqane u mbyllën para kohe, kafenetë në mbrëmje ishin të zbrazura.
"Unë isha 50 deri në 55 metra larg, kur papritur u dëgjua një shpërthim. Pashë tre apo katër vetë të shtrirë në tokë", i tha AFP-së 57 vjeçari dëshmitar okular Cemal Denizci. "Njerëzit largoheshin në panik. Kishte shumë zhurmë e kudo tym të zi."
Kryebashkiaku i Stambollit, Ekrem Imamoglu, shkoi menjëherë në vendin e ngjarjes. "Më lajmëruan nga zjarrëfikësi në Istiklak. Ata po vazhdojnë punën në koordinim me policinë", shkruan ai në rrjetin Twitter duke u shprehur ngushëllimet të afërmve të viktimave.
Presidenti i Gjermanisë Frank-Walter Steinmeier i shprehu ngushëllimet homologut turk Erdogan. "Lajmi për shpërthimin e tmerrshëm në Stambollin plot gjallëri më tronditi", shprehet Steinmeier. "Në këtë moment të shokut në gjermanët qendrojmë krah qytetareve dhe qytetarëve të Stambollit dhe popullit turk."
Edhe ministrja e Jashtme Annalena Baerbock u shpreh e shqetësuar në Twitter. "Imazhe të tmerrshme nga Stambolli", shkruan ajo. "Me mendje jam pranë njerëzve, të cilët të dielën donin të shëtisnin në rrugën e dyqaneve Istiklal dhe tani u bënë viktimë e një shpërthimi të rëndë."
Vendi fqinj i Turqisë Greqia e dënoi shpërthimin duke i shprehur qeveris ëturke ngushëllimet.
Turqia dhe veçanërisht Stambolli në vitet 2015 dhe 2016 ishin në shënjestër të një fushate sulmesh të përgjakshme, për të cilat mori përgjegjësi trupa e milicëve xhihadistë të Shtetit Islamik. 500 vetë humbën jetën atëherë si pasojë. Një ndër sulmet ndodhi në rrugën Istiklal, emri i së cilës i përkthyer do të thotë "pavarësi".
dw/dap/afp